“Microsoft” po shton përpjekjet për të hyrë në tregun në rritje kinez të shërbimeve kompjuterike “cloud”, ndërsa firma teknologjike me bazë në Shtetet e Bashkuara ka planifikuar të zbulojë aftësi të reja hibride të këtyre shërbimeve në Kinë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në këto shërbime kompjuterike, “Cloud”-i publik shpërndahet përmes internetit dhe ndahet nëpër kompani, ndërsa ai privat i dedikohet vetëm një kompanie. Ndërkohë, teknologjia hibride është një zgjidhje që përdor “Cloud”-in publik dhe atë privat.

Lëvizja e re hibride e “Microsoft”-it vjen pasi kompania solli një qendër të re të të dhënave në internet në Kinë në mars, që do të thotë se kapaciteti i saj i teknologjisë “cloud” në vend është rritur 12 herë që nga viti 2014.

Li Ming, drejtuesi i strategjisë “Azure China” dhe drejtor i marketingut të produkteve në “Microsoft”, tha se kompania është e përkushtuar për të përdorur teknologjitë e saj digjitale për të ndihmuar që kompanitë shumëkombëshe të vijnë në Kinë dhe në të njëjtën kohë kompanitë kineze të bëhen globale, duke nxitur strategjitë e tyre të transformimit digjital.

Sipas “Microsoft”, aftësitë e tij të reja hibride të shërbimeve “cloud” bazohen pjesërisht në shërbimet ekzistuese, si “Azure Arc” - një komponent i rëndësishëm i strategjisë hibride “cloud” të “Microsoft”-it.

I prezantuar në vitin 2019, shërbimi u mundëson administratorëve të menaxhojnë serverët përmes së njëjtës ndërfaqe që ata përdorin për të orkestruar burimet e infrastrukturës në “cloud”-in publik të “Microsoft”. Për administratorët, kryerja e detyrave të mirëmbajtjes së infrastrukturës në një ndërfaqe të vetme të centralizuar mund të jetë më efikase sesa qasja tradicionale e përdorimit të mjeteve të shumta.

Chris Tao, udhëheqës i grupit të biznesit “Azure” në “Microsoft China”, tha se tregu i shërbimeve hibride “cloud” në Kinë ka mbajtur një trajektore të fuqishme dhe të shpejtë zhvillimi. Tao tha se popullariteti i tyre ka qenë gjithmonë një tipar i rëndësishëm në tregun kinez, i cili është mjaft i ndryshëm nga tregjet e tjera. Shumica e rajoneve të tjera anembanë botës dominohen nga shërbim publik “cloud” dhe vetëm plotësohen nga ai privat, por konsensusi që “Microsoft” ka parë në tregun kinez është se qeveria, industritë e ndërmarrjeve, klientët e korporatave dhe kompanitë e huaja janë të gjitha shumë të interesuara për strategjinë hibride, tha Tao.

Për të përmbushur më mirë kërkesën lokale, “Microsoft” po sjell më shumë teknologji hibride “cloud” në Kinë. Kjo është pjesë e angazhimit më të gjerë dhe afatgjatë të kompanisë amerikane ndaj tregut kinez. Duke qenë aty për 30 vjet, “Microsoft” synon të kalojë më mirë valën e ardhshme të zhvillimit digjital të vendit.

Joe Bao, president i “Microsoft China”, tha në një intervistë me “China Daily” në fillim të këtij viti se qendra e re e të dhënave e “Microsoft”-it në Kinën e Veriut, është më e madhja në tregun kinez deri më tani.

Aktualisht, rreth 40 për qind e biznesit të shërbimit “cloud” të “Microsoft”-it në Kinë realizohet nga kompanitë shumëkombëshe për të ngritur operacionet e tyre në vend, 40 për qind nga ndihma e kompanive kineze që të bëhen globale dhe rreth 20 për qind nga ofrimi i ekspertizës specifike brenda Kinës, tha Bao.

Ai tha se “Microsoft” tani ka qindra mijëra zhvillues, partnerë dhe klientë në tregun e Kinës dhe biznesi i tij lokal i shërbimit “cloud” ka tejkaluar performancën mesatare të industrisë dhe objektivat e saj të brendshme.

Foto:VCG

Foto:VCG

"Ne po shohim mesatarisht mbi 50 për qind rritje nga viti në vit në fusha të tilla si ndihma e kompanive shumëkombëshe që të operojnë në Kinë",- shtoi Bao.

Mes transformimit të përshpejtuar digjital në ekonominë e dytë më të madhe në botë, “Microsoft” po i jep përparësi zgjidhjeve lokale për automobilat, kujdesin shëndetësor, shitjen me pakicë, prodhimin dhe zhvillimin me karbon të ulët, tha ekzekutivi i lartë.

Firma kërkimore e tregut, “Canalys”, tha se “Microsoft” mbajti 21 për qind të tregut në shpenzimet globale të shërbimeve të infrastrukturës “cloud” në tremujorin e parë, duke e bërë atë ofruesin e dytë më të madh të shërbimeve “cloud” pas “Amazon Web Services”.

“"Cloud” vazhdon të jetë një treg i nxehtë dhe strategjitë e transformimit po theksojnë elasticitetin digjital për t'u përballur me sfidat e tregut të së sotmes dhe të nesërmes",- tha Blake Murray, analist kërkimor në “Canalys”. "Për të qenë efektivë, klientët po u drejtohen partnerëve me aftësi teknike dhe këshilluese për t'i ndihmuar ata të përqafojnë në mënyrë efektive shërbimet “cloud”".

Në tremujorin e parë, Kina vazhdoi të jetë tregu kryesor në rritje për shpenzimet e shërbimeve të infrastrukturës “cloud”. Shpenzime të tilla në territorin kinez arritën në 7.3 miliardë dollarë në tre muajt e parë, 21 për qind më shumë se një vit më parë dhe përbënin 13 për qind të totalit global, sipas “Canalys”.

Charlie Dai, analist kryesor në “Forrester”, një kompani konsulence biznesi, tha se si shitësi i parë global që komercializoi operacionet e tij publike “cloud” në Kinë, “Microsoft Azure” ka fituar besimin e ndërmarrjeve dhe ka vazhduar zgjerimin e biznesit lokal nëpërmjet lokalizimit progresiv të shërbimeve të tij.

Partneritetet strategjike lokale që “Microsoft Azure” ka krijuar me pozicionin e saj udhëheqës në tregun global të shërbimit publik “cloud” gjithashtu ndihmojnë në nxitjen e rritjes së shpejtë të saj në Kinë, shtoi Dai.

Por ekzistojnë gjithashtu sfida, duke përfshirë konkurrencën e ashpër nga lojtarë të tillë si “Alibaba Group Holding Ltd”, “Tencent Holdings Ltd” dhe “Huawei Technologies Co”.

"Konkurrenca e shëndetshme na bën të gjithëve më të mirë. Avantazhi unik i “Microsoft” qëndron në gjurmën tonë globale, duke përfshirë më shumë se 200 qendra fizike të të dhënave në 34 tregje, inovacionin teknologjik, si dhe angazhimet tona për sigurinë dhe pajtueshmërinë",- shtoi Bao.