Kina po përfshin në mënyrë aktive qasjen e saj “punësimi - i pari” në masat e saj pro-rritjes për të mbrojtur ekonominë ndaj ndikimeve të mundshme nga pasiguritë e shtuara.

Foto:VCG

Foto:VCG

Shkalla e papunësisë në popullsinë urbane të anketuar në Kinë qëndroi në 5.5 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, 0.1 pikë përqindje më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Statistikave (NBS).

Punësimi në Kinë ka mbetur përgjithësisht i qëndrueshëm që nga fillimi i këtij viti falë politikës së saj të punësimit dhe mbështetjes gjithnjë në rritje për bizneset në vështirësi, tha zëdhënësi i NBS-së, Fu Linghui (Fu Lin hui).

Punësimi dhe rritja ekonomike po përforcohen reciprokisht, kështu që krijimi i vendeve të punës është vënë në krye të agjendës së politikave. Politikëbërësit kinezë kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se siguria e punës dhe stabiliteti i çmimeve janë të dyja bazat kryesore për mbajtjen e treguesve kryesorë ekonomikë brenda një kufiri të përshtatshëm.

Përparësia ndaj punësimit i mundësoi Kinës të regjistrojë rritje prej 2.2 për qind në vitin 2020, duke e bërë atë ekonominë e vetme kryesore që ka arritur zgjerim pozitiv gjatë një viti kur shpërtheu pandemia e Covid 19. Ndërsa vendi nuk vendosi një objektiv numerik për rritjen e përgjithshme atë vit, ai synoi të krijonte mbi 9 milionë vende pune në zonat urbane dhe përfundoi duke shtuar 11 milionë.

Kina do të jetë në gjendje të arrijë rritjen e saj të mundshme ekonomike për aq kohë sa mund të realizojë punësim maksimal, vuri në dukje kryeministri Li Keqiang (Li Këqian) pas seancës vjetore legjislative të Kinës në mars të këtij viti.

"Këtë vit, ne do të përshpejtojmë zbatimin e politikave makro dhe do të fokusojmë politikat tona fiskale dhe monetare në arritjen e objektivave të punësimit",- tha Li.

Foto:VCG

Foto:VCG

Tregu i punës u qetësua në mars pas një fillimi të fortë në dy muajt e parë, me normën e papunësisë së popullsisë urbane që u rrit me 0.3 pikë përqindjeje nga shkurti, në 5.8 për qind, ndërsa shkalla e papunësisë midis personave të moshës 16 dhe 24 vjeç qëndroi në 16 për qind.

Numri i punëkërkuesve urbanë në vitin 2022 është më i larti në vite, ku përfshihet një rekord prej 10.76 milionë të diplomuar në kolegj. Ndërkohë, kompanitë që mbajnë barrën e një situate komplekse globale dhe shpërthimet sporadike lokale të Covid 19 po reduktojnë punësimet.

Shifrat e papunësisë në mars e kanë shtyrë Kinën të bëjë përpjekje shtesë për të arritur qëllimet e saj vjetore të krijimit të vendeve të punës, pasi gjatë këtij muaji kompanitë zakonisht rifillojnë punësimin pas festës së Vitit të Ri Kinez, tha Zeng Xiangquan (Cen Shian quan), një studiues në Universitetin Renmin të Kinës.

Kina synon të krijojë mbi 11 milionë vende të reja pune për popullsinë urbane dhe të mbajë një normë papunësie urbane të anketuar prej jo më shumë se 5.5 për qind në vitin 2022, sipas një raporti të punës së qeverisë.

Për këtë qëllim, autoritetet kineze po përpiqen të rigjallërojnë njësitë e tregut, të sigurojnë punësim për grupet kryesore dhe të mbështesin punësimin fleksibël.

Duke vënë në dukje se firmat e vogla dhe të mesme ofrojnë rreth 80 për qind të vendeve të punës në vend, Yi Gang (Ji Gan), guvernatori i Bankës Popullore të Kinës, tha se banka qendrore do të vazhdojë të krijojë financa gjithëpërfshirëse për këto kompani.

Banka qendrore njoftoi uljen e raportit të rezervës së detyruar për institucionet financiare me 0.25 për qind nga e hëna për të forcuar mbështetjen financiare për sektorët e prekur nga epidemia dhe firmat më të vogla.

“Qëllimi kryesor i politikës monetare të Kinës është mbajtja e çmimeve dhe punësimit në nivele të qëndrueshme ”,- tha Yi (Ji).

Foto:VCG

Foto:VCG

Në frontin fiskal, Kina u zotua të zbatojë një rimbursim të kredisë së tatimit mbi vlerën e shtuar me vlerë rreth 1.5 trilion juanë (rreth 232 miliardë dollarë amerikanë), të shtyjë pagesat e primeve të sigurimit të pleqërisë dhe të rimbursojë më shumë primet e sigurimit të papunësisë dhe të sigurojë subvencione trajnimi për firmat e vogla. Këto masa ndihmojnë në kursimin e kostove për firmat në mënyrë që ato të kenë më shumë nxitje për të mbajtur stafin e tyre.

Për të ndihmuar punëkërkuesit që të përgatiten më mirë për tregun e punës, Kina do t'u sigurojë atyre jo më pak se 1 milion trajnime këtë vit dhe do t'i lejojë lokalitetet të përdorin balancën e fondeve të sigurimit të punësimit për të mbështetur programet e formimit profesional.

Vëmendje e veçantë po u kushtohet grupeve kryesore të punëkërkuesve. Vendi synon të shtojë 2 milionë vende pune me cilësi të lartë për të diplomuarit dhe të sigurojë që jo më pak se 30 milionë njerëz që kanë dalë nga varfëria të punësohen këtë vit.

Kina synon të arrijë një rritje ekonomike prej 5.5 për qind në vitin 2022, me çdo pikë përqindje rritjeje që pritet të ndihmojë në gjenerimin e mbi 2 milionë vendeve të punës.