Ekonomia shqiptare po performon pozitivisht dhe treguesit ekonomikë janë optimistë sipas përfaqësuesve të qeverisë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, në raportimin periodik tha se numri i bizneseve të reja ka ardhur në rritje.

“Shifrat e GDP-së ende nuk kanë dalë për tremujorin e parë të vitit e megjithatë ne me shumë kujdes kemi analizuar të gjithë ecurinë e treguesve kryesorë ekonomikë për këtë periudhë. Periudha e parë e vitit, e katërmujorit, është karakterizuar nga norma të shtuara të inflacionit, me një ecuri të kënaqshme e treguesve të importeve dhe të eksporteve, pra të tregtisë. Ka pasur një përmirësim në treguesit e tregut të punës. Ka pasur një ecuri të mirë të aktivitetit të bizneseve dhe ka patur norma të stabilizuara të kursit të këmbimit. “- tha Ibrahimaj.

New business (cubimo)

New business (cubimo)

Duke komentuar qëndrimet më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ministrja thotë se iqëndron parashikimit të bërë më herët për rritjen ekonomike në Shqipëri.

“Të gjithë këto elementë janë realizuar me kujdes gjatë gjithë javës së kaluar në prezencë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku në përfundim të vizitës së tij ka arritur në rezultatin e rishikimit të parashikimit të rritjes së ekonomisë shqiptare në nivelin 3% nga 2%, që ishte parashikimi i raundit të mëpardhëm. Ministria e Financave dhe Ekonomisë qëndron në të njëjtët linjë të parashikimit të ecurisë ekonomike. Ne për vitin 2022 kemi parashikuar një rritje prej 3.2% bazuar në treguesit e deritanishëm.”- thotë ministrja.

Ecuria e çmimeve po monitorohet dhe sipas anlizave të bëra sinjalet janë për ngadalësim të rritjes së çmimeve në vijim.

“Më në detaj inflacioni për katërmujorin e parë të vitit ka patur një normë mesatare rritjeje me 4.9%, ndërsa në muajin prill inflacioni rezultoi në 6.2%. Nëse do t’i referohemi shifrave të rritjes mujore të inflacionit mujor, pra diferencës ndërmjet inflacionit në muajin mars dhe inflacionit në muajin prill ne kemi pasur një reduktim të ritmit të rritjes së inflacionit. Në muajin mars inflacioni mujor ishte rritur me 3.9%, ndërkohë që në muajin prill rritja është për produktet ushqimore me 1.1%. pra, kemi një ngadalësim të ritmit të rritjes së çmimeve që jep një sinjal pozitiv përsa i përket pritshmërive për inflacionin në vitin dhe urojmë që të vazhdojë në këtë drejtim.”- shprehet Ibrahimaj në raportimin për mediat.

Ministrja Delina ibrahimaj (Foto Ministria e financave )

Ministrja Delina ibrahimaj (Foto Ministria e financave )

Ministrja Ibrahimaj nuk la pa përmendur edhe krahasimin e inflacionit me vendet e rajonit.

“Përsa i përket krahasimit të inflacionit me vendet e rajonit, Shqipëria vazhdon të mbetet vendi me normat e inflacionit më të ulëta. Siç paraqitet dhe në grafik, qoftë për inflacionin total, ashtu edhe për inflacionin e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, kategori e cila na ka shqetësuar më së shumti gjatë periudhave të fundit”, vuri në dukje ministrja.

Bizneset e reja aktive janë shtuar dhe kjo duket në rregjistrimet e kryera pranë QKB.

“Aktiviteti i bizneseve ka filluar të rritet. Në prill të vitit aktual ne kemi 119580 subjekte aktive të regjistruara. Numri ka ardhur në rritje në krahasim dhe me muajin mars dhe me fundin e vitit 2021. Përkatësisht në krahasim me një muaj më parë janë 635 biznese aktive më shumë, ndërkohë që në krahasim me dhjetorin e vitit të kaluar kemi 3160 biznese më shumë. Kjo ecuri është ndikuar kryesisht nga numri i ri i biznesve të regjistruara, ku për periudhën janar-prill janë regjistruar 7228 biznese ndërkohë që janë cregjistruar 1817 biznese, norma të cilat janë në nivelet e vieteve të kaluara përsa i përket cregjistrimeve, ndërkohë që përsa i përket regjistrimeve kemi pasur një rritje të numrit të regjistrimeve për vitin aktual, që tregon një ecuri pozitive të ekonomisë”, tha Ibrahimaj.

Export import (bansar china)

Export import (bansar china)

Edhe ecuria e eksporteve ka qënë e kënaqshme, duke shënuar rritje për të gjithë sektorët e produkteve “Made in Albania”.

“Nëse do të çojmë vëmendjen tonë tek tregtia e jashtme, pra tek importet dhe eksportet, importet në vëllim për katër-mujorin e parë të vitit ka pasur një rënie me 1%. Rënia është ndikuar nga kategoria e produkteve kimike dhe plastike, më së shumti është ndikuar nga rënia e importeve në villim të plehrave kimike të produkteve të plehrave kimike, që kryesisht importohen dhe importoheshin nga Ukraina. Nga ana tjetër ato produkte që ndikojnë qoftë në konsum dhe që janë përafrues të konsumit, por qoftë dhe si lëndë të para për industrinë kanë pasur një rritje në vëllim. Sigurisht që rritja është materializuar dhe në vlerë duke ndikuar dhe nga cmimet e rritura, pra në vlerë në total kemi pasur një rritje të importeve me 27% dhe të gjithë kategoritë kanë shfaqur rritje për katër-mujorin e parë. Përsa i përket eksporteve kemi pasur një rritje si në vëllim ashtu edhe në vlerë, që është tregues i mirë i ecurisë ekonomike dhe i prodhimit vendas. Rritja ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët. “- theksoi më tej Ibrahimaj.

Një prej treguesve pozitivë të arritur në 4 mujorin e parë të vitit është ai i mbledhjes së të ardhurave, të cilat janë realizuar në nivelin 187 miliardë lekë, 34.7 miliardë më shumë ose 22.7 % më shumë se sa vitin e kaluar. Ministrja theksoi se ecuria e mirë e të ardhurave ka reflektuar rritje të qarkullimit në sektorët kryesorë të ekonomisë, të cilët japin kontribut në rritjen ekonomike, si në sektorin e transportit, prodhimit, ndërtimit, tregtisë dhe të shërbimeve.