Muaji gusht shënon kulmin e sezonit turistik në Europë. Pas dy viteve në pandemi prezente, ku lëvizjet ishin të kufizuara, fluksi këtë verë është shtuar kudo. Shumë shqiptarë kanë zgjedhur që këtë verë të udhëtojnë jashtë, e reflektuar kjo në shtimin e ndjeshëm të fluturimeve nga Aeroporti i Rinasit.

Prishtina (Foto Dodonaapartament)

Prishtina (Foto Dodonaapartament)

Cilat janë qytetet e Europës ku ju kushton më shtrenjtë të konsumoni një vakt në restorant dhe ato më të lirat? “Numbeo”- sistemi më i madh të të dhënave në botë, ka renditur shumë shtete në botë në Indeksin e Çmimeve të Restoranteve, dhe koston e një dreke në një restorant mesatar për dy persona, ku kemi përzgjedhur vetëm shtetet e Europës.

Nëse do të shkoni në Zvicër duhet të merrni masat dhe të mbushni portofolin. Ky shtet ka dhe qytetet me restorantet më të shtrenjta në Europë. Një drekë për dy persona në Zyrih kushton 123 euro mesatarisht për dy persona. Po ashtu në Gjenevë, Lozanë, apo Bazel sërish do ju duhen pak më shumë se 100 euro.

Basel Zvicër (Foto Expatica)

Basel Zvicër (Foto Expatica)

Pas Zvicrës restorantet më të shtrenjta janë në qytetet e shteteve nordike. Në Odense të Dannimarkës, apo Oslo të Norvegjisë sërish do ju duhen rreth 100 euro. Në Espoo, Finlandë dreka kushton po rreth 100 euro. E shtrenjtë është dhe Valletta në Maltë, ku do ju duhet të shpenzoni 100 euro.

Në Itali, më e shtrenjta është Milano, ku ju duhen 80 euro për një drekë dy persona në restorant. Edhe në Zadar të Kroacisë kushton pak a shumë po aq. Në Francë, më shtrenjtë është në Nice, 73 euro, ndërsa në Paris 60 euro.

Në Gjermani dreka më e shtrenjtë është rreth 60 euro. Në Barcelonë ju mjaftojnë 55 euro. Në Greqi, më e shtrenjta është Athina, me 50 euro, ndërsa në Selanik dreka për dy persona në restorant kushton 40 euro.

Më e lirë nga desinacionet e njohura turistike europiane është Portugalia. Në Porto për një drekë janë të mjaftueshme 35 euro për dy persona, në Lisbonë deri në 45 euro, ndërsa në zona të tjera si Aivero 25 euro.

Turqia ka restorantet më të lira, nga 14 euro në Ankara në 22 euro në Stamboll.

Restorant në Tiranë (Foto Dosja.al)

Restorant në Tiranë (Foto Dosja.al)

Numbeo-kostot e jetesës në Ballkanin Perëndimor

Dreka në Tiranë është më e shtrenjta në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa në Prishtinë është më e lira.

Tirana dhe Beogradi mbajnë rekordin nga kryeqytetet e Ballkanit për drekat më të shtrenjta me 34 euro secila. Në Podgoricë mjaftojnë 25 euro, në Shkup 24 euro, po kaq dhe në Sarajevë. Më e lira në Ballkan është Prishtina, ku një drekë kushton mesatarisht 17 euro.

Sipas indeksit të mesvitit të Numbeo- databaza më e madhe e kostove të jetesës, Tirana dhe Beogradi janë dy kryeqytetet më të shrenjta në rajon.Indeksi i Beogradit është 38.8%, kurse ai i Tiranës 38.37%. Ky indeks mat koston e jetesës në raport me qytetin e Nju Jorkut, që e ka këtë tregues 100%. Më e lira në rajon është Prishtina, me indeksin në vlerën 26.3% e kostos së jetesës në Nju Jork, e ndjekur nga Shkupi, në Maqedoninë e Veriut.

Indeksi i kostos së jetesës (pa qiranë) është një tregues relativ i çmimeve të mallrave të konsumit, duke përfshirë produktet ushqimore, restorantet, transportin dhe shërbimet komunale. Indeksi i kostos së jetesës nuk përfshin shpenzimet e akomodimit si qiraja ose hipoteka.

Në indeksin e restoranteve, që sërish është një krahasim i çmimeve të vakteve dhe pijeve në restorante dhe bare në krahasim me Nju Jorkun, më i liri është Prishtina, me 19.6% të mesatares së Nju Jorkut, të ndjekur nga Sarajeva (23.6%), Podgorica (25%), Tirana (28.9%). Më i shtrenjti është Beogradi, ku një vakt në restorant kushton mesatarisht sa 35% në Nju Jork.

Beograd (Foto OnlyCroatia)

Beograd (Foto OnlyCroatia)

Kostoja e jetesës në botë

Qytetet më të shtrenjtë në botë ndodhen në Zvicër, si Bazeli, ku kosto e jetesës është sa 120% e mesatares së Nju Jorkut, ndërsa Zyrihu (118%). Koston më të ulët të jetesës në raport me Nju Jorkun e kanë qytete në Indi, Pakistan, Sri Lanka, Kolumbi etj (15-20%).

Dreka më e shtrënjtë në botë kushton në Hamilton, Bermuda, gati 150 euro. Më pas renditen qytetet e Zvicrës dhe ato të vendeve nordike, por nuk mbeten pas dhe shumë qytete në Shtetat e Bashkuara të Amerikës.

Australia, Kanadaja, Izraeli vijojnë në listën e shteteve, në qytetet e të cilave duhet të shpenzosh më shumë për të konsumuar një vakt.

Restornatet (Burimi kohaditore)

Restornatet (Burimi kohaditore)

Restorantet më të lira në botë gjenden në Indi dhe Pakistan, ku dy persona mund të konsumojnë një vakt të plotë me 7-10 euro.

Vala globale e rritjes së çmimeve ka shtuar kostot e jetesës kudo në botë. Ky shtrenjtim, që në pjesën më të madhe nuk po shoqërohet me rritje të të ardhurave, pritet që të rrisë dhe problemet ekonomike në botë.