Në datat 9 dhe 10 qershor do të zhvillohet spektakli i bukurisë “Miss Univers Albania”, ku fituesja e kësaj gare bukurie do të përfaqësojë Shqipërinë në Miss Univers. Producenti i eventit më të madh të bukurisë në Shqipëri Eduart Deda në një intervistë për CMG tregon për risitë e këtij spektakli.
CMG: Në datat 9 dhe 10 qershor zhvillohet spektakli i bukurisë “Miss Unives Albania”. Na tregoni për risitë e këtij eventi?
Eduart Deda dhe fotografi Fadil Berisha gjate nje spektakli (Instagram)
Eduart Deda: Në datën 9 qershor do të transmetohet gjysmë finalja e “Miss Univers Albania-Kosova”, e cila është regjistruar në Venue Club në Prishtinë, një ndër ambientet më të mëdha të argëtimit të jetës së natës, e cila u transformua në një skenë për të mirëpritur konkurentet e këtij spektali. Kjo ishte një natë plot surpriza që në Prishtinë u prit shumë mirë, dhe fatmirësisht ky program transmetohet në dy kanale telvizive më të mira siç është Vizion plus dhe Klan Kosova. Ne e ndjenim si detyrim që gjysëm finalja të mbahej në Prishtinë, për të ardhur dhe më pranë konkurenteve nga Kosova si dhe për të qenë dhe familjarët e konkurenteve prezent që të ndiqnin dhe performancat e tyre.
CMG: Ju keni 9 vite që e realizoni këtë spektakël bukurie, ku fituesja do të përfaqësojë Shqipërinë zyrtarisht në Miss Univers. Si kanë qenë këto vite për ju si producent, duke parë se nga shumë vajza të bukura vetëm njëra do fitojë?
Eduart Deda: Përsa i përket përzgjedhjes nuk është fare angazhimi im sepse aty është një juri e cila merr këtë gjë përsipër dhe është detyra e tyre që të përzgjedhin konkurrenten. Unë bashkë me stafin kemi detyrën për t’i trajnuar këto konkurente, për të bërë më të mirën për to, për t’i përshtatur që të dalin në këtë spektakël, dhe pastaj juria vlerëson se cila do të jetë më e mira. Normalisht që të bësh 9 vite show fillimet janë të vështira, sepse në fillim është një terren i panjohur. Unë vija nga një botë tjetër që ishte media, sepse kam botuar revistën “VIP” prej 15 vitesh dhe dija showbizin, dija diçka mbi spektaklin, por jo kaq me detaje sa i përket konkursit më të madh të bukurisë.
Miss Univers është konkursi më prestigjoz në të gjithë botën dhe unë kam fatin që kam përfaqësimin për Shqipërinë dhe Kosovën dhe mendoj që kam bërë më të mirën e mundur, por ka akoma vend për të përmirësuar çdo ditë.
Eduart Deda me njeren nga vajzat fituese te edicioneve te meprashme te Miss Univers (Instagram)
CMG: Cila është përbërja e jurisë e këtij spektakli dhe a do të ketë emra të njohur me famë ndërkombëtare në juri?
Eduart Deda: Në juri do kemi personazhe të ndryshëm, si Olti Curri një ndër tekst shkruesit apo gazetarët e njohur të Shqipërisë, Ketrina Jarazi, e cila ka bërë produksione të ndryshme. Do të jetë gjithashtu gazetarja Evi Reçi, e cila i ka njohur konkurrentet dhe në emisisionin e saj “Pasdite” në Vizion Plus dhe i ka intervistuar, si dhe Armina Mevlani, Miss World Albania, një blogere dhe një njohëse shumë e mirë e modës, e skenës dhe pasarelës. Do të jëtë gjithashtu Skerdi Fariaj, një ndër doktorët estetikë më me zë në vend, i cili do të gjykojë kush prej tyre mund të ketë bërë ndonjë hile përsa i përket operacioneve (qesh). Do jetë Artjola Dushi më e bukura për Shqipërinë dhe për trevat shqiptare.
Kështu që kemi marrë shqiptarë me famë ndërkombëtare dhe jo të huaj për të na vlerësuar bukurinë tonë dhe për të përzgjedhur personalitetin e duhur për të na përfaqësuar. Gjithashtu në juri do të jetë dhe Marsela Çibukaj, e cila është një këngëtare e kultivuar në Shqipëri, dhe që ka një dimension tjetër në të shikuarit të gjërave. Pra, do të jetë një juri plot sharm dhe elegancë, plot personalitet dhe është shumë bukur të punosh me to.
CMG: Si është bërë përzgjedhja e konkurrenteve finaliste të Miss Univers?
Eduart Deda: Audicionet janë të hapura gjatë gjithë vitit, komkurrentet tona aplikojnë dhe ne zgjedhim CV-të e tyre dhe lejmë takime me konkurrentet, në varësi se çfarë na bën kurioz ose dikush që mendojmë se është e duhura për të qenë prezent. Nga pandemia gjithçka ka shkuar online dy vitet e fundit edhe është bërë pak si trend tani që të komunikojmë njëherë online pastaj të vijnë fizikisht në zyrën tonë.
CMG: Do të ketë artistë të ftuar që do të performojnë në këtë spektakël?
Eduart Deda: Emrat tashmë janë të zbuluar se kush do të jetë. Do të jetë e ftuar një ndër këngëtaret më të mira të Shqipërisë të viteve 90-të dhe deri më sot sepse është prapë shumë trend, shumë e re dhe aktuale në showbiz, Manjola Nallbani. Gjithashtu do të jetë dhe reperi nga Kosova, i jashtëzakonshmi Capital T. Anxhela Peristeri, zëri brilant, që na nderoi dhe në Eurovizion dhe kudo ku shkel është e jashtëzakonshme. Valon Shehu do të vijë nga Gjakova, një djalë i talentuar, Kamela Islamaj një këngëtare që nuk ka bërë kurrë kompromis me artin e saj. Do të performojë dhe prezantojë Soni Malaj, si dhe do të kemi një performancë speciale.
Njëkohësisht duke ardhur në juri Marsela Çibukaj ka shprehur dëshirën të bëjë një performancë shumë të bukur, por nuk mund ta them dot temën sepse është surprizë. Do të kemi të ftuar dhe Genën që është një këngëtar nga trevat e jugut, por që i këndon të gjitha trevat e Shqipërisë nga veriu në jug. Të ftuar do të jenë dhe dy djem të rinj, Gerald Murraj dhe Flavio Duka, të cilët do të bëjnë një pjesë të një kryevepre botërore Haleluja, ngaqë kaluam kohë shumë të vështirë nga pandemia dhe tërmeti, dhe kjo performancë do të mbyllë dhe spektaklin në sfilatën e fundit.
Eduart Deda, (Instagram)
CMG: Pra do të jetë një natë e gjatë deri në shpalljen e fitueses së këtij edicioni?
Edurat Deda: Patjetër që spektakli shkon rreth 4 orë, por është një show që do të festojmë për bukurinë, do festojmë për jetën. Nuk është fokusi thjesht gara, por do jetë në të gjithë promovimin e vlerave të kombit sepse në fund fare këto spektakle sa më shumë të jenë të kësaj natyre, e shtojnë lumturinë dhe e zbukurojnë jetën e çdokujt.
CMG: Do jetë pjesë e spektaklit sfilata e vajzave me kostume popullore kombëtare?
Eduart Deda: Ne e kemi bërë në natën gjysmëfinale një sfilatë me 10 kostume nga Arjeta, një dizenjere kosovare shumë e mire, e cila ishte një sfilatë shumë e bukur dhe që do të transmetohet në datën 9 qeshor. Ndërkohë që në natën finale nuk do të ketë veshje tradicionale.
CMG: Nata finale e këtij spektakli do të jetë në transmetim live për publiun e gjerë?
Eduart Deda: Finalja është live ndërsa gjysmëfinalja është me regjistrim.
CMG: Gjatë këtyre 9 viteve që ju realizoni Miss Univers, cila nga trevat ka pasur vajza më të bukura?
Eduart Deda: Nuk ka dominancë, unë mendoj që mund të ketë rastësi që nga Mirdita ka pasur shumë konkurente që kanë ardhur, kanë aplikuar dhe kanë dalë mirë. Gjithashtu kemi pasur konkurente të mira nga Elbasani, Durrësi, Tirana, pra nuk është një trevë e caktuar por që dominon pjesa veriore e Shqipërisë dhe Shqipëria e mesme.
Miss Univers Albania (Instagram)
CMG: Unë të falenderoj shumë për këtë bisedë dhe ju uroj suksese.
Eduart Deda: Faleminderit dhe suksese radios tuaj.
Intervistoi: Gazmend Agaj