Shpesh nëpër rrugët e kryeqytetit dhe në qytete të tjera gjen njoftime nga më të ndryshmet për thirrje për punëtorë. Kjo kërkesë është e shpeshtë kohët e fundit në vend, për shkak të vështirësive për të gjetur punëtorë në sektorë të caktuar. Përfaqësues të kompanive thonë se nëse do të kishin mjaftueshëm punonjës, do të ishin në gjendje të rrisnin aktivitetin e tyre të biznesit. Ekspertët e lidhin fenomenin me largimin e të rinjve nga vendi. Erion Muça, ekspert I punësimit, në një intervistë televizive fenomenin e lidh me largimin e të rinjve nga vendi, gjë që ka krijuar vakuum.

“ Tregu i punës së Shqipëri së fundmi po përballet me një largim masiv të profesionistëve të ndryshëm për profile dhe nivele të ndryshme formimi, kualifikimi dhe arsimi. Deri në 2030 ne do të përballemi me vështirësi shumë të madhe në sektorin privat për të gjetur punonjës, nëse ky fenomen nuk parandalohet nëpërmjet politikave strategjike frenuese, por edhe parandaluese. Nëse ky fenomen frenohet me rritjen e kapaciteteve dhe standardeve të kompanive të ndryshme të sektorit privat për të përmirësuar apo konsoliduar standardet e tyre në mbështetje të punonjësve si rrjedhojë e motivimit të tyre, klimës së nevojshme për promovim të brendshëm apo dhe elementëve të tjerë që lidhen me trajtimin e të ndjerit mirë në ambientin e punës në funksion të rritjes dhe zhvillimit profesional të punonjësve të tyre.”-shprehet eksperti Muça.

Nëse nga njëra anë kërkohen punonjës nga subjektet, nga ana tjetër vendi vazhdon të ketë një numër të konsiderueshëm të papunësh. Kjo disbalancë sipas ekspertëve ndodh.

“Mospërputhja e kërkesë-ofertës për punë lidhur me profesione, zanate konkrete në treg ndodh në rradhë të parë nga një hiperinflacion dhe një orientim i gabuar i formatit që kanë pasur programet dhe kurrikulat shkollore, përpara një mungese të identifikimit të prirjeve dhe talentit të zhvilluar që kanë pasur të rinjtë në moshë të hershme në pjesën e arsimit të tyre. Më pas mungesa e orientimit dhe këshillimit të duhur në karrierë ka shtyrë drejt profesioneve, zanateve apo kurseve të formimit që s’kanë pasur lidhje dhe nuk kanë qenë të orientuara drejt nevojave konkrete të tregut, për më tepër kanë pasur qasje dhe parime idealiste.”- thotë eksperti Muça.

Janë thuajse të gjithë sektorët, që shprehen se kanë vështirësi në gjetjen e punonjësve qoftë të kualifikuar, qoftë të rinj për t’i trajnuar vetë.

“Sigurisht studimet tregojnë që sektorët me shumë kërkesa dhe hapësira për punë në treg momentalisht janë sektori fason që ka një numër shumë të lartë vendesh vakante, sektori dhe industria e call center, që sigurisht ka shtuar apo rritur numrin e hapësirave të lira për vende vakante. Po ashtu është sektori i industrisë dhe turizmit, po ashtu dhe sektori i ndërtimit që ka një larmishmëri pozicionesh dhe hapësirash për punë tanimë në treg.”- shprehet eksperti.

Por ndërsa analizojmë shkaqët përse nuk ka punonjës, ekspertët theksojnë se duhet një analizë edhe nga vetë kompanitë për të parë shkaqet se përse nuk janë të rinjtë të motivuar për të punuar.

“Analiza është domosdoshmëri dhe imediate sidomos për ato kompani që kërkojnë punonjës dhe s’arrijnë dot të preferohen prej tyre. Kjo sepse një pjesë e mungesës së standardeve dhe imazhi i keq përhapen dhe përcillen shumë shpejt në treg në formën e multiplikatorëve negativë, që krijojnë një stereotip dhe një paragjykim për kompani specifike mbi standardet dhe mënyrën sesi i trajtojnë apo i mbështesin punonjësit përgjatë punës dhe çfarë pagash kanë, çfarë standardesh ofrojnë, çfarë paketash benefitesh plotësuese kanë, si i respektojnë të drejtat e punonjësve, sa të hapur dhe të gatshëm janë të respektojnë pushimet zyrtare për punonjësit e tyre, apo t’i ndihmojnë ata të zhvillohen profesionalisht brenda kompanisë, të jenë shumë fleksibël dhe të përshtatur me oraret me qëllim që t’i rregullojnë punonjësit e vetë, raportin midis punës dhe jetës sociale të tyre.”- shprehet eksperti Muça.

Të rinjte janë të prirur të analizojnë mirë kushtet e punës, pagën dhe të bëjnë një krahasim edhe me mundësite që ofrohen jashtë.

“Sot ekzistojnë më shumë mundësi dhe alternativa se ç’kanë ekzistuar para ca vitesh dhe aftësia apo vendmmarrja është bërë një proces analitik nga ana e punëkërkuesit. Ai vlerëson çdo opsion dhe mundësi qoftë brenda vendit, qoftë jashtë vendit për të arritur të marrë një përfitim të lartë dhe të mundë t’i kthehet investimit që ka bërë duke u shkolluar dhe duke u formuar në një formë apo në një tjetër në një pozicion pune adeguat, që lidhet me një punë cilësore në funksion të investimit që ka bërë te vetja.”- thotë eksperti.

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e katërt 2021, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç ishte 62,1 %. Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 2,1 %, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, dhe me 0,1 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2021. Në tremujorin e katërt 2021, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë mbi 15 vjeç, ishte 11,4 %. Niveli i papunësisë u ul me 1,9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, ndërsa është rritur me 1,0 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në tremujorin e katërt 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç ishte 70,4 %. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 1,7 pikë përqindje më e lartë.