Ndërsa Kina ndjek përmirësimet industriale dhe prodhimin inteligjent, kompanitë kineze dhe ato të huaja po shtojnë përpjekjet për të kultivuar talentin digjital për të fuqizuar njerëzit, mes sfidave të pandemisë Covid 19.

Përpjekjet vijnë pasi industria prodhuese e Kinës po i kushton më shumë rëndësi zhvendosjes në fusha me vlerë të lartë të shtuar, gjë që gjeneron kërkesa të reja për digjitalizim dhe inteligjencë në industrinë e prodhimit dhe kështu shtron më shumë kërkesa për talentin prodhues.

Jonathan Woetzel, drejtor i institutit “Global McKinsey”, tha se deri në vitin 2030, rreth 220 milionë punëtorë kinezë mund të kenë nevojë të ndryshojnë profesionet e tyre dhe është e këshillueshme që të zgjerohet mbulimi i sistemeve arsimore dhe zhvillimit të aftësive për të përfshirë jo vetëm popullsinë studentore, por edhe fuqinë punëtore të përgjithshme prej 775 milionë.

“Qeveria, industria dhe shoqëria në tërësi duhet të punojnë së bashku për të promovuar transformimin e aftësive në Kinë”, - tha Woetzel.

Plani i 14-të Pesëvjeçar i Kinës (2021-2525) thekson përpjekjet për të kultivuar grupime të përparuara të prodhimit dhe për të promovuar zhvillimin e industrive kryesore duke përfshirë qarqet e integruara, hapësirën ajrore, pajisjet inxhinierike detare, robotët, pajisjet e avancuara të tranzitit hekurudhor, pajisjet e nivelit të lartë të energjisë, makineritë inxhinierike dhe pajisjet mjekësore.

Në të njëjtën kohë, Kina përballet me një sfidë strukturore punësimi në ofertë dhe kërkesë, me kompanitë që kanë vështirësi të rekrutojnë staf të kualifikuar dhe punëtorë që e kanë të vështirë të sigurojnë punë të kënaqshme. Ekspertët thonë se ka mungesë të punëtorëve të aftë të nivelit të lartë të prodhimit.

Për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi, gjiganti kinez i teknologjisë “Lenovo Group” ka nisur një iniciativë “të talenteve me jakë vjollcë" për të ndihmuar në kultivimin e talenteve për epokën e re të inteligjencës.

Sipas “Lenovo”-s, talenti i "jakës vjollcë" u referohet punonjësve që plotësojnë kërkesat e prodhimit inteligjent, janë të njohur me procesin aktual të prodhimit, kuptojnë teoritë teknike përkatëse dhe kanë aftësi praktike operacionale dhe menaxheriale.

Qiao Jian, zëvendëspresidente e “Lenovo”- s, prodhuesi më i madh në botë i kompjuterëve personalë, tha se kompania shpreson që kjo iniciativë të ndihmojë në nxitjen e një përmirësimi industrial në Kinë dhe të nxisë zhvillimin e prodhimit me cilësi të lartë.

“Lenovo” do të përdorë burime të brendshme, si zinxhirët e furnizimit dhe fondacionin e vet bamirës për të bashkëpunuar me universitetet dhe kolegjet profesionale për të kultivuar njerëz për një gamë të gjerë industrish prodhuese. Aktualisht, mbi 10,000 njerëz përfitojnë çdo vit nga nisma e arsimit profesional të “Lenovo”-s.

"Ajo që ne duam të bëjmë në “Lenovo” është të fuqizojmë ekonominë reale përmes transformimit inteligjent dhe të promovojmë transformimin, përmirësimin dhe zhvillimin me cilësi të lartë të industrisë së prodhimit. Deri në vitin 2025, kërkesa e Kinës për talentin “jakë vjollcë” do të arrijë në 9 milionë dhe hendeku midis kërkesës dhe ofertës do të arrijë në 4.5 milionë”, - tha Qiao.

Ajo tha se për të përmbushur këtë nevojë, “Lenovo” po ndërton një ekosistem të talenteve industriale përmes trajnimit të studentëve dhe mësimit në punë, duke ofruar kurse profesionale dhe praktike dhe duke ofruar programe mësimore dhe trajnimi.

Për shembull, "New IT Industry College" i zhvilluar nga “Lenovo Education” krijon kurse të bazuara në teknologjinë inteligjente të industrisë së prodhimit të “Lenovo”-s dhe aftësitë e nivelit të lartë të punonjësve. Kolegjet profesionale përdorin përmbajtjen e mësimdhënies për të promovuar përmirësimin industrial dhe trajnimin e nivelit të studentëve, duke mbyllur lidhjen midis arsimit akademik dhe kërkesave në punë. Fondacioni “Lenovo” ofron mundësi për adoleshentët nga zonat rurale dhe të pazhvilluara për të hyrë në kolegje profesionale për të mbështetur praktikat dhe punësimin e ardhshëm, shtoi Qiao.

“Lenovo” po shton gjithashtu masat për të shpërblyer punëtorët e prodhimit të linjës së parë në fabrikat e veta, për të inkurajuar më shumë njerëz që të bëhen talente të avancuar në prodhim. Yang Yuanqing, president dhe CEO i “Lenovo”-s, për shembull, tha në mars se ai hoqi mënjanë 80 milionë juanë (12.56 milionë dollarë) për të shpërblyer punëtorët e vijës së parë për përpjekjet e tyre për të kapërcyer sfidat e shkaktuara nga pandemia Covid 19 dhe për të siguruar prodhimin.

Liu Baomin, zëvendësdrejtor i institutit të qendrës së arsimit profesional dhe teknik në Ministrinë e Arsimit, tha më herët se arsimi profesional gjatë periudhës së Planit të 14-të Pesëvjeçar do të duhet të ofrojë mbështetje për talentet për zhvillim ekonomik me cilësi të lartë.

Thellimi i bashkëpunimit shkollë-ndërmarrje është në thelb të arsimit profesional. Dhe nevojiten më shumë përpjekje për të përmirësuar standardet e institucioneve të arsimit profesional për të siguruar cilësi, tha Liu.

Hulumtimet tregojnë se gratë janë ndikuar më negativisht nga pandemia Covid 19 sesa burrat, kështu që kompanitë po punojnë gjithashtu për të ndihmuar gratë në Kinë të përmirësojnë aftësitë e tyre digjitale dhe të përqafojnë të ardhmen digjitale.

Gjiganti amerikan i teknologjisë “Microsoft Corp”, për shembull, po bashkëpunon me një numër kompanish dhe organizatash për të fuqizuar gratë në mënyra të shumta, pasi pandemia ka përshpejtuar transformimin digjital në mbarë botën dhe gratë përballen me më shumë sfida si në jetë, ashtu edhe në punë.

Vitin e kaluar, kompania nisi një iniciativë në partneritet me firmën konsulente të menaxhimit DDI, e cila ndihmoi më shumë se 1 milion gra në Kinë të përmirësojnë aftësitë e tyre digjitale deri në fund të 2021-shit.

Duke bashkuar liderët e korporatave në nismën e përbashkët “Women Digital Future”, Microsoft dhe kompanitë pjesëmarrëse kërkojnë të fuqizojnë gratë në këtë moment të përshpejtuar të transformimit digjital, në mënyrë që ato të mos përdorin vetëm fuqinë e teknologjisë për të arritur ëndrrat e tyre, por të nxisin vlera dhe kreativitet të pabesueshëm brenda industrive të tyre dhe shoqërisë në tërësi, duke lënë kështu ndikim më të madh në epokën digjitale. Këto iniciativa fokusohen në katër fusha, përkatësisht: udhëheqja e mendimit dhe njohuritë, ndërgjegjësimi dhe frymëzimi, përmirësimi i aftësive digjitale dhe lidershipi gjithëpërfshirës.

Mindy Yeh, zëvendëspresident i “DDI Asia”, tha se sondazhi global i kompanisë tregon se 20 përqindëshi i parë i ndërmarrjeve me performancë financiare të lartë ka gati dyfishin e numrit të grave drejtuese të 20 përqindëshit të fundit. Për më tepër, ato mburren me avantazhe të dukshme në drejtim të bashkëpunimit, krijimit të sinergjisë dhe kulturës së rritjes.

Cecilia Qi, menaxhere e përgjithshme e farmaceutikës dhe vaksinave në “GSK China”, tha: "Transformimi digjital është një mundësi dhe një sfidë për gratë. Ky është veçanërisht rasti në normalitetin e ri, i cili kërkon që kompanitë t'u ofrojnë grave më shumë mbështetje për t'i ndihmuar ato të arrijnë ekuilibra më të mirë punë-jetë dhe të vazhdojnë të arrijnë sukses ndërsa vazhdojnë përpara në karrierën e tyre".

“Suksesi është neutral ndaj gjinisë dhe besoj se në të ardhmen shoqëria do të jetë më mbështetëse dhe gjithëpërfshirëse për gratë dhe do t'i fuqizojë ato me mundësi karriere më të ndryshme dhe të barabarta”,- tha Qi.

Ndërsa kompanitë kineze po bëhen gjithnjë e më globale, ato gjithashtu planifikojnë të ndihmojnë në kultivimin e talenteve digjitale përtej terrenit të tyre në më shumë zona. “Huawei Technologies Co”, për shembull, tha në nëntor se së bashku me partnerët e saj, do të investojë 50 milionë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme për të zhvilluar 500,000 individë me njohuri digjitale në rajonin Azi-Paqësor.

Jeffery Liu, president i “Huawei Asia-Pacific”, tha se kultivimi i teknologjisë inovative të informacionit e komunikimit ose TIK është thelbësor për transformimin digjital. “Duke shfrytëzuar inovacionet e përbashkëta me rezultate të favorshme, ne mund të shfrytëzojmë fuqinë e aftësive të TIK për të na drejtuar në një të ardhme digjitale".

“Huawei” gjithashtu nënshkroi një memorandum mirëkuptimi në nëntor me fondacionin ASEAN, një organ i Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore, për të mbushur boshllëkun e talenteve digjitale.

Datuk Sri Mohamed Mentek, kryetar i Takimit të Zyrtarëve të Lartë Digjital të ASEAN, tha: "Unë besoj se bashkëpunimet si ai midis “Huawei” dhe fondacionit ASEAN për të zbatuar programin “Farat e së ardhmes” është hapi i duhur drejt ndërtimit të një ekosistemi të qëndrueshëm të talenteve digjitale në rajon dhe ne mezi presim që më shumë nisma të tilla të ecin përpara".

Programi do të ndihmojë gjithashtu në arritjen e objektivave të Masterplanit Digjital ASEAN 2025, të cilat janë: rritja e kapacitetit të të rinjve në rajon për të marrë pjesë në ekonominë digjitale dhe krijimi i një shoqërie digjitale gjithëpërfshirëse në ASEAN. Programi u lançua në fillim të vitit 2022, duke ftuar të rinjtë e moshës 15-30 vjeç në shtetet anëtare të ASEAN-it të nisin një udhëtim virtual drejt aftësive digjitale.