Krijimi i një biznesi dhe futja në treg e produkteve të huaja duket se po fiton terren çdo ditë e më shumë në Shqipëri. Nisja e një biznesi prodhues me produkte, të cilat janë të një vendi tjetër, tingëllon çuditshëm, por, për sipërmarrësen Iris Bajo ka ndodhur ndryshe. Në një intervistë për “Radio Ejani” ajo na rrëfen eksperiencën e saj në Shqipëri dhe krijimin e markës “Sambal”.

“Ideja e krijimit të një biznesi më ka lindur gjatë kohës që kam jetuar për një periudhë të gjatë në Indonezi. Atje pashë që këto produkte kishin një konsum të gjerë dhe kryesisht kishin një nivel eksporti shumë të lartë për sa i përket noodles-ave. Kështu që fillimisht mendova që do të ishte një mundësi e mirë biznesi që t’i importoja nga Indonezia. Më pas, këshilluar edhe nga disa miq të mi, të cilët kishin kohë që merreshin me import-esport, të cilët më thanë që ndoshta do të ishte më mirë të prodhoheshin në vend, u binda që ndoshta ishte më mirë kështu”, -thekson sipërmarrësja Iris Bajo.

Futja në treg mund të jetë e vështirë dhe jo gjithmonë gjërat shkojnë sipas parashikimeve, sepse kur ti fillon diçka të re në një vend të vogël risku mund të jetë më i madh. Bajo rrëfen sfidat që ka hasur gjatë këtij rrugëtimi me prodhimin e produkteve aziatike dhe si mundi të futet në tregun vendas, duke sjellë tashmë edhe produkte të reja.

“Vështirësia më e madhe që kam hasur gjatë këtij biznesi që ka dy vite që po zhvillohet, ka qenë hyrja në treg. Është shumë e vështirë për shumë arsye, sepse produktet dhe numri i tyre është shumë i lartë në krahasim me popullsinë dhe konsumi është i moderuar i të gjithë produkteve në përgjithësi dhe veçanërisht i atyre aziatike. Kur kam hyrë në treg ka qenë vetëm një konkurrent nga importi, sot mund të ketë mbi gjashtë dhe ishte shumë e vështirë të bindje pronarët e marketeve që ky është një produket që do të ecë. Hezitimi i madh ishte për faktin se ishte një ushqim aziatik i prodhuar në Shqipëri. Kishte një pikëpyetje shumë të madhe. Por, me insistim, produkti fatmirësisht e justifikoi veten. Ambalazhi ishte tërheqës dhe kjo ishte arsyeja e parë që arrita ta fusja nëpër markete. Më pas cilësia e mirë e mbajti vetë produktin në treg. Produkti ka një karakteristikë ndryshe, është në një format të madh dhe mjaft i leverdisshëm. Është 500 gr, familjar dhe nuk ka asnjë lloj konservanti. Është 100% natyral dhe me ambalazh të riciklueshëm”,-deklaroi Bajo.

Në një kompani, vend shumë të rëndësishëm zë edhe emri, sepse mund të jenë një tregues i mirë i asaj çka prodhohet. “Sambal” është një salcë me aromë, me shije të pjekur ose një shijim që është popullor në shumë vende në Azinë Juglindore, veçanërisht në Indonezi dhe Malajzi. Fjala “sambal” përdoret gjithashtu për të treguar një pjatë në të cilën salca sambal është një përbërës kryesor.

“Për sa i përket emërimit “Sambal”, dua të veçoj dy aspekte, origjinën e emrit dhe markën. Fjala “sambal” i referohet një salce bazë, që përdoret gjerësisht në kuzhinën indoneziane dhe përdoret shumë për emërtime restorantesh atje. Aktivitetin e kam nisur në vitin 2018. Hapa një restorant indonezian në zonën e “Pazarit të ri”, në Tiranë, dhe zgjedhja më e mirë për emërtimin m’u duk “Sambal”, sepse isha shumë e familjarizuar me këtë emër. Pas restorantit u krijua një markë, të cilin njerëzit filluan ta memorizonin dhe si rrjedhojë produkti mori këtë emër”, -thekson sipërmarrësja.

Kryesisht në Tiranë dhe sidomos vitet e fundit janë hapur shumë restorante që ofrojnë ushqime aziatike, erëza, produkte shumëngjyrëshe dhe kombinimet e veçanta sipas recetave tradicionale aziatike.

“Besoj se në Shqipëri, dhe veçanërisht në kryeqytet, kuzhina aziatike nuk është më risi, sepse në mënyrë graduale njerëzit janë më të ekspozuar ndaj kësaj kuzhine dhe ka ndikuar në rritjen e konsumatorëve. Por, sërish ka hapësira për t’u zgjeruar më tej për pëlqimin ndaj kësaj kuzhine, sepse ende nuk mund të themi që është ndër kuzhinat e huaja më të konsumuara”, -bëri të ditur Bajo.

Gjithçka ka nisur nga produkte të thjeshta dhe madje me një amabalazh modest, por tashmë “Sambal” mendon për futjen në treg të një shumëllojshmërie produktesh për t’u eksportuar më pas edhe jashtë.

“Produkti i parë me të cilin ne kemi hyrë në treg para dy vitesh kanë qenë noodles-at 500 gr pa konservantë, të thjeshta për t’u gatuar në shtëpi. Rrugës, ky produkt u pasurua edhe me erëza. U futën tre lloje erëzash po natyrale, pluhur xhenxhefili, pluhur hudhre dhe fara susami. Aktualisht jemi në përfundim dhe shumë shpejt do të dalë në treg edhe një produkt i ri i formatit të vogël për përdorim personal, me shije viçi, pule dhe perimesh. Karakteristika e këtyre është që këto bëhen për tre minuta vetëm me ujë të nxehtë, quhen të çastit dhe mund të konsumohen kudo dhe është një produkt që pëlqehet shumë nga konsumatori. Gjithadhtu së shpejti del edhe salca e ëmbël pikante që është prapë një produkt aziatik që pëlqehet dhe tregu e pranon pasi ka edhe mungesa”.

Sipërmarrëshja Iris Bajo thekson se tregtimi i produktit bëhet vetëm brenda vendit. Sipas saj, 90% e tregut është vetëm në Tiranë, por në zinxhirët e mëdhenj të supermarkete është shtrirë edhe në disa rrethe të vendit. Synimi i saj është që së shpejti të dalë edhe me eksport, duke hyrë në tregun e rajonit.

Përgatiti: Algerta Tafani