Bizneset e huaja kanë reaguar rreth Projektligjit “Për amnistinë fiskale dhe penale të subjekteve që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive”, duke shprehur shqetësimin për një hap të nxituar. Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri nëpëmjet një deklarate për mediat shpreh shqetësimin e saj mbi këtë projekligj, që ka hyrë në fazën e konsultimit publik, në një moment sensitiv të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Euro (Foto exit.al)

Euro (Foto exit.al)

“Vlerësimi jonë është se projektligji nuk ofron garanci të mjaftueshme që individët e implikuar në veprimtari kriminale do të përjashtohen nga amnistia. Nëse miratohet, legjislacioni do të minonte përpjekjet për të përmirësuar klimën e biznesit dhe investimeve, duke shpërblyer konkurrencën e pandershme. Ne gjithashtu vlerësojmë se pozita e Shqipërisë në programet ndërkombëtare të monitorimit mbi pastrimin e parave do të rrezikohej dhe si rrjedhojë reputacioni i vendit do të dobësohej.” – thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Më tej në arsyetimin e Dhomës Amerikane thuhet se dispozitat e këtij projektligji nuk ofrojnë garanci që individë me aktivitete kriminale serioze si droga, trafiku i qënieve njerëzore, pastrimi i parave janë të përjashtuar nga amnistia.

“Zbatimi i amnistisë do të sjellë konkurrencë të pandershme, duke favorizuar individë me aktivitete të shkuara të paligjshme, nëpërmjet tre situatave të ndryshme: Shmangia e pasojave të sistemit gjyqësor; Investimi i fondeve nëpërmjet kanaleve jo të ligjshme në ekonominë formale; Pagesa e një norme tatimore më të ulët (5-10%) në krahasim me ato të përfshira në aktivitete të ligjshme, e cila aktualisht qëndron në një normë totale 32%. Për rrjedhojë, këto situata do të ulin pajtueshmërinë tatimore në Shqipëri në të ardhmen. Pozicioni i Shqipërisë në programet e monitorimit ndërkombëtar mbi parandalimin dhe pastrimin e parave do të përkeqësohet. Duke qenë se Shqipëria ndodhet në listën gri të pastrimit dhe parandalimit të parave nga Moneyval, zbatimi i kësaj amnistie në këto momente kur Shqipëria ende po punon për rritjen dhe forcimin e strukturave monitoruese do të sjellë një stuhi të ekonomisë informale. “- thuhet në reagim.

Shqetësimi kryesor sipas bizneseve anëtare të dhomës amerikane të tregtisë është se miratimi i këtij projektligji do të rrezikonte pozitën zyrtare të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke rrezikuar procesin e anëtarësimit në BE.

“Nëse ky draft nuk merr mbështetjen publike të partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë garanci publike nga organizatat monitoruese si Moneyval, FMN etj, Dhoma gjykon se kjo iniciativë do të jetë një hap në drejtim të gabuar, gjë që do të dëmtonte reputacionin e vendit për të bërë biznes me partnerët ndërkombëtarë dhe do të ulte mundësinë për të tërhequr investime të huaja në vend. Si konkluzion, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri shprehet se rreziqet e projektligjit të ri tejkalojnë ndjeshëm përfitimet e tij dhe rekomandon tërheqjen e kësaj nisme. “

Reagim ka patur edhe nga DIHA (Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri), e cila e vlerëson shumë përpjekjen dhe vullnetin e Qeverisë Shqiptare për reduktimin e ekonomisë informale nëpërmjet legalizimit të mjeteve monetare dhe aseteve, që mundëson ky ligj. Por sipas DIHA-s, ky ligj duhet të ishte pjesë e një pakete ligjore gjithëpërfshirëse, e cila do të synonte efikasitetin dhe modernizimin e administratës tatimore me qëllim reduktimin e evazionit fiskal.

“Këto masa jo vetëm do të rritnin të ardhurat në buxhetin e shtetit, por njëkohësit do të nxitnin konkurrencën në tregun shqiptar. Aprovimi i këtij ligji të vetëm do të realizonte disa të ardhura të shpejta në buxhetin e shtetit në terma afatshkurtër, por në terma afatgjata do të sillte gjithashtu me vete efekte negative, si nxitja e bizneseve formale për të kaluar nëinformalitet me shpresën e një amnistie të dytë fiskale. Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është “Tatimi i posaçëm” në nenin 16 të Projektligjit. Një tatim kaq i ulët(5%, 7% dhe 10%) për formalizimin e parave dhe aseteve të pa deklaruara, jo vetëm që është i pa drejtë kundrejt bizneseve që kanë paguar detyrimet e tyre në kohën e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi me një përqindje shumë herë më të lartë, por njëkohësisht do të nxisë informalitetin në të ardhmen.”- theksohet nga DIHA.

Por deputetja e PS dhe ish-ministre e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj thotë në një intervistë për Top News se nevoja për amnisti erdhi nga konsultimi public i bërë në fillim të vitit.

Deputetja socialiste Anila Denaj (Foto Balkan News)

Deputetja socialiste Anila Denaj (Foto Balkan News)

“Debateve nuk do t’i shmangemi dhe aq më tepër kur nevoja për amnisti erdhi nga konsultimi public i bërë në fillim të vitit. Vjen sigurisht nga diskutime të mëparshme të projekt-ligjit që Ministria e Financave ka depozituar, mos gaboj para 1 viti e gjysmë dhe aty sigurisht mund të ketë përmirësime në këtë projekt-ligj për të sjellë debate më të ulëta për vizën që ndan ata që janë përfituesit kryesor të amnistisë.”, tha Denaj.

Denaj ndalet tek synimet e kesaj amnistie.

“Për objektivin e amnistisë unë nuk besoj që ka vend për të folur. Objektivi i amnistisë është të rehabilitojë kapitalin e bizneseve që në 30 vite mundet të kenë shmangur tatimin, por nuk e kanë bërë këtë duke marrë të ardhura nga aktivitete të jashtligjshme, apo subjekt i veprave penale apo të pastrimit të parave dhe kjo është shumë e rëndësishme. Në draft ligjin që kemi pasur, kemi pasur një nen, nenin 6 që përjashtonte kategorisht këta individë sikurse përjashtonte dhe pushtetarët që nga vitet ‘90 dhe deri në ditën e sotme dhe familjarët e tyre pasi diskutimi mund të ishte, paragjykimi mund të ishte që dhe këta e përdornin për këtë gjë. Megjithatë do të thosha që në këtë draftligj të ri nevoja është për të parë sesi, jo qëllimi sepse e kemi diskutuar dhe në vetvete është për të ndihmuar bizneset dhe individët që kanë punuar me të ardhura tëpastra, për t’i rehabilituar ato, e rëndësishme është sesi ky projekt-ligj tani që po bëhet konsultimi publik, e bën këtë vijën ndarëse më të qartë dhe më të qetë për zbatim, se i vetmi shqetësim është zbatimi. Është në konsultim publik. Para 1 jave ka dalë edhe në faqen zyrtare. Besoj që do të jetë pjesë e diskutimeve për gjatë gjithë këtij muaji dhe në parlament mund të vijë nëse nuk gaboj nëse arrin këtë muaj mund të ndodhë, por duhet të jetë në shtator besoj.”- thotë Denaj.

Por me deputeten Denaj nuk ndan të njejtin qëndrim deputetja demokrate Jorida Tabaku, e cila shprehet kundër kësaj nisme.

Deputetja e PD Jorida Tabaku(Foto Argumentum.al)

Deputetja e PD Jorida Tabaku(Foto Argumentum.al)

“Shqetësimi i parë me këtë ligj lidhet sigurisht me pastrimin e parave, që është kthyer në një problem si rezultat i përfshirjes në listën gri të Shqipërisë, por edhe si rezultat i rrezikut të pastrimit të parave nga ndërtimi, nga lojërat e fatit dhe nga turizmi janë kthyer në problematikë për pjesën më të madhe të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë, të gjithë kontakteve tona ndërkombëtare. FMN-ja ka lëshuar një deklaratë, e cila e kundërshton fuqimisht amnistinë fiskale, bazuar mbi çeshtjen e pastrimit të parave, por edhe faktin që një amnisti fiskale sot do të dekuraojë të gjithë pagesat e ardhshme në taksa te të gjithë qytetarët duke menduar që do të ketë edhe në të ardhmen amisti fiskale për pagesa më të ulëta në taksa. E dyta, prish barazinë para ligjit, një barazi e cila është vendosur me shumë vështirësi dhe qytetarët që kanë paguar taksa të rritura, bizneset që kanë paguar taksa të rritura, që edhe janë mbyllur në mënyrë të padrejtë, sot do të jenë përballë këtij kapitali, i cili sigurisht ka burime të cilat nuk dihet nga vijnë.”-thotë Tabaku.

Më tej deputetja demokrate Tabaku shton shqetësimet për projektligjin.

“E treta, asnjë qytetar shqiptar që ka emigruar, që ndodhet jashtë Shqipërisë, nuk ka 2 milion euro të fshehura, të padeklaruara. Ky është sigurisht kapital i vendosur ose nga asete kriminale, ose nga asetet të korrupsionit, të cilët krijojnë një problem jashtëzakonisht të madh përsa i përket cështjeve të korrupsionit dhe pastrimit të parave nga pikpamja e përmbushjes së kritereve në procesin e integrimit, por njëkohësisht edhe nga pikpamja e plotësimit të parakushteve ku plotësimi i parave është një nga elementët kryesore. E fundit, shqetësimi kryesor që unë kam ngritur është që ky ligj doli për konsultim publik mesditën e 23 qershorit kur Shqipëria fatkeqësisht nuk pati mundësi që të avancojë në procesin e integrimit. Të gjitha këto shqetësime së bashku e bëjnë ligjin shumë problematik, por njëkohësisht e bëjnë ligjin të cënueshëm duke pasur parasysh faktin që i hapim rrugë një kapitali jolegal, joligjor për të hyrë në Shqipëri.”, tha ajo

Nëse draft ligji miratohet, të gjitha pasuritë e padeklaruara para apo pasuri të paluajtshme do të mund të deklarohen, pas hyrjes në fuqi të amnistisë fiskale. Drafti i ri për amnistinë fiskale dhe penale për deklarimin vullnetar të pasurisë është hedhur për konsultim, dhe nga i cili do të përfitojnë emigrantët, rezidentët, bizneset dhe shtetasit e huaj që janë tatimpagues në Shqipëri. Nuk do të përfitojnë zyrtarët, politikanët, personat me precedentë penale, të dënuarit etj.