Provinca Guizhou po përqafon zhvillimin me cilësi të lartë, e orientuar në ekonominë digjitale dhe mbrojtjen e ekosistemit, pas arritjes së zbutjes së varfërisë, bëri të ditur Shen Yiqin, sekretarja e partisë e provincës Guizhou, në një konferencë shtypi në Guiyang.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sipas saj, rreth 9.23 milionë njerëz që jetojnë në provincë u nxorën nga varfëria deri në fund të vitit 2020, numri më i madh në vend.

“Guizhou i sotëm ka hequr etiketimin e varfërisë dhe ka realizuar një prosperitet të moderuar të përgjithshëm”,- tha ajo.

Midis viteve 2012 dhe 2021, PBB-ja e Guizhou u rrit nga 670 miliardë juanë (99 miliardë dollarë) në 1.96 trilionë juanë, duke përbërë 1.71 për qind të PBB-së kombëtare të vitit të kaluar.

Infrastruktura e dobët e transportit ka penguar zhvillimin e provincës së brendshme për vite me radhë, pasi Guizhou është e vetmja provincë në vend pa rrafshnalta.

Shen tha se në dekadën e fundit është bërë përparim i madh për zhvillimin e infrastrukturës në provincë.

Prej vitit 2012, kur kishte 2630 km autostradë, në vitin 2021 numëroheshin 8010 kilometra rrugë, duke u renditur i pesti në vend. Gati gjysma e 100 urave më të larta në botë janë në këtë provincë.

“Ndikimi që vjen me zhvillimin e infrastrukturës së transportit në Guizhou është i qëndrueshëm dhe i thellë”,- tha Li Bingjun, guvernator i Guizhou.

Është më e lehtë për njerëzit dhe ndërmarrjet të ndërveprojnë dhe të arrijnë nivelet e larta, duke u integruar në Brezin Ekonomik të lumit Yangtze, në Nismën “Një brez, një rrugë” dhe në Rrethin Ekonomik Chengdu-Chongqing.

“Gjatë periudhës së Planit të 13-të Pesëvjeçar (2016-2020), detyra jonë kryesore ishte zbutja e varfërisë. Duke hyrë në fazën e re të zhvillimit, theksi është zhvendosur te zhvillimi me cilësi të lartë duke pasur parasysh zhvillimin dhe mbrojtjen e ekosistemit”,- tha Shen.

Shkalla e rritjes së ekonomisë digjitale në Guizhou ka qenë më e larta në vend për shtatë vjet radhazi.

Guiyang, kryeqendra e provincës, ku gjiganti kinez i internetit “Tencent” dhe firma e teknologjisë “Huawei” ruajnë të dhënat e tyre të përdoruesve, po bëhet një nga mega qendrat e ruajtjes së të dhënave në botë.

Mikpritësja e “China International Big Data Industry Expo”, Guizhou do të zhvillojë më tej industrinë e informacionit elektronik duke u fokusuar në zhvillimin e një grupi industrial qendrash të të dhënave, terminaleve inteligjente dhe aplikacioneve të të dhënave, tha Li.

Me shumicën e vendeve të Trashëgimisë Natyrore Botërore të Kinës, Guizhou e di se zhvillimi duhet të bëhet pa penguar mjedisin dhe ekosistemin e tij.

“Ne refuzojmë çdo projekt biznesi që ka rreziqe të mundshme mjedisore në Guizhou”,- tha guvernatori Li.

Prej vitesh në Guizhou praktikohet një traditë mjedisore. Në ditën e parë të punës pas Festës së Pranverës, Vitit të Ri Kinez, zyrtarëve të partisë nga të gjitha nivelet u kërkohet të marrin pjesë në aktivitetet e mbjelljes së pemëve, tha Shen.

Falë përpjekjeve, mbulimi pyjor u rrit nga 47 për qind në mbi 62 për qind në Guizhou.