Sektori i shitjes me pakicë sipas kërkesave ka pasur rritje të shpejtë dhe pritet të bëhet një komponent i rëndësishëm i peizazhit të biznesit “online-to-offline”, ose O2O, ku marketingu dhe blerjet në internet nxisin operacionet dhe konsumin me prani fizike dhe luajnë një rol më të madh në fuqizimin e transformimit digjital të shitësve me pakicë, thonë ekspertët e industrisë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Shitja me pakicë sipas kërkesës i referohet një modeli të shitjes me pakicë ku blerësit bëjnë porosi në platformat e tregtimit në internet, të ndjekur nga shitës me pakicë nga dyqanet fizike që kryejnë vetë shpërndarjen derë më derë, ose përmes një platforme shpërndarjeje të palëve të treta. Një porosi e dorëzimit sipas kërkesës zakonisht kërkon 30 deri në 60 minuta për t'u përfunduar.

Shitësit tradicionalë me pakicë që kërkojnë transformim digjital tani përqafojnë modelin O2O, pasi ai ofron një rrugë zhvillimi që lidh kanalet online dhe offline për të përmirësuar efikasitetin operacional të shitësve me pakicë, sipas një libri të bardhë të publikuar nga platforma kryesore e shpërndarjes sipas kërkesës dhe shitjes me pakicë “Dada Group”, Shoqata e dyqaneve dhe ekskluziviteteve të zinxhirit të Kinës dhe Instituti i Kërkimeve për Konsumin dhe Zhvillimin e Industrisë të gjigantit të tregtisë elektronike “JD”.

Vitet e fundit, shkalla e tregut “online-to-offline” (O2O) ka vazhduar të zgjerohet, duke tejkaluar 3.3 trilionë juanë (487.98 miliardë dollarë) në vitin 2021. Ndërkohë, sektori i shitjes me pakicë sipas kërkesës është rritur ndjeshëm dhe është bërë një forcë e madhe shtytëse për rritjen e kësaj forme tregtie, me normën e përbërë të rritjes vjetore që ka arritur në 81 për qind në pesë vitet e fundit, thuhet në librin e bardhë, ku theksohet se shkalla e tregut e këtyre platformave parashikohet të kalojë 1 trilion juanë në vitin 2025.

“Dada Group” po përshpejton paraqitjen në segmentin e shitjes me pakicë sipas kërkesës, si pjesë e përpjekjes për të fuqizuar zhvillimin e gjithanshëm dhe transformimin digjital të shitësve me pakicë me prani fizike.

Deri tani, “JD Daojia”, platforma e shitjes me pakicë sipas kërkesës së “Dada”, dhe “Shop Now” (Bli Tani), një shërbim dorëzimi njëorësh, i nisur bashkërisht nga “JD” dhe “Dada”, kanë një prani mbarëkombëtare në mbi 1700 qarqe dhe qytete me një mbulim shërbimi prej më shumë se 150.000 dyqane fizike me të gjitha kategoritë e produkteve.

“Dada” bëri të ditur se gjatë eventit të blerjeve në internet më 18 qershor, shitjet totale u rritën 77 për qind në bazë vjetore, ndërsa numri i përdoruesve që bënin porosi përmes “Shop Now”, një shërbim dorëzimi njëorësh, u rrit 400 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjiganti i tregtisë elektronike, “Alibaba Group Holding Ltd”, është përfshirë gjithashtu në linjën e shitjeve me pakicë sipas kërkesës përmes investimit në platformën e shpërndarjes së ushqimit “Ele.me”, zinxhirin e shitjeve me pakicë të ushqimeve “Freshippo” dhe “Taoxianda”, një platformë e porositjes së ushqimeve në internet.

“Për dyqanet fizike, shitja me pakicë sipas kërkesës e ka zgjeruar në masë të madhe fushën e bizneseve të tyre, ndërsa për pronarët e markave, shitja me pakicë sipas kërkesës ka ndërtuar një ekosistem digjital marketingu dhe funksionimi që lidh kanalet online dhe offline”, -tha Philip Kuai, themelues dhe CEO-ja i “Dada Group”.

He Huijian, zv.drejtor i “JD” dhe “Dada Group”, tha se thelbi i shitjes me pakicë qëndron në efikasitetin dhe përvojën, dhe shitja me pakicë sipas kërkesës pritet të rritet në një treg triliona dollarësh në tre deri në pesë vjet.

Ai tha se kompania do të vazhdojë të përmirësojë aftësitë për të ndihmuar partnerët të realizojnë përmirësimin digjital, të optimizojnë operacionet dhe të përmirësojnë efikasitetin. “Shitja me pakicë “on-demand” është bërë motori më i rëndësishëm i rritjes për shitësit dhe markat e ndryshme dhe do të nxisë në mënyrë efektive rritjen e industrisë së shitjes me pakicë në tërësi”, -shtoi ai.

“Ndërsa ekonomia pa kontakt lulëzoi në mes të pandemisë Covid-19, konsumatorët kinezë po përqafojnë gjithnjë e më shumë konsumin sipas kërkesës dhe po kalojnë në blerjet në internet”, -tha Mo Daiqing, një analist i lartë në Institutin e Ekonomisë së Internetit. Ai theksoi se kërkesa e shtuar për shitje me pakicë, e cila lidh shitësit me pakicë offline, pronarët e markave, logjistikën dhe shpërndarjen te konsumatorët, ka depërtuar në të gjitha aspektet e jetës së përditshme të njerëzve.

“Kina është një nga tregjet më të mëdha, me rritjen më të shpejtë dhe më konkurruese të konsumit në botë. Ne presim që shitja me pakicë sipas kërkesës të mbetet jashtëzakonisht e popullarizuar në të ardhmen e parashikueshme, sepse rrit përvojën e blerjeve të konsumatorëve dhe përshtatet me stilet e tyre moderne të jetesës”, -tha Zhu Xiaojing, president dhe CEO i “Walmart China”.