Bora Dallashi është menaxhere e “Tartuf Shop Tirana”. Tartufi është një bimë tepër e veçantë, që në aspketin ekonomik është një prurje tepër e mirë. Shqipëria ka fatin që në malet e saj të gjendet tartufi edhe pse me shumë vështirësi.

Ekskluzivisht për herë të parë në Shqipëri, “Tartuf Shop Tirana” sjell shumëllojshmëri produktesh me bazë tartufi, po ashtu edhe vetë bimën e freskët sipas sezonit.

Gjetja e tartufit (Foto personale)

Gjetja e tartufit (Foto personale)

CMG: Cila është fillesa e “Tartuf Shop” në Tiranë?


Bora Dallashi: Gjithçka ka nisur nga dashuria për natyrën dhe për të pasur më shumë zbulime të reja në tokën shqiptare. Zbuluesi i kësaj bime ka qënë shumë i dhënë pas natyrës dhe u përpoq të stërviste qen të cilët do të ishin të gatshëm ta gjenin atë në tokë. Ka qenë tepër emocionuese gjetja e tartufit të parë. Na është dashur shumë punë për të arritur këtu ku jemi, gjithashtu shumë vite pune për ngritjen e biznesit në Shqipëri dhe për edukimin e kulturës së tartufit si një bimë që ia vlen të shijohet.


Disa tartufë të mbledhur në pyll (Foto personale)

Disa tartufë të mbledhur në pyll (Foto personale)

CMG: Cilat janë vlerat e tartufit?


Bora Dallashi: Tartufi është një nga 10 ushqimet më unike dhe më të shtrenja në botë, i cili njihet ndryshe si diamanti i zi i kuzhinës. Është gjetur në vitin 1831 nga një italian. Ka disa varitete që krijohen në bazë të stinës dhe terrenit. Tartufi nuk gjendet në çdo vend, por për fat të mirë Shqipëria ka shumë tartuf dhe të llojeve të ndryshme.


Tartuf i bardhë (Foto personale)

Tartuf i bardhë (Foto personale)

CMG: A ka vlera kurative?


Bora Dallashi: Dua të jem e kujdeshme në këtë pjesë. Një gjë e sigurt është se tartufi ka shumë vitamina dhe minerale dhe shumë benefite në shëndet. Mbi të dhënat e deritanishme, me sa kam lexuar, thuhet edhe që lufton kancerin.


CMG: A ka qenë e vështirë për ju të operoni në këtë biznes?


Bora Dallashi: Në fakt, po. Tartufi nuk njihej si bimë dhe që të operonim na duhej kohë të futeshim në treg. Çdo gjë që vjen për herë të parë është e vështirë. Interesante është që në fillim kur flisnim me familjarët për të hapur një dyqan vetëm me produkte tartufi të gjithëve u dukej një çmenduri. Por, njerëzit me ide të mëdha ndjekin instinktin e tyre deri në fund. Kështu u hap dyqani i parë dhe nisi të krijojë një klientelë fikse. Kjo na bën të ndihemi krenarë. Tentativa e parë e përballjes me tregun ka qenë te sheshi “Skënderbej”, ku gjatë festave të fundvitit ofronim panine me tartuf. Ato u pritën shumë mirë dhe kështu u hap dhe restoranti.


CMG: A është restoranti juaj një destinacion për turistët?


Bora Dallashi: Po, dhe e pëlqejnë shumë. Ajo që na bën të ndihemi që jemi në rrugën e duhur është se klientët rikthehen. Ndryshe nga vendasit, turistët pyesin për historinë e tartufit dhe ndihen të lumtur që produkti që konsumojnë është shqiptar.


Tirana Tartuf Shop (Foto Personale)

Tirana Tartuf Shop (Foto Personale)

CMG: A është e vëshirë gjetja e tartufit?


Bora Dallashi: Procesi për gjetjen e tartufit e deri te servirja në tavolinë është i vështirë. Duhet një punë e gjatë që në thelb ka vetëm pasionin e asgjë më tepër. Duhet durim, sepse mund të rrish me muaj të tërë që të gjesh një kokërr tartufi.


CMG: Cila është pjata më e mirë me tartuf?


Bora Dallashi: Unë e adhuroj në çdo lloj gatimi dhe nuk mund të ndaj asnjërën. Do të theksoja mjaltin e akacies me tartuf. Shumë klasike janë vezët me tartufin, sepse çlirohet një aromë shumë e mirë, gati-gati dehëse.


Tartuf Shop Tirana (Foto personale)

Tartuf Shop Tirana (Foto personale)

CMG: A ka nënprodukte tartufi shqiptar?


Bora Dallashi: Po! Janë makaronat e gatuara vetë, që në përbërje të brumit kanë tartuf. E përmenda edhe majltin me tartuf që merr një shije të rrallë. Nuk mund të lë pa përmendur edhe sojën me tartuf. Mezi pres dhe unë ta provoj, sepse vjen së shpejti.


Tartuf Shop-Tirana (Foto personale)

Tartuf Shop-Tirana (Foto personale)

CMG: Mund të më thoni disa arsye pse duhet të konsumojmë tartuf dhe mbi të gjitha në restorantin tuaj?


Bora Dallashi: Produkti është cilësor, sepse tartufi nxirret në Shqipëri dhe përpunohet në Itali. Cilësia është ndër më të mirat, pasi është shqiptar. Nuk duhet të humbni të shijoni Kalanë e Tiranës, që është një ambient unik. Madje, në restorantin tonë mund të gjenden produktet në format të përshtatshëm edhe për aeroport e deri tek ushqimi në restorant. Dhe mund të them me krenari se shërbimi ynë është ndër më të mirët.


Përgatiti: Megi Latifi