Sektori i bujqësisë do të ketë më shumë mundësi dhe buxhet financimi. Bashkimi Europian ka rritur angazhimin ndaj bujqësisë shqiptare duke miratuar në Bruksel buxhetin për Programin IPARD 3. Një buxhet që shkon në 112 milionë Euro. 56% më shumë se buxheti i vënë në dispozicon në Programin IPARD II. Së bashku me financimin e qeverisë shqiptare prej 34 milionë Euro, e çon këtë program në një total prej 146 milion Euro mbështetje për bujqësinë dhe zhvillimin e zonave rurale në Shqipëri. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca tha se në Programin IPARD III po ecet drejt akreditimit për 9 masa financimi duke e zhvilluar më tej këtë program në përputhje me objektivat e qeverisë për zhvillimin e një bujqësie të qendrueshme dhe të përafruar me politikat e Bashkimit Europian, duke e bërë kështu Shqipërinë ndër pak vende në rajon që adoptojnë 9 masa financimi për këtë program.

Programi Ipard 3 (bujqesia.gov.al)

Programi Ipard 3 (bujqesia.gov.al)

Buxheti prej 146 milion Euro i IPARD III përpos katër masave ekzistuese të investimeve në fermë, agropërpunim, diversifikim të fermës dhe asistencë teknike do të financojë dhe 5 masa të reja të cilat ndihmojnë Shqipërinë të përmbushë angazhimin e marrë në deklaratën e Sofjes për Agjendën e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor.

Krifca u shpreh se këto masa ndihmojnë që bujqësia, blegtoria, peshkimi, akuakultura dhe zhvillimi rural të mund të zhvillohen në një mënyrë të qendrueshme duke respektuar natyrën nëpërmjet integrimit të masave agromjedisore, mbrojtjes së pyjeve dhe ruajtjes së mjedisit, zhvillimit të bujqësisë organike.

Për herë të parë përmes IPARD do të mund të zbatohet qasja Leader, një program që ka transformuar zhvillimin rural në vendet e Bashkimit Europian.

Kryeministri Rama, në fjalën e tij e vlerësoi financimin si një rrugë të hapur drejt suksesit për të gjithë sipërmarrësit në fushën e bujqësisë; “Me këtë financim të tretë masiv të BE hapet një rrugë edhe më e gjerë për të gjithë ata që do të donin të zhvillonin më tutje sipërmarrjen. Kjo që po ndodh është një risi e jashtëzakonshme ne jetën rurale të vendit tone”- tha Rama. Projekte të tilla, sipas kryeministrit, për bujqësine sjellin dyfishim të eksporteve.

Kryeministri Rama dhe ministja Krifca (bujqesia.gov.al)

Kryeministri Rama dhe ministja Krifca (bujqesia.gov.al)

“Rruga e vjetër e të punuarit vetëm, e të dalit vetëm në treg dhe e të fituarit vetëm nuk funksionon më, duhet bashkim forcash. Dhe për të gjithë ata që flasin unë kam një shembull shumë të thjeshtë, nuk ka qenë para 100 vitesh, por ka qenë para 7-8 vitesh që autostradat e Shqipërisë ishin të mbushura me tezga fruta perimesh. Sot Shqipëria nga raporti 1 me 7 që e kishte eksportin me importin e prodhimeve ushqimore, e ka 1 me 3 që do të thotë importon më pak, eksporton më shumë. Importon më pak sepse tregu i brendshëm garanton më shumë furnizim dhe eksporton më shumë sepse ka më shumë prodhim dhe ka dhe eksport, por sigurisht sado që të flasim dhe sado të përpiqemi që t’i vëmë përballë faktet atyre që megjithatë do të vazhdojnë të flasin, ajo që ka rëndësi është që të vazhdojmë të tërheqim sa më shumë njerëz në këtë rrjet, një rrjet fantastik njerëzish si ju dhe plot të tjerë që s’janë këtu dhe që janë arsyeja se përse afro 500 investime cilësorë me standarde të Bashkimit Europian duke përfituar nga fonde të BE, janë sot në realitetin shqiptar dhe na takon ne që këto fonde plus që kemi siguruar, t’i vëmë në punë”- tha Rama

Kryeministri Edi Rama tha se duhet që fermerët të bashkojnë forcat ndërmjet tyre për të qenë më konkurentë.

Eranda Selmanaj drejtore e AZHBR(Monitor)

Eranda Selmanaj drejtore e AZHBR(Monitor)

Ndërkohë në një intervistë për Klan News Drejtoresha e AZHBR Znj, Eranda Selmanaj ka sqaruar më tej detajet e programit, duke theksuar se ky është financimi më i madh.

“Kjo është mbështetja më e madhe dhe financimi më i madh që ka pasur ndonjëherë për bujqësinë shqiptare dhe është buxheti i alokuar që ju e përmendët dhe është 56% më shumë se programi IPARD 2.Akuakultura është e përfshirë në program nga fermat e rritjes së peshkut, gjithashtu dhe në përpunim, tregtim, paketimin e progukteve bujqësore. Është një sektor që ka shumë potencial dhe zë një peshë të madhe në eksportet e produkteve të peshkimit në Shqipëri. Kështu që ky program ka fokus edhe sektorin e akuakulturës dhe peshkimit. Pra, edhe fermat e rritjes së peshkut, edhe përpunim, tregtim deri në daljen në treg dhe në eksporte.”- tha Selmanaj.

Kërkesat për këto programe janë të larta nga grupet e interesit.

“Nga thirrja e fundit që kishim të programit IPARD 2, kemi pasur kërkesë shumë herë, rreth 5-fish më shumë sesa buxheti i alokuar dhe ne në rast se kemi më shumë aplikime se buxheti, aplikojmë kriter renditje me pikë. Pra, ata që nuk do të munden të futen tashmë në IPARD 2 sepse është përfundimi i programit, në IPARD 3 mezi kanë pritur. Nga takimi që kemi pasur dhe aktiviteti i lancimit të programit IPARD 3, shumë nga aplikantët potencialë prezentë, ose përfitues të mëparshëm të IPARD-it mezi po prisnin hapjen e IPARD 3 që të vazhdonin të investonin dhe të shtojnë aktivitetin, edhe prodhiin edhe standardet e aktivitetit të tyre bujqësor.”- thekson drejtoresha AZHBR-së.

Selmanaj sqaron kriteret që i bëjnë qytetarët të aplikojnë për këto fonde. Investimi monitorohet për 5 vite nga grupi që mbikqyr projektet.

“Programi kriteret i ka të përcaktuara. Pra, fillon nga regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe për masat që janë në mbjellje apo në investime në fermë dhe regjistrimi në Regjistrin e Fermës. Përtej kësaj, aplikanti nuk e ka të domosdoshme që të jetë më përpara me një aktivitet bujqësor, blegtoral apo në agropërpunim, por edhe një startup apo një biznes i ri, apo ka ekzistuar dhe thjesht shton pjesë të aktivitetit sektorin bujqësor, është i pranueshëm. Pra, mjafton që ketë projektin, planin e biznesit, të ketë bërë një vlerësim të indikatorëve që në fund projekti të ketë të ardhura për sipërmarrjen që do të ndërmerret.Kriteret e programit janë të njëjta si ato në IPARD 2 dhe vetë programi IPARD 3 është në linjë me programet e zhvillimit rural që zbatojnë dhe agjencitë e pagesave të vendeve anëtare”

Fushe-bujqesi (agroweb)

Fushe-bujqesi (agroweb)

Janë masa që janë parashikuar në bllok.

“Fillon masa e investimeve në fermë, që është masa e parë më pas kemi masën e investimit në asete për përpunim, tregtim dhe marketimin e produkteve bujqësore, blegtorale dhe ato të peshkimit, më pas kemi diversifikimin e fermës dhe zhvillimi i biznesit, kemi masën e asistencës teknike, ky është blloku i parë i katër masave që tashmë i kemi të akredituara, më pas kemi masat agromjedisore dhe prodhimi organik dhe kemi masën e punësimit, edhe kjo është një masë e re. Kemi masën e infrasktrukturës rurale, që lidhet me investimet në zonat rurale, për rrugë, infrastrukturë apo cfarë ka nevojë komuniteti lokal. Kemi masën e shërbimeve këshillimore si edhe masen e qasjes lider, që është një masë e re, por shumë e rëndësishme pasi në vendet e BE ka pasur një impakt shumë të madh.Të gjitha masat e reja, financojnë 100% me grant projektet e miratuara, nderkohë masat ekzistuese i kemi pasur me financimin publik privat.Është shumë e rëndësishme të shpjegohet që këto masa mbështetëse janë të përcaktuara nga BE. Pra, ka një listë masash mbështetëse, por zhvillimi i programit, ose hartimi i programit fillon nga studimet sektoriale “- thekson Selmanaj.

Sipas përllogaritjeve nga ky buxhet pritet të përfitojnë afro 1300 persona. Brenda këtij viti pritet që të celet thirrja e parë e programit IPARD III.