Bianka Dervishi është shqiptarja e cila ushtron profesionin e kamionistes në Itali. Ajo ka treguar se ishte 19-vjeç kur hipi për herë të parë në kamion e që nga ajo kohë nuk i është ndarë më. Fillimet e saj nuk ishin të lehta, por vajza ka treguar se ka pasur mbështetjen e familjes për t’u marrë me këtë aktivitet.

Bianka para kamionit që drejton (Probizz)

Bianka para kamionit që drejton (Probizz)

Historia e Biankës ka të bëjë jo vetëm me suksesin e një vajze që ja del më së miri të ushtrojë aktivitetin e saj si shofere profesioniste kamioni, por edhe si një nga vajzat shqiptare që po thyen tabu duke u futur në një terren pune, të njohur si mashkullor. Bianka na tregon rrugëtimin e saj në këtë profesion që është i kënaqshëm për të ardhurat që sjell, por jep edhe adrenalinë.

“Unë jetoj prej 16 vitesh në Itali. Kam jetuar 4 vite në Gjermani dhe profesioni im në fillim nisi si parukiere. Bëra dy vite shkollë te një shkolle italiane dhe madje e praktikova për një periudhë jo shumë të gjatë. Aty u ndjeva mire, por jo dhe aq, sepse nuk u ndjeja si zanatin tim. Unë qysh e vogël kisha pasion makinat, shpejtësinë, motorrët, mjetet e mëdha. I adhuroja mjetet dhe shkoja shpesh me një familjarin tim me kamion. Një ditë të bukur ai vendosi që të më linte mua kamionin. Në atë moment unë mora kamionin, e emocionuar pa asnjë frikë dhe eci një rrugë të gjatë. Aty të them të drejtën u fiksova dhe u dashurova shumë me kamionin. Dua të theksoj se nga ai moment mendova se ajo është puna ime që unë duhet të bëj dhe që unë ndjehesha me të vërtetë vetvetja. Nga kamioni shihje një panoramë që ti me makinë nuk e shikon. Unë u dashurova dhe vendosa që të filloj një shkollë dhe u interesova për patentat”- tregon Bianka

Bianka (foto personale)

Bianka (foto personale)

Nuk ka qenë e lehtë për Biankën të pozicionohet në këtë punë ku dominon gjinia mashkullore.

“Hera e parë që shkova në kurs të patentës isha ulur në një cep dhe aty ishin 21 burra. Hyri instruktori dhe pasi më pa më thotë: “Mos ke ngatërruar gjë sallë?” Unë iu përgjigja: “Jo, jo, jam në sallën e duhur.” Edhe të tjerët më shikonin me habi madje në një moment më tha mësuesi: “Bianka ty duhet të të bëjmë kurs në një sallë veç, sepse këtu asnjë s’po mëson.” Ishte dita e parë dhe më shikonin me habi dhe nuk e kishin mendjen te mësimi. Unë pak nga pak, dita-ditës fitova respektin e tyre. E panë që isha një person me karakter, e panë që isha shumë e vendosur dhe brenda një viti unë arrita t’i marr të gjitha patentat. Në fillim dhe shoqëria ime, shumë nga të afërmit e mi nuk besonin se unë do të merrja këtë guxim, do të merrja këtë iniciativë për të ngarë kamionin. “- thotë Bianka.

Shenjat e para që do të kishte sukses në këtë punë, Bianka i mori që në kursin që ndiqte.

“Të gjitha provimet i kam marrë që për herë të pare. Ndoshta më ka ndihmuar Zoti, apo pasioni që kisha për mjetet. Madje kur dhashë provën e parë si kamioniste, instruktori më tha: “Bianka nëse një ditë do të kesh nevojë për punë, hajde këtu të bësh instruktoren sepse je vërtetë shumë e mirë për këtë punë. Ke një siguri, je e sigurtë në timon.” Unë qesha dhe thashë “Po, pse jo?””- shprehet Bianka

Bianka me kamionin e saj (foto personale)

Bianka me kamionin e saj (foto personale)

Bianka Dervishi është rasti tipik që na dëshmon se ka ardhur koha që vajzat mund të zgjedhin profesionin që duan, të lira, pa u paragjykuar, me dëshirën dhe besimin për të bërë gjëra të mëdha. Puna për Biankën nuk ka gjini, por përqëndrim, përkushtim pasion, siguri dhe krenari.

“Ishte diçka shumë e bukur për mua që të më kërkojnë të bëhem instruktore sepse tregon që unë i përshtatem kësaj pune. Të them të drejtën të bëhesh kamioniste është një punë shumë e bukur, por shumë stresuese dhe do shumë guxim. Kjo punë duhet të bëhet me pasion, jo ta bësh sepse je e detyruar ta bësh. Nëse ti këtë punë e bën me pasion, të duket shmë e lehtë. Mendoj që kjo punë nuk i përket vetëm burrave, por dhe ne femrat mund t’ia dalim të bëjmë këtë punë. Mendoj që çdo punë nuk ka dallim për meshkuj apo për femra. Çdo punë arrijmë ta bëjmë të gjithë, nëse vërtetë e duam atë punë. “- përfundon rrëfimin kamionistja shqiptare Bianka Dervishi.

Bianka në kamionin e saj (Dritare)

Bianka në kamionin e saj (Dritare)

Bianka na tregoi se pagat për një shofer kamioni në Itali variojnë nga 2000 euro e lart.