Formalizimi i fermerëve ka qenë gjithmonë një sfidë në fushën e bujqësisë dhe për qeverinë që ka si synim formalizimin e këtij sektori.

Fermer (Foto Tatime.gov.al)

Fermer (Foto Tatime.gov.al)

Sipas ekspertëve, një nga shkaqet që i mban fermerët larg formalizimit është frika nëse arrijnë fitimet e duhura dhe stepja për shkak të taksave që ata mendojnë se rëndojnë. Në një intervistë për mediat Esmeralda Ballesha, eksperte për bujqësinë shpjegon më tej shkaqet.

“Një nga problemet që fermerët nuk formalizohen është fakti i vlerësimit të tyre për një kosto afatgjatë. Ata mendojnë që mundet të mos ta përmbushin dhe duke e lidhur formalizimin me taksa, të cilat ata nuk i kanë i bën ata të frikësohen dhe të mendojnë se mundet të punojnë në mënyrë informale, ashtu sikurse mund të kenë punuar deri tani. Ndoshta kanë menduar që mund të kenë një avantazh sepse deri tani ata kanë pasur mundësi të shesin dhe në tregun e zi, pra mund të kenë shitur buzë rrugës, gjë që tani është e pamundur. Avantazhet që fermerët kanë që të formalizohen janë të shumëfishta dhe do t’i bëjë ata që të futen të operojnë në tregun formal dhe të marrin dhe nga benefitet si nga nafta falas, e cila është dhënë sivjet pas shumë kohësh që kërkohej nga fermerët. Kështu që, absolutisht formalizimi do të sillte vetëm aspekte pozitive për ta. “- shprehet Ballesha.

Esmeralda Ballesha (Foto UET)

Esmeralda Ballesha (Foto UET)

Në një intervistë televizive per A2CNN Ballesha flet për gjendjen e bujqësisë dhe masat që duhen marrë për të nxitur prodhimin vendas, veçanërisht në këtë periudhë të shtrenjtimit të imputeve bujqësore në tregjet ndërkombëtare.

“Faktikisht duket sikur bujqësia ndodhet në një ngërç, i cili është prej disa vitesh. Ndoshta sivjet duket pak më shumë për shkak të importit dhe krizës e cila tanimë është ndërkombëtare, por problemet e bujqësisë kanë filluar që vitin e kaluar, pasi nëse do të flasim për rritjen e çmimeve të imputeve bujqësore ato kanë qenë evidente dhe vitin e kaluar. Kjo ka qenë diçka e raportuar nga fermerët, por ne problemet i kemi dhe nga pjesa e madhe e informalitetit që ka në treg dhe jo orientimi i duhur për çfarë duhet të jenë ato produkte, të cilat duhet të prodhohen dhe mund të ketë më pas treg për t’i shitur.”- shprehet Ballesha.

Ekspertja vlerëson naftën pa taksa për fermerët si një ndihmë që lehtëson kostot e tyre të prodhimit, sidomos në kohën kur nafta është rritur ndjeshëm.

“Është një nevojë e jashtëzakonshme e fermerëve aktualisht sepse i ul shumë kostot e punës së tokës sepse ata mund të përdorin traktorët, por ndoshta pamundësia shpeshherë për të aplikuar për shkak se shumë prej tyre mund të jenë në zona të larta mund të ketë bërë që ata të mos kenë aplikuar në kohë për të përfituar këtë ndihmë të madhe. Sivjet avantazh për fermerët ka qenë dhe fakti që ata mund ta bënin aplikimin online, që ndoshta nuk kanë arritur ta bëjnë. Kështu që ndoshta Ministria e Bujqësisë me drejtoritë rajonale mund të ketë pika ose ekspertë, të cilët shkojnë nëpër zona që mund të jenë më të thella dhe të ndihmojnë fermerët për të bërë aplikimin online. Ata do t’i ndihmojë shumë sepse nafta është tani një nga kostot më të mëdha që ka fermeri. “- shprehet Ballesha.

Esmeralda Ballesha (Foto personale)

Esmeralda Ballesha (Foto personale)

Qeveria ofron skema të ndryshme mbështetje për fermerët, qoftë skemat kombëtare por edhe ato me fonde të huaja. Ekspertja vlerëson mundësitë, por ngre shqetësimin për vështirësitë në plotësimin e kritereve.

“Për fermerët janë më të aksesueshme skemat kombëtare sepse skemat IPARD janë pak më të vështira për t’u aksesuar veçanërisht për fermerët dhe kjo ndikon se fermerët tanë duke qenë jo të bashkuar e kanë shumë të vështirë që të aplikojnë nëpër skemat e IPARD sepse aty dokumentacionet dhe kushtet janë shumë më të larta. Ndërkohë që për skemat kombëtare kanë arritur që të përfitojnë vit pas viti, por shohim që vitet e fundit për shkak dhe të kostove të tjera që kanë fermerët e kanë pak të vështirë që të investojnë. Shpeshherë këto skema janë të orientuara vetëm në disa minisektorë, janë më të orientuar më së shumti për serat, ndërkohë që fermerët herë pas herë kanë kërkuar që të ketë një diversifikim më të lartë te skema për ta, të kenë të mundur që të investojnë në produkte të tjera në mënyrë të tillë për të eksploruar dhe tregjet të tjera për eksport.” – thekson Ballesha.