Ndërsa tarifat shtesë të vendosura nga administrata e mëparshme e SHBA-së për produktet kineze acaruan lidhjet ekonomike dypalëshe, duke u shkaktuar vazhdimisht dëme bizneseve dhe konsumatorëve amerikanë, është koha që pala amerikane të heqë dorë nga këto masa.

"Katër vjet më vonë, lufta tregtare ende po dëmton konsumatorët dhe kompanitë amerikane dhe po detyron zgjidhjet e zinxhirit të furnizimit që e bëjnë tregtinë më komplekse" ,-tha Christopher Tang, profesor i menaxhimit të zinxhirit të furnizimit në Shkollën e Menaxhimit Anderson të Universitetit të Los Anxhelosit, në një artikull të botuar në “South China Morning Post”.

Ashtu si profesori, shumë grupe të tjera tregtare dhe ekonomistë amerikanë i kanë kërkuar administratës Biden të heqë tarifat shtesë të kohës së presidentit Trump mbi importet kineze, duke i konsideruar këto tarifa si kundërproduktive për ekonominë amerikane.

Në një kohë kur rimëkëmbja ekonomike botërore është ende e varur nga pandemia Covid 19 dhe vetë ekonomia e SHBA-së përballet me inflacion në rritje, do të jetë një zgjedhje e drejtë dhe e përgjegjshme për vendin që të heqë të gjitha tarifat shtesë sa më shpejt të jetë e mundur, thonë analistët.

Kush e paguan çmimin?

Katër vjet pas rritjes së tarifave të SHBA-së për mallrat kineze, është një fakt i qartë se masa ka sjellë më shumë kosto për kompanitë, konsumatorët dhe fermerët amerikanë.

"Bizneset dhe konsumatorët amerikanë, jo eksportuesit kinezë, po përballojnë koston e tarifave të epokës së Trump-it në formën e çmimeve më të larta për pjesët dhe produktet e prodhuara në Kinë",- tha David J. Bulman, asistent profesor i Studimeve Kineze dhe Çështjeve Ndërkombëtare në shkollën “Johns Hopkins” të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare, në një artikull të botuar në “The Hill” në fillim të këtij viti.

Tarifat për mallrat kineze kanë provokuar tarifa hakmarrëse që kanë ulur ndjeshëm eksportet amerikane në Kinë, duke i lejuar vendet e tjera të lëvizin në tregjet dikur të dominuara nga SHBA-ja, vuri në dukje ai.

Që kur tarifat shtesë u futën në fuqi, ato u kanë kushtuar kompanive amerikane 1.7 trilionë dollarë amerikanë dhe familjeve amerikane 1300 dollarë amerikanë në vit, - tha ambasadori kinez në Shtetet e Bashkuara, Qin Gang gjatë një interviste të fundit me revistën “Forbes”, duke vënë në dukje se tarifat nuk kanë reduktuar deficitin tregtar të SHBA.

Amerikanët për Tregtinë e Lirë, një koalicion i gjerë i organizatave tregtare, kohët e fundit paralajmëroi se tarifat e Seksionit 301 krijojnë një "barrë ekonomike shtesë" për bizneset, prodhuesit, fermerët dhe familjet amerikane, i bëjnë Shtetet e Bashkuara më pak konkurruese globalisht dhe shkaktojnë një dëm ekonomik joproporcional për një ekonomi amerikane që po përballet me shqetësimet e vazhdueshme të inflacionit.

VCG

VCG

Rritja e presionit inflacionist

Ndërsa SHBA-ja po përjeton inflacionin më të lartë në katër dekada, ekonomistët thonë se eliminimi i tarifave shtesë për mallrat kineze do të ndihmonte në uljen e inflacionit dhe stabilizimin e pritshmërive inflacioniste.

"Arsyet për t'i dhënë fund luftës tregtare me Kinën vazhdojnë të rriten. Inflacioni është rasti më i fundit",- tha David J. Bulman.

Të dhënat nga Departamenti i Punës i SHBA-së tregojnë se inflacioni i konsumatorit në SHBA në prill u rrit me 8.3 për qind nga një vit më parë, duke shënuar muajin e dytë radhazi të inflacionit mbi 8 për qind.

Edhe sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, tha në një intervistë të fundit për televizionin “Bloomberg” se heqja e tarifave ndaj Kinës të vëna gjatë presidencës “Trump” do të kishte disa efekte të dëshirueshme në inflacion dhe që ia vlejnë të merren parasysh.

"Amerikanët janë të pakënaqur me rritjen e inflacionit dhe kostove, kështu që ofrimi i lehtësimit të tarifave është një mënyrë për të ulur çmimet dhe për të rritur kërkesën, veçanërisht për mallrat e konsumit",- tha Këshilli i Biznesit SHBA-Kinë (USCBC), i cili përfaqëson 260 kompani amerikane që bëjnë biznes me Kinën.

Kthimi në drejtimin e duhur

Ndërsa njerëz të ndryshëm nga qarqet akademike dhe industriale amerikane vazhdojnë t'i kërkojnë qeverisë të heqë tarifat shtesë për produktet kineze, është e rëndësishme të njihet thelbi i lidhjeve të biznesit Kinë-SHBA për t’i kthyer në rrugën e duhur.

Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis dy ekonomive më të mëdha të botës janë reciprokisht të dobishme në natyrë dhe kanë dhënë rezultate të favorshme.

Duke marrë për shembull punësimin, eksportet amerikane të mallrave dhe shërbimeve në Kinë mbështesin qindra mijëra vende pune në të gjithë vendin në pothuajse çdo sektor të ekonomisë, sipas Raportit të Eksportit të SHBA-së 2022 të lëshuar nga USCBC.

"Më shumë se 300 distrikte kanë mbi 1000 vende pune të mbështetura nga eksportet në Kinë dhe tetë prej tyre kanë më shumë se 10.000 vende pune",- thuhet në raport, duke vënë në dukje se Kina mbetet një treg i rëndësishëm për eksportuesit amerikanë.

Vetëm në vitin 2020, numri i vendeve të punës të mbështetura nga eksportet drejt Kinës arriti në 858,486 gjithsej, sipas llogaritjeve të Këshillit të Biznesit SHBA-Kinë.

Përveç krijimit të vendeve të punës, tregtia me Kinën ka ndihmuar në rritjen e të ardhurave të fermerëve amerikanë, pasi tregtia bujqësore ka qenë një pjesë e rëndësishme e aktiviteteve dypalëshe të biznesit.

Eksportet e mallrave të SHBA-së në Kinë arritën një nivel të lartë historik në vitin 2021, me farat vajore dhe drithërat që regjistruan rritje të konsiderueshme, thuhet në raport.

Vitin e kaluar, fermerët amerikanë dërguan 4.8 miliardë dollarë më shumë në farëra vajore dhe kultura të tilla si soja, gruri dhe misri në Kinë sesa vitin paraardhës, duke e çuar totalin në 21.9 miliardë dollarë.

“Ndërsa përballemi me një situatë komplekse dhe të rëndë në zhvillimin bujqësor dhe sigurinë ushqimore në mbarë botën, unë besoj fuqishëm se Kina dhe Shtetet e Bashkuara, si prodhues, konsumatorë dhe tregtarë të mëdhenj bujqësorë, duhet të përballojnë sfidat së bashku, të ruajnë zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, të rrisin qëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit bujqësor, të garantojnë sigurinë ushqimore brenda vendit dhe të promovojnë bashkëpunimin për sigurinë ushqimore ndërkombëtare",- tha Qin.

Pavarësisht ndërprerjeve të vazhdueshme si pasojë e Covid 19, tregtia midis Kinës dhe SHBA-së ruajti një vrull të shëndoshë, duke u rritur 8.7 për qind nga viti në vit në 1.56 trilionë dollarë amerikanë në katër muajt e parë.

Në kontekstin e rritjes së çmimeve, heqja e tarifave shtesë për mallrat kineze përmbush interesat themelore të konsumatorëve dhe bizneseve amerikane dhe është e dobishme për SHBA-në, Kinën dhe mbarë botën, tha në një konferencë shtypi zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë së Kinës Shu Jueting.