Nuk është e thjeshtë që të bësh biznes me art sidomos në Shqipëri.
Feridiola Berberi ka kryer studimet në Itali, por prej dy viteve ka zgjedhur të ushtrojë profesionin e saj në Shqipëri. Edhe pse ende nuk është kultura e duhur për të vlerësuar siç duhet pikturat, sërish ajo e sheh me pozitivitet të bërit biznes në vendlindje.
Punim i Feridiolës (Foto Facebook)
Feridiola rrëfen fillesat e profesionit të saj.
“Duke menduar që arti është diçka që fillon shumë shpejt, mua më ka filluar në moshën 6 vjeçare, aty është shfaqur për herë të parë kreativiteti dhe është kultivuar gjatë viteve. Unë kam jetuar në Itali dhe aty normalisht shkolla e artit është e mbivlerësuar, jo si në Shqipëri fatkeqësisht. Kam jetuar 25 vite në Itali dhe kam vazhduar Shkollën e Arteve nga e mesmja deri në të lartën. Të lartën e kam mbaruar për interior design, degë e arkitekturës. Një ditë fillova që të kisha dëshirën që të kthehesha në Shqipëri pasi mbarova shkollën dhe erdha e pashë si funksiononte tregu këtu. Ai ishte komplet ndryshe sepse arti në Itali është diçka e vlerësuar prej shumë viteve dhe në Shqipëri kishte mangësi shumë të mëdha. Për të filluar si interior designer ishte shumë e thjeshtë, por nuk ishte një nga qëllimet e mia sepse doja që t’i bashkoja të dyja shkollat dhe të arrija të krijoja një produkt më unik. Produkti që mungonte ishte piktura dhe bëra një lidhje të komplet rrugëtimit tim dhe ky rrugëtim arriti që të ishte shumë më efikas në Shqipëri se në Itali pikërisht, sepse tregu kishte këto mangësira. “- thotë Feridiola.
Feridiola Berberi gjatë punës (Foto personale)
Për Feridiolën nuk ka qënë i lehtë vendimi për t’u kthyer në atdhe pas investimit të gjatë në Itali.
“Hapat e parë ishin pak të vështirë sepse të marrësh një vendim të tillë pas 25 vite jetese në një vend është ndryshim shumë i madh, ndërkohë që dhe mentaliteti shqiptar i familjarëve ishte: “Si mund tani të kthehesh?! Kemi bërë shumë sakrifica, se ti ke qëndruar shumë vite andej. Të gjithë po ikin, pse kthehesh?” Ishin gjithmonë këto pyetje. Ndërkohë që mendoj se në çdo vend ku jeton ti ezauron diçka dhe Italinë unë e jetova, e përjetova, i bëra të gjithë hapat që duheshin dhe kisha nevojë për diçka të re. Kjo diçka e re filloi hap pas hapi, vija vetëm me porosi. I grumbulloja komplet punimet, fillova bashkëpunime me studio arkitekture dhe kërkesa arriti të ishte shumë e lartë. Nuk mund të rrija më në Itali sepse datat i kisha më të zëna. Këtu kam dy vite.”- shprehet Feridiola.
Gjithësesi projektet e vajzës së talentuar shqiptare vijojnë edhe përtej Shqipërisë.
“Pavarësisht se pandemia na krijoi disa probleme, sepse studio që kam në Itali vazhdon marrëdhëniet me Rusinë dhe me Ukrainën sepse ne aty punonim, kam qenë pjesë e Salone Del Mobile në Rusi, në Moskë në 2019. Projektet që ne morëm në ato momente, në 2020 në mars u ndërprenë vetëm për shkak të pandemisë. Kjo gjë ndaloi rreth 1 vit e gjysmë punën, por vazhdova në Shqipëri paralelisht.”tregon ajo.
Feridiola duke punuar (Foto personale)
Duke kombinuar arkitekturën me pikturën, Feridiola thotë se ja del të mbulojë shpenzimet e saj dhe të mbijetojë me këtë profesion. Çmimet e pikturave variojnë nga 100 mijë lekë e lart dhe kërkesat janë në rritje. Një pjesë të mirë të kërkesave e zënë edhe hotelet dhe resortet.
“Paraqisnim një format të ri pikturash, i cili ishte me reliev. Kjo ishte një gjë që ata nuk e kanë konceptin sepse Rusia ka mangësi shumë të madhe nga ana e artit dhe vdesin për goldin, për ngjyrën e arit, që të jetë 24 karatësh. Ne i mundësonim teknikat e lashta të Firences që ekzistojnë akoma sot. Artizanati në Itali ka këtë të mirë që çdo produkt mund ta bësh të mirë dhe teoria ishte që çdo apartamenti ne i ofronim një personalizim, qoftë nga ana e interierit me produktet Made in Iltaly, qoftë nga ana e pikturave që i bëja unë vetë. Shqipëria është një shtet në ndërtim komplet. Është diçka e re dhe qejfi për të bërë një shtëpi të re është shumë herë më i lartë sesa në Itali apo në Evropë. Njerëzit aktualisht kanë vlerën e arkitektit shumë të lirë këtu dhe duke patur metrin katror shumë të lirë arkitekti është i aksesueshëm në një pjesë shumë të madhe të popullsisë. Për këtë arsye unë bëra disa produkte. Unë krijoj piktura për galeri si artistike dhe piktura dekorative për ambjente e cila mund të mundësohet ose thjesht pikturë në tablo, ose direkt në mur. “- thekson Feridiola Berberi.
Punë e Feridiola Berberit (Foto Pinterest)
Feridiola ka projekte edhe me Dubain dhe pikturat e saj gjenden në shumë vende të botës. Nëse shumë të rinj zgjedhin të studiojnë dhe të largohen nga Shqipëria për të punuar jashtë, e kundërta ka ndodhur me vajzën nga Berati, e cila ka marrë formimin më të mirë në Itali dhe më pas ka zgjedhur të ushtrojë profesionin e saj në Shqipëri.