Tirana gjallon nga ambientet familjare. Çdo ditë e më shumë të krijohet përshtypja që ky qytet rritet në aspektin pozitiv të zhvillimit ekonomik.

Shëmbëlltyrë e rritjes së biznesit në kuadër edhe të zhvillimit të qytetit është Kalaja e Tiranës, që nuk është vetëm një biznes, por një familje, e cila të ofron mundësi që të shijosh, argëtohesh dhe pse jo të marrësh dhe një suvenir.

Klodiana Toptani është administratore e Kalasë së Tiranës dhe për Radio Ejani ndan gjithë eksperiencën e saj, arritjet, vështirësitë dhe ringritjet më të fuqishme. Ajo rrëfen për familjen emblemë Toptani dhe për kryeveprën e saj më të madhe, siç i përkufizon, që janë fëmijët e saj.

Klodiana Toptani (Foto Instagram)

Klodiana Toptani (Foto Instagram)

CMG: Përpara një pasqyre, çfarë shikoni në të?

Klodiana Toptani: “Njeriu varet si e sheh veten, si e shohin të tjerët dhe kush është në të vërtetë”, -thotë një shprehje filozofike, që unë e besoj fort. Para pasqyrës shikon atë çka ke arritur, të mirat, të këqijat, të shkuarën dhe synimet për të ardhmen.

CMG: Si ka qenë rrugëtimi i jetës suaj?

Klodiana Toptani: Në fakt, nuk ka qenë i lehtë, por nuk është mirë të ankohesh. S’më pëlqejnë energjitë negative dhe mundohem t’i shmang sa më shumë. Por, një gjë e kam kuptuar, se fitorja më e madhe në jetë janë miqtë. Kam njohur njerëz shumë të bukur, kam mësuar shumë, sepse gjithnjë jam konsultuar me njerëz më me përvojë se unë. Nuk jam tipi që them se di gjithçka. Duke parë rrugëtimin e deritanishëm mund të them me bindje se suksesi i arritur nuk ka qenë i menjëhershëm, por hap pas hapi, shkallë pas shkalle e vit pas viti.

Klodiana Toptani merr çmimin Ambasadore e Paqes(Foto Instagram)

Klodiana Toptani merr çmimin Ambasadore e Paqes(Foto Instagram)

CMG: Keni kujtime të bukura nga fëmijëria?

Klodiana Toptani: Kam kaluar një fëmijëri shumë të bukur. Pika ime e dobët janë gjyshërit. Sa herë i kujtoj mallëngjehem. Kanë qenë njerëz të jashtëzakonshëm dhe jam e bekuar që i kam pasur pjesë të jetës sime. Gjyshja ishte tepër e përkushtuar dhe kujdesej jashtë mase për ne nipërit, na vinte pas avazit. E gjithë familja ka qenë tepër mbështetëse. Ndërsa gjyshi, është heroi im. Ai ka hedhur bazën e themeleve të asaj që jam sot. Gjithmonë isha pas tij në çdo moment, kujdesej aq shumë sa nuk mjaftojnë fjalët. Nuk kursehej asnjëherë në çdo aspekt. Dashuria që kam për njerëzit e kam marrë nga këta njerëz. Ata kanë pasur shpirtin plot përherë në ditët më të mira dhe ato të vështira. Babai im është munduar t’u gjendej gjithmonë pranë të gjithëve për t’i ndihmuar në çdo situatë. Kemi marrë një mësim e model të pashkruar.

CMG: Si mund ta përshkruani jetën pas krijimit të familjes?

Klodiana Toptani: Kam pasur gjithnjë synime të qarta për jetën. Edhe pse jam martuar herët, nuk e kam lënë pas shkollimin dhe shijimin e jetës. Jam një amvisë e mirë, një nënë e dashur, por mbi të gjitha jam një grua që e respekton veten. Momentet më të bukura të kësaj etape të jetës sime janë ardhja në jetë e fëmijëve të mi. Jam bërë nënë tepër e re, rreth të 20-ave, por kuptova rëndësinë e jetës që mbaja në duar. Dy djemtë e mi, pinjollët e familjes Toptani, do të trashëgojnë me krenari këtë mbiemër. Mendoj se ndonjëherë jeta është çështje fati dhe jeta të përball me vështirësi, por në raste të tilla mundohem t’i zgjidh dhe jo të vrasë mendjen se çfarë ndodhi.

Klodiana Toprani (Foto CMG)

Klodiana Toprani (Foto CMG)

CMG: Cili është raporti juaj me fotografitë?

Klodiana Toptani: Jam tepër e lidhur pas fotografive, më pëlqen t’i ruaj kujtimet. Mbaj gjithnjë me vete fotot më të dashura për mua, imazhet e stampuara të familjarëve që aq shumë i duam. Fotot pikërisht për këtë arsye janë të rëndësishme, sepse ato na tregojnë se sa bukur mund të dukemi dhe na sjellin në vëmendje ngjashmërinë. Përmes tyre rikujtojmë njerëzit dhe kohën që jemi kaluar me ta. Nuk ka gjë më të bukur sesa të kesh një jetë të mbushur plot.

CMG: Keni hyrë në një familje me një mbiemër me peshë, si e përjetuat këtë gjë?

Klodiana Toptani: Më kanë pritur jashtëzakonisht mirë. Janë familje e nderuar, por edhe shumë fisnikë. Gjeni luan një rol tepër të rëndësishëm. Kam mësuar shumë në këtë familje. Duke qenë e re, kisha dhe fatin që kisha pranë dajën dhe kjo më jepte më shumë forcë për të ecur përpara.

CMG: Cilat janë mësimet e nxëna përmes sfidave?

Klodiana Toptani: Në një mënyrë apo në një tjetër, nxjerr mësime nga jeta. Kam pasur fatin të kem marrë mësime me vlerë. Sot njerëzit shohin fundin e një rrugëtimi por unë kam kaluar sfida të mëdha, që i kam përballuar me mbështetjen e të dashurve të mi. Uroj që fëmijët e mi mos të kalojnë nëpër kalvarin e vështirësive. Më pëlqen të rrethohem nga njerëz dhe të krijoj miqësi të reja, pasi në çdo hap ne mësojmë. Por, mbani afër njerëz që ju duan, që ju duan vërtet. Nëse mund t’ju jap disa këshilla; mësoni nga më të mëdhenjtë, kaloni etapat e jetës në kohën e duhur, mësoni nga çdo gjë, qoftë e mirë apo e keqe, mbani rreth vetes njerëz me energji të mirë!

Për mua, Zoti dhe ligji janë forca ime.

CMG: E lëvdoni shpesh veten?

Klodiana Toptani: Në fakt, po, sepse sot e kuptoj lodhjen dhe mundin për arritjet e deritanishme. Vlerësoj te vetja që nuk kam bërë hapa pas. U jam shumë mirënjohëse të gjithë atyre që më kanë mbështetur, për të bërë diçka të bukur për Tiranën, të gjithë atyre që besuan tek unë, kryebashkiakun Erion Veliaj, zonjën Arta Dollani, dhe ministren aktuale të Turizmit, Mirela Kumbaro. Projektin e Kalasë e dua shumë dhe nuk ndiej aspak lodhje për të arritur një rezultat që pëlqehet.

CMG: Çfarë ofron Kalaja e Tiranës për bashkëpunime të ndryshme?

Kalaja e Tiranes (Foto Instagram)

Kalaja e Tiranes (Foto Instagram)

Klodiana Toptani: Dua të vlerësoj bizneset që na besuan që në ditën e parë. Kalaja është një familje, ku gjithsecili ka gurin e vet që peshon.

Këta njerëz më kanë dhënë dorën, unë jam lokomotiva por ata më japin fuqi. Për momentin nuk kemi një hapësirë për biznese të tjera, por në atë pak hapësirë që kemi të lirë mund të realizohen galeri arti, aktivitete etj. Te ne çdo njeri gjen veten, pasi mundohemi t’i kënaqim të gjithë dhe me aq sa mundemi të bëjmë mirë, sepse besoj në faktin që gjithçka e mirë të kthehet për mirë.

CMG: Beson në fat apo punë?

Klodiana Toptani: Unë besoj shumë në Zot dhe këtë e kam të mbrujtur nga gjyshet e mia. Besoj se po të shohësh perfeksionin e natyrës dhe trupit, Zoti ka qënë aq dashamirës me ne sa ne po bëjmë shumë keq që po e dëmtojmë.

CMG: Cila është aroma që ju sjell kujtime nga fëmijëria?

Klodiana Toptani: Aroma e nenexhikut. Më kujton gjyshin, që e mbante në xhep apo në dorë.

CMG: Cili është njeriu që të motivon?

Klodiana Toptani: Njeriu i shpirtit tim.

CMG: Vendi ku do të doje të jetoje përjetësisht?

Klodiana Toptani: Në Mekë.

CMG: Njeriun që do të doje ta takoje tani?

Klodiana Toptani: Nipin tim që nuk jeton më (Përlotje)...

CMG: Pak ditë më parë u vlerësuat si Ambasadore e Paqes, si u ndjetë?

Klodiana Toptani: Ka qenë një emocion i veçantë. Ndoshta nuk ka shumë kuptim një çmim kur ti në fakt i bën gjërat për vete, por të gjithë kemi nevojë për vlerësim, ashtu sikurse kemi nevojë për një fjalë, që mund të trashëgohet brez pas brezi. Pa e kuptuar ne jemi gurë themeli për fëmijët tanë. U vlerësova nga njerëz që kanë dekoruar njerëz me vlera. Kjo është një nga gjërat që ka shumë peshë tek unë, sepse më dha më shumë forcë, pasi njerëzit e njohin punën time. Ishte një nga përjetimet më të bukura, pasi isha e rrethuar edhe nga njerëzit e mi të dashur. Tashmë ndihem më e fortë dhe më e mirë. I falënderoj nga zemra.

Përgatiti: Megi Latifi