Daoyin, ose "xingqi," është një lloj stërvitje kineze që kombinon frymëmarrjen me lëvizjet e trupit duke imituar kafshët. "Dao" do të thotë të rregullosh energjinë vitale chi duke rregulluar qarkullimin e saj në trup. "Yin" do të thotë të forcosh gjymtyrët përmes lëvizjeve të trupit.

Shkrimet për daoyin u shfaqën në dinastinë Han Perëndimore (206 BC-AD 24). Diagramat e daoyin-it të pikturuara në mëndafsh, u gjetën në provincën Hunan dhe mendohet të jenë pikturat më të lashta të këtij lloji. Pikturat shfaqin 44 persona të të dyja gjinive dhe të moshave të ndryshme që shpalosin lëvizje daoyin të ndryshme. Hua Tuo, një mësues i njohur i kësaj stërvitjeje, përshtati mbi 140 lëvizje daoyin në 5 grupe duke imituar lëvizjet e tigrit, drerit, ariut, majmunit dhe të zogjve për të krijuar një set ushtrimesh të quajtura "Shfaqja e Pesë Kafshëve". Deri në Dinastinë Song (960-1279), daoyin u zhvillua në baduanjin, që ka mbetur i njohur deri në ditët e sotme. Ushtrime të tjera si wenbaduan dhe yijinjing, që u shfaqën në dinastitë Ming (1368-1644) dhe Qing (1644-1911), janë një ndërthurje e qigong-ut me masazhin.

Ushtrimet Daoyin janë provuar si shumë efektive në zgjatjen e jetës. Dougong, një muzikant i verbër gjatë sundimit të perandorit Wendi në Dinastinë Han Perëndimore, praktikoi rregullisht daoyin derisa vdiq në moshën mbi 100-vjeçare. Sun Simiao, një mjek i njohur në dinastinë Tang (618- 907), bënte daoyin tri herë në ditë dhe jetoi mbi 110-vjeç dhe shumë raste të tjera. Ja pse në të kaluarën daoyin quhej arti i jetëgjatësisë. (Albana)