Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) eksperti Ersuin Shehu shpjegon arsyet e rënies së monedhës europiane dhe cilët janë disa nga sektorët që preken.

Ersuin Shehu ( Foto CMG)

Ersuin Shehu ( Foto CMG)

CMG: Përse ka ardhur ky zhvlerësim i kësaj monedhe?

Ersuin Shehu: Ka një sërë faktorësh. Jemi në kulmin e sezonit turistik dhe periudha e korrikut e gushtit koinçidojnë me shtimin e turistëve nga jashtë dhe ky shtim shoqërohet dhe me një rritje të flukseve valutore hyrëse për shkak të vendeve nga vijnë turistëve dhe tipareve që ka Shqipëria ku valuta kryesore është euro. Natyrisht rritja e ofertës së euros në tregun valutor ndikon në presione të shtuara nënçmuese për monedhën europiane, për shkak të ofertë-kërkesës. Në sezonin veror historikisht kemi zhvlerësim të euros, por këtë vit kjo rënie po merr përmasa më të mëdha se zakonisht.

Jemi në minimumet historike të të gjitha kohërave që prej viteve të para. Përtej efektit sezonal duhet thënë se këtë vit mund të ketë dhe disa faktorë të tjerë. Bilanci i pagesave në tremujorin e parë të këtij viti ka shënuar një përmirësim, bilanci shënon flukset valutore mes atyre që hyjnë dhe dalin nga vendi dhe ajo që ka ndodhur është që kemi një ngushtim shumë të ndjeshëm të defiçitit të llogarisë korente krahasuar me një vit më parë. Ky faktor ndikon në forcimin e lekut kundrejt euros, gjithashtu duhet theksuar se disa sektorë të ekonomisë janë rimëkëmbur me ritme të shpejta pas pandemisë, turizmi ka marrë shtrirje gjatë vitit, tursitët shtohen dhe flukset valutore rriten.

CMG: Aktualisht jemi në një minimum historik. Sa ndikoi pandemia në këtë rënie të monedhës euro?

Ersuin Shehu: Po patjetër, diferencat gjatë pandemisë kanë luajtur një rol, sepse ajo çka ndodhi gjatë saj me mbyljen e ekonomisë, më pak turistë dhe këmbime valutore. Pasi kufizimet nisën të tejkaloheshin dhe kthimi në realitet besoj që luajti një rol të ndjeshëm. Po të shohim këto pesë muaj ka kaluar edhe nivelet e viti 2019, kështu që ky ndryshim është i ndjeshëm dhe ka pasur një ndikim të konsiderueshëm kryesisht në kursin e euros.

Euro (Foto monitor.al)

Euro (Foto monitor.al)

CMG: A ndodh kjo situatë vetëm në sezoni turistik dhe jo gjatë pjesës tjetër të vitit?

Ersuin Shehu: Ka pasur një tendencë mbiçmim të lekut ndaj euros më herët, sezoni turistik shënon gjithmonë rënie të euros, por këtë vit tendencat e zhvlerësimit të euros kanë qenë mjaft të dukshme. Nga fundi i vitit të kaluar ishte një rritje e ndjeshme e çmimeve dhe mallrave të importit. Pritshmëria ishte të kishim zhvlerësim të lekut, por janë faktorët e tjerë turizmi, remitancat, fasoneria që e kanë balancuar këtë treg. Pa harruar edhe prurjet nga ekonomia informale, agjentët shprehen që ka por nuk mund të kemi një matje fikse.

CMG: Nuk kemi një matje fikse, por si ka ndikuar kjo situatë në ekonominë e vendit tonë në tërësi?

Ersuin Shehu: Në tërësi duhet thënë që faktori më i rëndësishëm është se ekonomia jonë po përballet me nivelet më të larta të inflacionit në 20 vjet. Faktor ka qenë shtrenjtimi i lëndëve të para dhe është përcjellë në rritjen e produkteve ushqimore. Në një situatë të tillë mbiçmimi i monedhës vendase sidomos kundrejt euros luan një rol pozitiv, sepse e amortizon pjesërisht inflacionin që ne importojmë nga jashtë. Ajo që ka ndodhur është se forcimi i lekut kundrejt euros në njëfarëmënyrë e ka zbutur rritjen e çmimeve në ekonominë shqiptare.

Në mungesë të mbiçmimit të lekut ndaj euros, me siguri inflacioni do të kishte qenë në nivele më të larta. Pozitat e forta të lekut në kursin e këmbimit valutor mund të vlerësohen si një nga ata faktorë që ka ndikuar që Shqipëria të ketë inflacion më të ulët se vendet e BE. Lëvizjet në kursin e këmbimit kanë edhe fitues, por dhe humbës.

CMG: Cilët janë ata sektorë që përfitojnë nga kjo situatë e zhvlerësimit të monedhës europiane?

Erusin Shehu: Ata që përfitojnë janë importuesit, nëse monedha vendase mbi çmohet rrjedhimisht në kushtet e një tregu konkurrues përfitojnë, sepse kjo i përthith presionet inflacioniste që vijnë nga jashtë. Përfitues është një subjekt që ka kredi në monedhën euro, por të ardhurat e veta i ka në lekë. Ajo që ndodh është se kur vjen dita e kredisë eurot që të duhen i blen me çmim pak më të ulët. Nga ana tjetër ka humbës ku kryesorët janë importuesit, sepse ata i shesin produktet e tyre në valutë të huaj kur shpenzimet i kanë në lek, por një shembull janë fasoneritë. Nëse arkëton 1 milionë euro, dikur euro shkëmbehej me 125 lek sot me 117 pra një e ardhur më e pakët. Për sektorët eksportues ka një impakt negativ, duke qenë se ekonomia shqiptare ka një bilanc negativ në kuadër të përgjithshëm ne më tepër fitojm se humbasim nga ky zhvlerësim. Kështu që nëse do të vendosim në balancë këta faktorë jemi më shumë të fituar. Subjekte të tjera që ndoshta humbasin nga nënçmimi i euros janë ata që kanë depozita bankare në euro. Në raport me shpenzimet e konsumit që përgjithësisht janë në lek, normalisht ata individë që i mbajnë kursimet në euro ka shpenzim në raport me shpenzimet konsumatore. Kjo është sepse për sa kohë ti i ke kursyer ato para për të blerë shtëpi nuk është se ke humbje nga kursi i këmbimit, sepse prap e blen në euro. Ata individë që kanë kursimet në euro janë pjesërisht të humbur në këtë situatë.

Leku Shqiptar (Foto gazeta telegraf)

Leku Shqiptar (Foto gazeta telegraf)

CMG: Që nga fillimi i vitit kemi një zhvlerësim me 2.8 lekë, çfarë pritet të ndodhë në vijim?

Ersuin Shehu: Duke qenë se jemi ende në pikun e sezonit veror pritshmëritë janë ende në afatin e shkurtër për një mbiçmim të mëtejshëm të lekut. Besoj se edhe për korrikun dhe gushtin gjasat janë që të vazhdojë kjo lloj tendece rënëse e euros në kursin e këmbimit me lekun. Përgjithësisht nievli më i ulët arihet në fundin e korrikut dhe fillimin e gushtit, pra kjo do jetë peridudha që do shohim nivelet më të ulta. Pas përfundimit të sezonit veror duhen parë cilat do jenë raportet fondamentale të kërkesës dhe ofertës që përcaktojnë kursin e këmbimit. Pra dhe gjatë sezonit mund të shënoj dhe rekorde të reja në rënie, ajo që duket është se leku është në pozita relativisht të forta.