Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka publikuar statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar “Tregtarit të Besueshëm” për 8 kompani shqiptare në sektorin e prodhimit dhe tregtisë. Sipas tabelës së detajuara nga dikasteri i doganave janë kompanitë Rozafa, Intertrade & Distribution, Interbrands, Marketing and Distributions, Euroalb International Group, Mektroin Motors, Gener 2 dhe Doni Fruits që kanë fituar statusin e privilegjuar çka nënkupton besueshmëri sidomos në marrëdhëniet e tregtisë me jashtë. Kompanitë shqiptare kanë fituar statusin “OEA-S” për sigurinë dhe mbrojtjen, që nënkupton një operator ekonomik të autorizuar për lehtësira në kontrolle doganore. Nëse një nga këto kompani kërkon të përfitojë një thjeshtim/regjim, dogana nuk shqyrton kushtet apo kriteret.


Bisedimet me kreun e OBD (Foto nga Doganat)

Bisedimet me kreun e OBD (Foto nga Doganat)

Për të gjitha kompanitë që duan të marrin këtë privilegj theksohet se Operatori Ekonomik i Autorizuar është një status i lëshuar për “tregtarët me besueshmëri”, të cilët mund të përfitojnë nga shumë thjeshtime doganore.

Sipas Kodit Doganor Shqiptar, janë dy lloje statusi për OEA që mund të lëshohen“OEA-D për thjeshtime doganore: nënkupton një operator ekonomik të autorizuar për thjeshtësime doganore. Ndërsa “OEA-S për sigurinë dhe mbrojtjen nënkupton një operator ekonomik të autorizuar për lehtësira në kontrolle doganore. Nëse një OEA kërkon të përfitojë një thjeshtim/regjim, dogana nuk shqyrton kushtet apo kriteret.

Administrata Doganore Shqiptare ka vënë në zbatim statusin Operatori Ekonomik i Autorizuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe për këtë qëllim është nënshkruar një Marrëveshje për Njohje të Përbashkët me shtetet e CEFTA-s me kusht bazën ligjore dhe zbatimin në përputhje me BE - në, ku palët në CEFTA informojnë njëra-tjetrën në lidhje me identitetin e OEA-ve.


Takimi i përfaqësuesve të Doganave Shqiptare me ndërkombëtarët (Foto Doganat)

Takimi i përfaqësuesve të Doganave Shqiptare me ndërkombëtarët (Foto Doganat)

Janë të shumta përfitimet që merren nga statusi Operatorit Ekonomik të Autorizuar.

Një trajtim më i favorshëm në lidhje me vlerësimin e riskut dhe kontrollet : Më pak kontrolle fizike dhe të dokumentacionit në krahasim me operatorët ekonomikë të tjerë; Trajtim prioritar dhe njoftim prioritar në rast seleksionimi për kontroll doganor ; Mundësi për të kërkuar hapësira specifike përveç zyrave doganore për kontrollet e doganës. Një akses i thjeshtuar apo ekskluziv për disa thjeshtime doganore : Reduktim i nivelit të garancisë apo përjashtim nga garancia; Thjeshtime në transit; Thjeshtime në vlerë; Autorizim për deklarata të thjeshtuara etj.Marrëveshje për njohje të përbashkët me shtete të tjera.

Por çdo kompani që të përfitojë këtë status duhet të plotësojë disa kritere. Të mos ketë kryer shkelje të rënda apo të përseritura të legjislacionit doganor dhe rregullave tatimore; Të ketë një sistem menaxhimi tregtar, dhe nëse është e nevojshme regjistra transporti, të cilat lejojnë kryerjen e kontrolleve doganore të përshtatshme; Të ketë aftësi të mira paguese; Të ketë standarde praktike dhe kompetenca ose kualifikime profesionale .


Një kompani Operatori Ekonomik i Autorizuar përfiton lehtësira në kontrolle gjatë hyrje- daljeve të mallrava në territorin shqiptar. Statusi i OEA-ve është adoptuar fillimisht në kuadrin e Partneritetit Doganë-Biznes nga Organizata Botërore e Doganave në vitet 2000. Së fundmi Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave, Kunio Mikyriya dhe Drejtori për Zhvillimin Rajonal për Rajonin e Evropës Dashgin Aliyev zhvilluan një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri. Drejtuesit e lartë fillimisht u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare Genti Gazheli, i cili pas falënderimeve që i bëri z. Mikyriya, për vlerësimin e kësaj vizite, e njohu atë më arritjet e Administratës Doganore Shqiptare, të cilat janë të prekshme dhe i përgjigjen vizionit për të përballuar sfidat në të ardhmen e afërt.


“Përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së, ka bërë që në vitet e fundit ADSH të përmirësojë ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve dhe biznesit. Tashmë deklarimin on-line është realitet dhe ‘Nënshkrimin Elektronik’ është një element thelbësor që i paraprin procesit të gjerë dhe shumë të rëndësishëm të ‘deklarimit pa letra në doganë’, tha Gazheli, duke theksuar se thjeshtimi i procedurave dhe dokumentacionit për dhënien e lejeve dhe licencave për qytetarët dhe bizneset ka minimizuar kostot që lidhen me burokracinë e strukturave shtetërore, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në atë kohor”.

Gjatë dy viteve sfiduese për shkak të pandemisë Covid-19, u shpreh Gazheli, Drejtoria e Doganave ka qenë në shërbim 24/7 të biznesit, për të lehtësuar eksportet dhe importet, duke bërë përpjekje maksimale në funksionet e saj të kontrollit, duke siguruar trajtim të barabartë, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe lehtësimin e tregtisë së jashtme.

Kreu i Doganave Gazheli dhe ai i OBD (Foto nga Doganat)

Kreu i Doganave Gazheli dhe ai i OBD (Foto nga Doganat)

Ndërsa Kreu i OBD, Mikyria, vlerësoi se Dogana Shqiptare ka shënuar progres në vitet e fundit në termat e standardeve ndërkombëtare dhe të BE, në përmirësimin dhe futjen e teknologjive të reja dhe në zhvillimin e burimeve njerëzore.

Është e rëndësishme ofrimi i shërbimeve bazuar në besimin e biznesit. Prandaj këtë progres kam vërejtur gjatë vizitës sime, ku në ndryshim nga vizita ime 10 vjet më parë, ndjej se ekonomia shqiptare është më shumë premtuese në kushtet e integrimit europian, në kushtet e tërheqjes së njerëzve dhe investimeve, por gjithashtu edhe tërheqjen e turistëve. Unë shoh një potencial të madh për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë, prandaj përmirësimi i vazhdueshëm i institucioneve publike, si Dogana është i rëndësishëm për të mbajtur këtë trend pozitiv dhe premtues”, tha Mikyria.

Kjo është hera e dytë që Kreu i Organizatës Botërore të Doganave viziton Shqipërinë. Shqipëria është anëtarësuar në OBD që nga viti 1992, ku aderon në konventat kryesore të kësaj organizate, si Konventa Ndërkombëtare për Kodimin dhe Përshkrimin e Harmonizuar të Mallrave, Konventa e Rishikuar e Kiotos. Që nga viti 2007 Shqipëria respekton detyrimin për të përditësuar Sistemin e Harmonizuar çdo 1 janar dhe përditësimi i fundit ka hyrë në fuqi më 1 janar 2022.