Foto:VCG

Foto:VCG

Mjedisi i biznesit është një tregues i rëndësishëm për ndërmarrjet që zgjedhin destinacionin e bashkëpunimit tregtar dhe atij i është kushtuar gjithmonë rëndësi e madhe nga pushteti vendor dhe qeveria qendrore e Kinës.

Të dhënat tregojnë që në vitin 2021, mjedisi i biznesit i Kinës është ngritur në vendin e 31-të në botë dhe sipas sondazheve nga dhomat e huaja të biznesit në Kinë, për shumë vjet me radhë, Kina është bërë destinacioni më i mirë në botë për investime. Më 2021, kompanitë e huaja në Kinë kanë vazhduar prirjen e stabilizimit, me hapjen e 61 mijë bizneseve të reja, 23.3 % më shumë se në vitin 2020.

Në ditën e parë të punës të këtij viti, provinca Jiangxi e Kinës Jugore deklaroi që për këtë vit, përmirësimi i mjedisit tregtar do të përcaktohet si projekti nr. 1 i reformave. Po atë ditë, provinca Jilin e Kinës Verilindore zhvilloi konferencën e posaçme për shpejtimin e përmirësimit të mjedisit të biznesit, ku u theksua që mjedisi i biznesit është oksigjeni jetik për ndërmarrjet dhe burimi i gjallërisë ekonomike, prandaj sektorët e ndryshëm duhet ta konsiderojnë përmirësimin e tij si “një projekt që kurrë nuk ka fund”.

Nga qeveria qendrore deri në krahinat e ndryshme, janë publikuar dokumente përkatëse, me synim që të zgjidhen problemet që ekzistojnë në bizneset e ndërmarrjeve.

Në raportin e punës së qeverisë për vitin 2022 vihet në dukje që do të vazhdojë lehtësimi i hyrjes në treg, do të forcohet qeverisja në platformat digjitale, do të nxitet ndarja e të dhënave lidhur me punët qeveritare, do të pakësohet më tej numri i llojeve të ndryshme të certifikatave, do të zgjerohet sfera e administrimit ndërkrahinor, do të realizohet njohja e patentave dhe dokumenteve elektronike, do të krijohen lehtësi për ndërmarrjet që kanë biznese ndërkrahinore dhe do të shpejtohet zgjidhja e problemeve konkrete për këto ndërmarrje.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në shtator 2021 qeveria kineze përcaktoi gjashtë pika eksperimentale për inovacionin e mjedisit të biznesit, në Pekin, Shangai, Chongqing, Guangzhou, Shenzhen dhe Hangzhou.

Si një nga këto pika eksperimentale, Hangzhou publikoi zyrtarisht në shkurtin e sivjetshëm projektin e zbatimit për inovacionin kombëtar të mjedisit të biznesit, duke përfshirë 153 pika të hollësishme reformash. Ndër to, pika nr. 1 është heqja e kufizimeve të paarsyeshme, si ndarja mes krahinave, mbrojtja lokale, si edhe pragu e pengesat e fshehura në procesin e ankandit dhe blerjeve.

Për krijimin e një mjedisi më të mirë biznesi, duhet të ulet kostoja për ndërmarrjet dhe të ofrohet mbështetje për të kaluar periudhën e vështirë.

Në raportin e punës së qeverisë, kryeministri kinez vuri në dukje që këtë vit do të nxitet ulja e kostos së ndërmarrjeve në prodhim dhe do të mbështeten ndërmarrjet e prekura rëndë nga epidemia që të përballojnë më lehtë ndikimet negative.

Anëtari i Asamblesë Kombëtare Popullore, Wang Shiling, thotë: “Departamentet qeveritare dhe sektori bankar nuk duhet të japin vetëm ‘favorizim shtesë’, por edhe ‘mbështetje të ngrohtë'. Duhet të hiqen sa më shumë ngarkesat e ndërmarrjeve në financim dhe kosto. Kështu, ndërmarrjet mund të bëjnë biznes me një barrë më të lehtësuar”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Lidhur me të ashtuquajturën "mbështetje e ngrohtë", qeveria kineze ka treguar sinqeritet të mjaftueshëm në raportin e punës, ku parashikohet që sivjet, niveli i uljes së tatimeve dhe i kthimit të taksave do të jetë 2.5 trilionë juanë dhe të gjitha taksat e kthyera do të shkojnë drejtpërdrejt te ndërmarrjet. Krahas kësaj, është kërkuar që të garantohet zbatimi i plotë i masave favorizuese tatimore, me synim që të ndihmohen ndërmarrjet të rigjallërohen.

Krahas tatimeve, do të merren masa edhe në fusha të tjera për uljen e kostos së ndërmarrjeve. Disa ndërmarrje kërkojnë që për përmirësimin e mjedisit të biznesit, t'u kushtohet rëndësi edhe financimit të tyre. Sipërmarrësit thonë që kompanitë kanë më shumë shqetësime në lidhje me financimin bankar, si kufizimi e pakësimi i dhënies së kredive, e madje edhe ndërprerja e kreditimit.

Lidhur me këtë, në raportin e punës është theksuar që Kina do të vazhdojë të ofrojë mbështetje financiare për ndërmarrjet dhe sektorët e prekur rëndë nga epidemia, për të shmangur dukuritë si kufizimi, pakësimi a ndërprerja e kredidhënies. (Jiang Lei)