Zona e Golemit është mjaft e preferuar nga pushuesit vendas, ata të Kosovës, por edhe të vendeve të ndryshme të botës. Së fundmi në këtë zonë bregdetare është ndërtuar një hotel i standardeve moderne, që i përgjigjet kërkesës së vizitorëve gjithnjë e në rritje.

Sipërmarrësi Edmond Dragoti (Foto personale)

Sipërmarrësi Edmond Dragoti (Foto personale)

Në një intervistë per mediat njihemi me historinë interesante të sipërmarrësit Edmond Dragoti, i cili prej më shumë se 18 viteve ka ndërtuar objekte të ndryshme për të tjerët dhe nga muaji maj ka nisur të shërbejë vetë në sektorin e turizmit.

Ai tregon edhe për turizmin në zonën e Golemit vite më parë.

Për ne është hera e parë që ndërtojmë një hotel kaq të madh. Ne kemi emigruar shumë të vegjël, në moshën 18 vjeçare dhe kemi emigruar në një vend turistik, në Greqi. Duke parë për një kohë shumë të gjatë 15 vjecare zhvillimin si ecën turizmi jashtë shtetit, u kthyem në vitin 2004 në Shqipëri, kur nuk flitej fare për turizmin. Turizmi këtu ishte me dhoma primitive, ishte diçka ndryshe dhe ne nuk zgjodhëm turizmin në atë kohë, zgjodhëm fushën e ndërtimit dhe filluam të merreshim me aktivitetin e ndërtimit për një kohë shumë të gjatë, për një kohë 18 vjeçare. Duke parë rritjen e kërkesës për hoteleri, duke ndërtuar shumë hotele në zonë, lindi dhe ideja pse mos ta kem dhe unë, ta provoj të kem dhe unë një hotel duke marrë vendimin para 3 vitesh, në 2019, bëmë projektin e Delight Hotel. “- tha Dragoti

Hoteli Delight (Foto private)

Hoteli Delight (Foto private)

Duket se periudha e ndërtimit nuk ka përkuar me kohën me të mirë pasi vendi u trondit nga tërmeti 26 nëntorit, por kjo nuk e ka bërë pesimist sipërmarrësin që ka dhënë prova në sektorin e ndërtimit.

Në nëntor të 2019-tës kemi hedhur bazat e Delight, 10 ditë para tërmetit dhe kjo nuk na bëri pesimistë, na bëri shumë optimistë. Duke na zënë tërmeti në fillim të ndërtimeve të para dhe duke ndërtuar shumë objekte në këtë zonë ku të gjitha objektet që kisha ndërtuara unë, asnjëri nuk pati dëmtime, unë isha tepër i sigurtë dhe i bindur që do ta çoja këtë projekt përpara. Duke ecur me vite, investimi duke ardhur dalëngadalë jo i menjëhershëm, sipas mundësive që kishim dhe në gusht të 2021 marrim vendimin që të përshpejtojmë punimet në këtë hotel që sezoni turistik i 2022-shit të na gjejë çdo gjë gati. Arritëm në një pikë që ky hotel që nga maji i ka dyert e hapura për sezonin turistik 2022.”-shprehet Dragoti

Duket se ndërtimi i hotelit në një zonë kaq të populluar nga vizitorët ka qënë investimi i duhur dhe këtë e tregojnë edhe flukset e vizitorëve.

Ne e kemi për herë të parë këtë dhe i besoj tregut shqiptar të Maqedonisë, shqiptarët e Kosovës. Gjithashtu kemi filluar tani me një kontratë me një agjenci me tregun e Polonisë, me një kompani të huaj që i kemi dhënë gati 40% të kapacitetit të hotelit dhe 60% të kapacitetit të hotelit dua që të frekuentohet nga shqiptarët. Gjithashtu kemi pasur klientë të vecantë nga Gjermania dhe nga Serbia. Pushuesit për momentin 90% janë nga Polonia, 10% janë shqiptarë. Ne kemi gati 1 muaj që kemi hapur hotelin dhe në këtë 1 muaj nuk e prisnim të kishim gjithë këta turistë që kanë ardhur këtu dhe për këtë jemi shumë të kënaqur. Unë besoj që sezoni do të jetë shumë i mbarë, sipas të dhënave, sipas telefonatave, sipas përshkrimeve që bëhen.”-shton investitori.

Pamje nga plazhi i Golemit(Foto booking.com)

Pamje nga plazhi i Golemit(Foto booking.com)

Për ata që kërkojnë të vijnë në Golem sipërmarrësi Dragoti tregon edhe detaje të objektit më të ri.

Kemi ofruar hapësira të bollshme, dhoma akomoduese me përmasa evropiane, cilësinë në shërbim dhe kemi arritur të plotësojmë disa kritere bazë të një hoteli duke filluar nga ndërtimi i tij, kushtet teknike, sistemet e alarmit, sistemet e zjarrit, mënyra e shpërndarjes së turistëve nëpër dhoma dhe duke plotësuar të gjitha kushtet.”, shprehet ai.

Plazhi i Golemit ka rërë të pastër e cila, së bashku me gjelbërimin e përhershëm të pishave dhe kaltërsinë e detit, krijon një harmoni trengjyrëshe mjaft tërheqëse e shlodhëse për pushuesit. Rrjeti hotelier në këtë zonë operon edhe me paketa All Inclusive. Ky shërbim nisi të zhvillohej gradualisht me ardhjen e turizmit të organizuar, kryesisht kërkuar nga turistët polakë.