Foto:VCG

Foto:VCG

Në fund të korrikut u zhvillua në qytetin Qingdao të Kinës Veriore forumi i nivelit të lartë i bashkëpunimit ekonomik të Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) i vitit 2022. Në këtë forum u publikua Deklarata e Veprimit për Nxitjen e Zbatimit Cilësor të RCEP-it.

Në forum, zv.kryetari i Këshillit për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës (CCPIT), Zhang Shaogang, u shpreh që në gjashtëmujorin e parë të sivjetshëm, shumë ndërmarrje kineze që merren me tregtinë ndërkombëtare kanë pasur përfitime të plota nga zbatimi i RCEP-it, si tarifat favorizuese, thjeshtimi i zhdoganimit dhe lehtësimi i tregtisë dhe i investimeve.

Foto:VCG

Foto:VCG

Arritjet e dukshme tregojnë gjallërinë e RCEP-it

Ditët e fundit janë publikuar arritjet në kuadrin e RCEP-it për gjysmën e parë të vitit 2022, të cilat kanë treguar gjallërinë e fuqishme të kësaj marrëveshjeje.

Sipas të dhënave doganore, në gjashtëmujorin e parë import-eksporti i Kinës me vendet e RCEP-it shënoi rritje me 5.6 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme. Ndërmarrjet eksportuese kineze kanë aplikuar për 266 mijë certifikata ose deklarata për origjinën e mallrave në kuadër të RCEP-it, me një vlerë prej 97.9 miliardë juanësh, duke përfituar një ulje tarifash prej 710 milionë juanësh. Ndërkohë, për sa i përket importit në kornizën e RCEP-it, vlera e mallrave është 23.86 miliardë juanë, me 520 milionë juanë pakësim të tarifave doganore.

Me zbatimin prej gjashtë muajsh të marrëveshjes së RCEP-it, “rrethi i miqve” të vendeve anëtare është në zgjerim të pandërprerë. Në forumin e nivelit të lartë të bashkëpunimit ekonomik të RCEP-it për këtë vit, zv.kryetari i CCPIT-së, Zhang Shaogang, bëri të ditur: “Në gjashtë muajt e parë të vitit 2022 u janë dhënë 56.8 mijë certifikata për origjinën e mallrave mbi 10 mijë ndërmarrjeve, me një vlerë të përgjithshme 2 miliardë e 732 milionë dollarë amerikanë. Vlera e uljes ose heqjes së tarifave për mallrat kineze në vendet e RCEP-it arrin mbi 40 milionë dollarë”.

Sipas “Deklaratës së veprimit për nxitjen e zbatimit me cilësi të lartë të RCEP-it” të publikuar në këtë forum, do të krijohet komiteti kinez i Këshillit të Konsultimeve të Biznesit të RCEP-it, me synim që të nxitet më tej ndërtimi i mekanizmit të bashkëpunimit në fushën e biznesit në kuadër të RCEP-it.

Gjatë këtyre muajve, numri i vendeve anëtare të RCEP-it është shtuar nga 10 në 13, të cilat po nxisin aktivisht zbatimin konkret të kësaj marrëveshjeje. Kjo tregon dëshirën e përbashkët të palëve për thellimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, duke forcuar besimin e rajonit dhe të botës për mëkëmbjen ekonomike nga goditja e epidemisë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Zinxhiri i vlerës ka hapësirë rritjeje

Tani RCEP-i përbën 26 % të tregtisë në zinxhirin global të vlerës. Zv.drejtorja e Institutit të Studimeve Aziatike pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës, Yuan Bo, bëri të ditur që, nga ana industriale, rajoni i RCEP-it është bërë qendra e prodhimit global dhe statusi i tij po forcohet pandërprerë.

“Nga viti 2005 deri më 2020, përqindja e vlerës së shtuar të sektorit industrial të rajonit të RCEP-it është rritur nga 30 % në 43 %. Kjo do të thotë që 40 % e vlerës së shtuar industriale është krijuar në rajonin e RCEP-it,” u shpreh Yuan Bo. Ajo theksoi që, nga aspekti i zinxhirit global të furnizimit, RCEP-i po bëhet qendra globale e furnizimit dhe e blerjeve.

Yuan bëri të ditur që në vitin 2020, vëllimi i përgjithshëm i eksportit të vendeve të RCEP-it zuri 32 % të vëllimit të përgjithshëm të eksportit botëror, ndërsa importi 27 %.

“Po të shohim tregtinë e brendshme, eksporti brenda rajonit përbën afro 40 % dhe importi mbi 50 %. Këto shifra janë mbi nivelin e Zonës së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, por ende ka njëfarë hendeku me Bashkimin Europian,” thotë Yuan Bo. Sipas saj, kjo tregon që, edhe pse anëtarët e RCEP-it kanë krijuar lidhje të ngushta në zinxhirin industrial dhe atë të furnizimit, këto lidhje janë bazuar te pjesëmarrja e përbashkët në globalizim, kurse zinxhiri industrial dhe zinxhiri i furnizimit brenda rajonit ende kanë hapësirë për zhvillim të mëtejshëm.

Në raportin e Bankës Aziatike të Zhvillimit thuhet që gjatë pandemisë së COVID-19, Azi-Paqësori ka ruajtur lidhje të fuqishme tregtare brenda rajonit dhe vëllimi i tregtisë rajonale është rritur nga 57.5 % në vitin 2019 në 58.5 % më 2020, që përbën nivel rekord qysh nga viti 1990.

Në këtë raport vihet në dukje që sivjet vëllimi i tregtisë në rajonin e Azi-Paqësorit është rritur pak, çka ka ardhur për arsye të lidhjeve me tregun kinez. Gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19, roli i Kinës si një partnere kryesore tregtare e Azi-Paqësorit ka qenë në rritje të vazhdueshme. (Jiang Lei)