Zhvillimi i shpejtë i shtyn kompanitë në provincën jugore kineze të shikojnë përtej kufijve dhe të lënë shenjën e tyre globalisht.

Foto:VCG

Foto:VCG

Me inaugurimin e fabrikës së prodhimit në Shaoguan, në provincën veriore të Guangdong, kompania e teknologjisë së lartë “Skymen Group” synon të rrisë praninë e saj në tregun vendës dhe jashtë shtetit të pastrimit me ultratinguj.

“Ne do të përfitojmë nga teknologjitë tona kryesore për të zgjeruar aftësitë e kërkimit dhe zhvillimit dhe për të rritur kapacitetin e prodhimit”,- tha Yang Shan, drejtori i “Skymen”, me seli në Shenzhen, Guangdong.

Me një sipërfaqe të planifikuar ndërtimi prej më shumë se 21.000 metra katrorë dhe një investim prej 108 milionë juanë (16 milionë dollarë), fabrika e re, e cila filloi ndërtimin në fund të muajit të kaluar, do të bëhet jo vetëm një bazë prodhimi, por edhe një qendër kërkimi dhe zhvillimi për kompaninë.

Projekti do të përfshijë ndërtimin e një qendre kërkimore inxhinierike të pajisjeve mjekësore me ultratinguj, pajisjeve të prodhimit automatik dhe objekteve inteligjente të magazinimit. Sipas kompanisë, kur fabrika të përfundojë, ajo do të jetë në gjendje të prodhojë më shumë se 1 milion makineri pastrimi me ultratinguj në vit, me një vlerë prodhimi vjetor prej 300 milionë juanë.

“Projekti do të jetë një fillim i ri në historinë e zhvillimit të kompanisë”,- tha Yang.

“Kemi bërë përpjekje të mëdha për t'u transformuar nga një prodhues i vogël i pajisjeve të pastrimit në një kompani të teknologjisë së lartë në industrinë e pastrimit me ultratinguj”,- tha Yang.

Kur kompania u themelua në vitin 2007, ajo ishte vetëm një prodhues i vogël i pajisjeve të pastrimit i vendosur në Zonën Industriale Shajing të rrethit Bao'an në Shenzhen. Pas më shumë se 10 vjet zhvillimi, kompania është bërë një ndërmarrje kombëtare e teknologjisë së lartë, e specializuar në teknologjinë e pastrimit me ultratinguj në më shumë se 100 vende dhe rajone.

Gjatë dekadës së fundit, zgjerimi i biznesit të “Skymen” ka pasqyruar zhvillimin e Guangdong, i cili është transformuar nga një fabrikë botërore në një qendër teknologjike, me ndërmarrjet e shkencës dhe teknologjisë që luajnë një rol të rëndësishëm në përpjekjet e provincës për të krijuar një model të ri zhvillimi.

Nga të dhënat e Departamentit provincial të Shkencës dhe Teknologjisë, bëhet e ditur se numri i përgjithshëm i kompanive të teknologjisë së lartë në Guangdong tejkaloi shifrën 60.000 vitin e kaluar, duke u renditur e para në vend për të gjashtin vit radhazi.

“Ndërkohë, kanë bërë emër një sërë ndërmarrjesh udhëheqëse të shkencës dhe teknologjisë që janë konkurruese ndërkombëtarisht dhe shumë kompani teknologjike të forta dhe thelbësore në industritë në zhvillim janë bërë shtylla kurrizore e zhvillimit ekonomik me cilësi të lartë të provincës”,- tha Gong Guoping, drejtor i Departamentit të Shkencës dhe Teknologjisë në Guangdong.

Sipas tij, provinca ka bërë gjithashtu përpjekje për të forcuar zonat më pak të zhvilluara në fushën e kërkimit shkencor bazë dhe për të përshpejtuar kultivimin e industrive strategjike në zhvillim.

Në një fabrikë prodhimi të “Midea Group”, një gjigant kinez i pajisjeve shtëpiake me bazë në Foshan, Guangdong, linja robotësh industrialë kryejnë operacione, ndërsa dy teknikë monitorojnë punën në një ekran digjital.

“Midea”, e cila aktualisht zotëron katër fabrika të përfshira në “Global Lighthouse Network” të Forumit Ekonomik Botëror, gjatë dekadës së fundit është transformuar nga një kompani tradicionale e prodhimit të pajisjeve shtëpiake në një kompani standarde për produktet digjitale dhe novatore.

Kompania bëri të ditur se deri në fund të vitit të kaluar, të ardhurat vjetore të gjeneruara nga “Midea”, e cila filloi transformimin e saj digjital në 2011, ishin rritur 156 për qind dhe fitimi i saj neto ishte rritur 333 për qind.

Guangdong ka promovuar transformimin digjital të rreth 22.500 ndërmarrjeve të mëdha industriale, një numër që provinca shpreson të rritet në 50.000 deri në vitin 2025, sipas Departamentit Provincial të Guangdong të Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit.

Gjatë dekadës së fundit në Guangdong, shkenca dhe teknologjia kanë luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm në sektorin tradicional të prodhimit, por edhe në fusha të tjera, duke filluar nga transporti dhe logjistika te financat dhe shitja me pakicë.

Muajin e kaluar, nisi funksionimin një terminal plotësisht i automatizuar në Portin Nansha në Guangzhou, kryeqendra e Guangdong. Terminali, i cili kombinon shërbimet multimodale që lidhen me transportin detar, lumor dhe hekurudhor në Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao, u ndërtua nga ndërmarrje dhe institucione shkencore dhe teknologjike vendase dhe përfshin katër vende për ankorime prej 100.000 tonë. Ky është i pari i këtij lloji në këtë zonë.

Duke u integruar me teknologjitë e avancuara si navigimi “Beidou”, sistemet e komunikimit 5G, inteligjenca artificiale dhe automjetet autonome, terminali mund të ndihmojë në përmirësimin e xhiros vjetore të kontejnerëve të Portit Nansha për të tejkaluar 24 milionë njësi TEU, që është njësia e përdorur nga industria për të matur kapacitetin e ngarkesave të një anijeje ose një porti.

“Terminali do të ofrojë zgjidhje shembullore për përmirësimin e automatizimit dhe transformimin e terminaleve tradicionale në botë”,- tha Lionel Ni, president i Universitetit të Hong Kongut të Shkencës dhe Teknologjisë në Guangzhou.

Në sektorin e transportit, kompania kineze e automjeteve autonome “Pony.ai”, me seli në rrethin Nansha të Guangzhou, ka prezantuar shërbime robotaksi në zonën qendrore të distriktit që mbulon 300 kilometra katrorë.

“Me rritjen e vazhdueshme të kërkimit dhe zhvillimit shkencor e teknologjik, si dhe aplikimin e drejtimit autonom në vitet e fundit, ne nuk jemi më një ndjekës, por një lider global në aspektin e hapjes së politikave, zhvillimit teknologjik dhe pranimit nga përdoruesit në sektorin e makinave me vetëdrejtim”,- tha Mo Luyi, zv.drejtor i “Pony.ai”.

Përveç “Pony.ai”, një numër në rritje i ndërmarrjeve në Guangdong kanë marrë role udhëheqëse globalisht në sektorë të ndryshëm. Në dekadën e fundit, gjiganti i telefonisë celulare “Huawei” është zhvilluar me shpejtësi në fushën e komunikimit në rrjet dhe terminaleve inteligjente. E njëjta gjë mund të thuhet për prodhuesin e automjeteve “BYD” për automjetet elektrike dhe kompaninë e teknologjisë “DJI” për dronët civilë.