Rreziqet me të cilat mund të përballet ekonomia shqiptare, në vijim të përshkallëzimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, si dhe masat e nevojshme për përballimin e situates ishin në fokus të takimit të zhvilluar mes Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Guvernatori Sejko dhe Ministrja Ibrahimaj në takim (Foto Banka e Shqipërisë)

Guvernatori Sejko dhe Ministrja Ibrahimaj në takim (Foto Banka e Shqipërisë)

Ndikimi i këtij konflikti në ekonominë botërore ka filluar të jetë i dukshëm, si në drejtim të rritjes së çmimeve të disa artikujve bazë, ashtu dhe në drejtim të rritjes së pasigurisë së investitorëve dhe të tregjeve financiare.

Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë njoftojnë se po punojnë, me intensitet dhe përgjegjshmëri, për të vlerësuar ekspozimin ekonomik, tregtar e financiar të Shqipërisë ndaj vendeve të përfshira në konflikt, si dhe ndikimin e tij në të ardhmen. Vlerësimet e deritanishme sugjerojnë se shëndeti ekonomik dhe financiar i vendit mbetet solid dhe impakti i tensionit gjeopolitik pritet të jetë i kufizuar dhe i administrueshëm.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat Banka e Shqipërisë vlerëson se “në tërësinë e tij ekspozimi direkt tregtar dhe ekonomik i Shqipërisë ndaj Rusisë dhe Ukrainës është i ulët. Po ashtu, stabiliteti ekonomik dhe financiar i vendit është i konsoliduar. Kursi i këmbimit shfaqet i qëndrueshëm dhe rezerva valutore mbetet në nivel të mjaftueshëm. Në veçanti, veprimtaria e sektorit bankar zhvillohet në mënyrë normale, me tregues të mirë kapitalizimi, likuiditeti dhe performance, si dhe ekspozim të ulët ndaj rajonit në konflikt”. Gjithashtu në këtë takim mes palëve theksohet:

Guvernatori Gent Sejko në takim (Foto Banka e Shqipërisë )

Guvernatori Gent Sejko në takim (Foto Banka e Shqipërisë )

“Testet tona paraprake të rezistencës tregojnë se ekonomia shqiptare ka hapësira të mjaftueshme për t’u rezistuar goditjeve të mundshme që vijnë nga ekspozimi direkt me vendet në konflikt. Këto goditje mund të burojnë nga reduktimi apo ndërprerja e flukseve tregtare, nga rritja e çmimeve për produkte të caktuara apo nga rritja e pasigurisë në tregjet financiare ndërkombëtare. Në rast se konflikti mbetet i përmbajtur, në dimensionet e tij kohore dhe gjeografike, këto goditje do të lenë vetëm gjurmë kalimtare në aktivitetin ekonomik dhe në inflacion. “- thuhet ne qëndrimin e Bankës Qendore dhe Ministrisë së Financave.

Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndanë opinionin se vëmendja e politikës monetare dhe fiskale duhet të orientohet drejt ruajtjes së ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit, duke përdorur instrumentet dhe hapësirën e mjaftueshme në dispozicion për të zbutur goditjet e mundshme. Në vijim, të dy institucionet u shprehën të gatshme të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për të minimizuar efektet negative të mundshme. Veprimi i koordinuar do të jetë vendimtar për të zbutur rreziqet dhe për të lundruar më të sigurt në periudhën sfiduese që vjen.

Po ashtu, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndanë opinionin se situata duhet të vijojë të monitorohet me kujdes. Përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës dhe zgjerimi potencial i konfliktit në vende të tjera do të prodhonte një realitet të ri ekonomik dhe do të kërkonte marrjen e masave më gjithëpërfshirëse për administrimin e situatës.

E ndërsa Banka e Shqipërisë dhe vetë dikasteri i financave lajmërojnë për efektet e para në ekonomi sa i pëket çmimeve, edhe ekspertët e ekonomisë si kërcënim kryesor që vjen nga lufta shohin pikërisht inflacionin. Në një intervistë televizive eksperti Rezart Prifti deklaroi se ky është një nga problemet më të mëdha.

Takimi në Bankën e Shqipërisë (Foto Banka e Shqipërisë)

Takimi në Bankën e Shqipërisë (Foto Banka e Shqipërisë)

“Fizolofikisht pjesa e luftës ose më saktë zhvillimet e botës nuk janë bazuar ndonjëherë në sensin e drejtësisë apo meritrokacisë, zhvillimi i botës është bazuar në sakrifica. Në aspektin ekonomik do të ndalesha së pari te pjesa makro që janë tre elementë kryesorë. I parë është inflacioni. Lufta gjithmonë sjell inflacion. Elementi i dytë, pjesa e ndërprjerjes së rrjetit logjistik, të shpërndarjes së gjithë botës. Ishte dhe është në krizë për shkak të pandemisë së Covid-it. E treta ka të bëjë me pjesën e çmimeve”- thotë eksperti Prifti.

E nëse flaism specifikisht për ndikimin eksperti Prifti sqaron:

“Po të vimë te Shqipëria mbetet më specifike situata për dy gjëra. Konteksti i parë është që ne si vend nuk jemi pjesë e rrjeteve globale të financave etj. Ne kemi një farë lidhje nga eksportet që marrim produktet bazë, por ne nuk ndikohemi shumë ” shprehet Prifti.