Mukades Çanga, mbajtësja e titullit të lartë “Mjeshtër i Madh” është një nga zërat e traditës së pasur të muzikës qytetare shkodrane. Vokali dhe forca e saj interpetuese është e njohur jo vetëm në qytetin e saj Shkodër, por në mbarë vendin e më gjerë. Emri dhe kontributi i saj artistic renditen në kolanën e gjatë të vlerave që përfaqësuan dhe ngritën në një nivel sfidues këngën shkodrane, duke e renditur atë në majat e larta të vlerësimit të publikut.
Mukades Çanga në skenë
Interpretimi i këngës së parë “Mori drandofilja e vogël”, nën drejtimin e violinistit, mjeshtrit Mark Kaftalli, befasoi specialistët dhe muzikantët e kohës. Ishte akoma e re në karrierën e saj artistike dhe me që në këtë kohë në Tiranë ekzistonin kurse për kualifikimin e talenteve të reja, Mukades pati fatin e madh të mbarojë këtë ku. Ajo ndjehet fatlume sepse mësoi nga mjeshtrat e mëdhenj të këngës popullore si: Ramadan Sokoli, Abdulla Grimci, Luçije Miloti, Ibrahim Tukiçi, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, etj.
Mukades Çanga është trashëgimtarja e denjë e brezit të këngëtarëve të mëdhenj shkodranë, është një nga zërat që ka dhënë kontribut të shquar për ta ruajtur traditën e muzikës popullore shkodrane. Pjesëmarrëse në spektaklin “12 në Hollywood”, i zhvilluar në Tiranë në vitin 1995, në festivalin Folk Izmir, Turqi, viti 1996 dhe në Maratona e Këngës Popullore, Mukades Çanga gjatë karrierës së saj artistike ka bashkëpunuar me shumë figura të shquara të muzikës shqiptare.
Në intervistën ekskluzive “Bio Folk”, ajo na tregon rreth karrierës së saj të gjatë artistike si dhe aktivitetet që pret ti realizojë së shpejti.
Mukades Çanga me kostum popullor
CMG: Jemi në kohë pandemie. Sa ka ndikuar pandemia në jetën tuaj artistike?
Mukades Çanga: Si në të gjithë botën edhe te ne ka ndikuar shumë kjo pandemi, si nga ana shpirtërore, profesionale ashtu edhe nga ana e dashurisë që kemi për skenën, për duartrokitjet, por do Zoti të largohet sa më shpejt dhe të rikthehemi sërish në skenë dhe te duartrokitjet.
CMG: Sa ju mungon spektatori në këtë periudhë të vështirë që po kalojmë?
Mukades Çanga: Patjetër që spektatori na mungon sepse unë jam mësuar të këndoj live para spektatorit. Unë pa spektatorin nuk jam askushi. Kishim dy koncerte që i dhamë në Shirokën e bukur, një koncert me duete nën drejtimin e orkestrës së Teatrit Migjeni dhe mjeshtërit Ilir Zoga. Koncerti u dha duke mbajtur distance, por me pak spektatorë. Mora pjesë edhe në festivalin “Lule Borë” me një këngë të re e kompozuar nga unë, me tekst të Ramazan Çekës dhe orkestrim të mrekullueshëm të Shpëtim Saraçit.
CMG: Sa interpretime dhe koncerte numëroni në karrierën tuaj, duke ditur se keni një jetë në skenë?
Mukades Çanga: Unë kam 45 vite në skenë dhe aktivitetet kanë qenë të shumta. Fillimet e mia kanë qenë në Teatrin Migjeni me estradën profesioniste. Me estradën kemi dhën koncerte pafund dhe kemi marrë edhe shumë duartrokitje Me ardhjen e demokracisë kemi performuar edhe para spektatorit të diasporës duke marrë ngrohtësi dhe duartrokitje pafund. Kam marrë pjesë në 11 Festivale Folklorike të Gjirokastrës, në festivalet e Bursës në Turqi, ku dhe atje jam nderuar me çmime.
Më kujtohen festivalet e estaradave dhe bandave ku Shkodra gjithmonë u nderonte në këto festivale. Jo se jam shkodrane, por dua të them se arti vlon në Shkodër dhe Shkodra është një dashni për artin dhe kulturën, sepse ne kemi shumë artista ku edhe sot që unë jam në këtë moshë shoh artista pafund dhe them lum Shkodër locja që i ka. Suksese kam pasur edhe me Ansamblin Rozafa në Zvicër ku kemi dhën 25 koncerte rresht në të gjitha qytetet e saj. Në vitin 1992 kam marrë pjesë në Festivalin e Këngës shqiptare në SHBA.
Kam një jetë të gjatë duke kënduar dhe puna ime është vlerësuar dhe besoj se i kam dhënë edhe kënaqësi publikut. Një emocion i veçantë për mua ka qenë në vitin 2000 kur performova para spektatorit të madh në stadiumin e Prizrenit.
Mukades Çanga pas marjes së titullit Mjeshter i Madh nga presidenti Nishani
CMG: Cilët janë vlerësimet që keni marrë gjatë karrierës artistike nga institucionet e vendit?
Mukades Çanga: Unë si artiste ndihem shumë e vlerësuar nga çmimet, por dua të përmend vetëm tre çmimet më të rëndësishme. Vlerësimin që më ka dhënë Shkodra, Bashkia dhe Prefektuara e Shkodrës “Mirënjohja e qytetit të Shkodrës”. Në vitin 2017 mora nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani titullin “Mjeshtër i Madh”, edhe ky një vlerësim i veçantë për mua.
Kur kam shkuar në Presidencë kam marrë me vete grupin tim artistic, që më ka shoqëruar gjithmonë dhe i kam thënë Presidentit se ky vlerësim nuk është vetëm për mua, por edhe për orkestrën që më ka shoqëruar gjithë jetën.
CMG: Cilët bashkëpunime do të veçoni si më të suksesshmet në karrierën tuaj?
Mukades Çanga: Bashkëpunimet e mia janë të shumta, por dua të veçoj orkestrën e mirëfilltë të Teatrit Migjeni me dirigjent Ilir Zogaj, me të cilën kam performuar tre koncerte recitale. Dua të përmend disa nga bashkëpunëtorët e mi si Roland Guli, Namik Jahja, Fatmir Mesi, Indrit Kodraliu, Bled Doçi që kam bashkëpunuar në të gjitha koncertet me këtë orkestër të mrekullueshme. Të tjera bashkëpunime kam pasur me Shpëtim Saraçin, Nazmi Lishni, Jetmir Barbullushin, Luan Borova, Andi Unaza, Naim Krasniqi, Luan Dagistani e shumë të tjerë, duke i falenderuar të gjithë ata që më kanë shoqëruar dhe nderuar në koncertet e mia.
Mukades Çanga me këngetarin Bashkim Alibali
CMG: Keni ndonjë projekt artistik së afërmi?
Mukades Çanga: Projektet i kam të bukura, por kur të lirohemi nga kjo pandemi shpresoj t’i realizoj. Kam dëshirë të realizoj dy videoklipe të këngës së Shpëtim Saraçit në Festivalin Lule Borë si dhe të këngës së kompozuar nga unë. Do kisha dëshirë të realizoja edhe një koncert recital sa kam edhe zërin mirë.
CMG: Nje mesazh urimi për dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk
Mukades Çanga: Ju falenderoj për këtë intervistë dhe i uroj suksese Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk, duke pritur gjëra më të këndëshme dhe të bukura nga ju.
Intervistoi: Gazmend Agaj