Janë të shumtë fermerët që janë ngritur në protesta për shkak të rritjes së çmimeve të plehrave kimikë dhe inputeve bujqësore, për subvencionet diskriminuese sipas tyre dhe për rritjen e çmimit të naftës. Fermerë nga Devolli, nga qarqet e Beratit, Fierit dhe Përmetit kanë protestuar ditët e fundit, duke kërkuar mbështetje nga qeveria me subvencione për rritjen e kostove të prodhimit dhe vënien në vështirësi. Në një intervistë për mediat Kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Prodhuesit Vendorë Ervin Resuli tregon situatën e vështirë në të cilën ndodhet fermerët e serave dhe blegtorët në fshatra të ndryshëm të Shqipërisë.

Fëmijë pjesmarrës në protestën e fermerëve (Foto nga E. Resuli)

Fëmijë pjesmarrës në protestën e fermerëve (Foto nga E. Resuli)

“Përvec pozicionit të presidentit të Prodhuesve Blegtorë jam edhe fermer dhe dashur pa dashur më përfshin në të gjithë problematikat që ka sot bujqësia dhe blegtoria në Shqipëri. Në fakt bujqësia dhe blegtoria është ndeshur gjatë vitit 2021 por dhe në fillim të 2022 me një katapultim apo trefishim dhe katërfishim të çmimeve, duke filluar nga inputet bujqësore, plehrat kimikë, farërat, fidanët, ushqimet për blegtorinë. Gjithashtu kanë pësuar rritje sidomos drithërat dhe në totalin e këtyre ngarkesave fermerët dhe blegtorët sot gjenden përballë vështirësisë për të prodhuar apo për të bërë punën e tyre dhe kanë filluar protestat, si lëvizje ku kanë shprehur vështirësitë, Në fund të fundit qëllimi ky është, për të thënë që ky sektor është shumë i vështirë dhe ky sektor kërkon vëmendje”- tha Resuli

Sipas tij thirrja e fermerëve për mbështetje është e hershme, që kur ata kanë ndjerë ndryshimet e çmimeve.

“Absolutisht nuk diskutohet që çmimet kanë një rritje dhe jashtë territorit të Shqipërisë, por mos të harrojmë se fermerët dhe blegtorët shqiptarët kanë të paktën 3 apo 4 vjet në rrugë, duke i paraprirë edhe këtyre krizave që po ndodhin, por dhe duke paralajmëruar që ky sektor gjendet në një lloj vështirësie, apo ky sektor kërkon vëmendjen dhe ndihmën e duhur”, thekson ai.

Sa i përket mbështetjeve të fermerëve me subvencione, Kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Prodhuesit Vendorë thotë se janë të pamjaftueshme për të nxjerrë sektorin nga vështirësia.

Fermerët në protestë (Foto nga E. Resuli)

Fermerët në protestë (Foto nga E. Resuli)

“Është publikuar VKM-ja e qeverisë shqiptare, e cila ka shpallur apo ka zbardhur skemat mbështetëse përsa i përket bujqësisë dhe blegtorisë. Në fakt nëse do t’i hedhim një sy dhe e krahasojmë me skemat e mëparshme nuk është se ka ndonjë ndryshim thelbësor në aspektin se si mund të dalë bujqësia dhe blegtoria nga kriza, apo sesi vërtet këto para do u vijnë në ndihmë fermerëve apo blegtorëve tanë. Nëse do ta shohim aty kemi mbështetje për krerët që ka qenë dhe vjet dhe parvjet dhe në vazhdim, mbështetja për bujqësinë ka qenë pothuajse e njëjta përsa i përket serave dhe në vazhdim. Pra dashur padashur jemi në një përsëritje të skemave mbështetëse të viteve të shkuara dhe nuk kemi një risi apo diçka që të themi se vërtet kjo është thelbësore dhe mund të zgjidhë këtë situate, në të cilën gjendet sot bujqësia dhe blegtoria.

Ndërsa përsa i përket skemës së naftës normalisht vjet kanë qenë 10 milion euro në dispozicion, ndërsa sivjet di që janë diku te 7.8 milion euro në dispozicion për skemën e naftës. Kjo do të thotë që kemi më pak para për skemën e naftës, por nëse do ta marrim në konsideratë nga 62’000 biznese apo fermerë të regjistruar te tatimet me Nipt fermeri, vjet kanë përfituar nga skema e naftës rreth 20’000, gati 1/3 e fermerëve që prodhojnë për vendin tonë. Nuk është një skemë gjithëpërfshirëse dhe nuk është një skemë që mendojmë se do të ndikojë apo do të ulë çmimin e mekanikës bujqësore, punimit të tokave apo shërbimeve të ndryshme që bëhen me mekanikën bujqësore”, ka vënë në dukje Resuli.

Fermerët duke protestuar (Foto nga E. Resuli)

Fermerët duke protestuar (Foto nga E. Resuli)

Ai ndalet edhe tek skema e mbështetjes me naftë.

“Kriteret që kërkohen për skemën e naftës një pjesë e mirë nuk përmbushen nga fermerët dhe blegtorët në Shqipëri për të vetmen arsye sepse duke filluar që nga certifikimi i tokës, kontratat e qirasë, fragmentizimi i tokës bujqësore, janë shumë të shpërndarë, me shumë pronarë në këtë sipërfaqe, çka e bën jo eficiente skemën e naftës.- shprehet Resuli

Ekspertët thonë se fermerët janë të detyruar të dalin në protesta për arsye të rrethanave ekonomike. Për në vijim paralajmërohet rritje e çmimeve për konsumatorët.

“Konsumatori shqiptar do të përballet me dy gjëra në vazhdimësi. E para janë çmimet e larta që priten. Nëse mbillet, korret dhe prodhohet me kosto të lartë detyrimisht do të reflektohet në çmim. E dyta, nëse fermerët vërtet do të shpallin falimentin apo nuk do të kultivojnë më tokat e tyre, do të përballemi edhe me një mungesë të produkteve bazë të nevojave tonë nëpër markete dhe dyqane”, thekson ai.

Bujqësia po venitet për shkak edhe të largimit të të rinjve. Sipas ekspertëve moshat e reja nuk janë të motivuara të merren me bujqësi.

“Nëse do t’i referohemi të dhënave, fshati është ai që ka emigracionin më të madh në vitet e fundit dhe jo vetëm. Përveç se ikja e rinisë apo krahut vital për punën, që mund të mbajë bujqësinë dhe blegtorinë, duke marrë në konsideratë që është një sektor që kërkon një lloj forme dhe forcë fizike për ta menaxhuar apo administruar. Po t’i referohemi INSTAT-it ne kemi përgjysmim të numrit të krerëve dhe kjo normalisht ka ardhur si rezultat që ky biznes nuk është më rentabël dhe nuk krijon më të ardhura për familjen, fermerët apo të rinjtë, të cilët detyrohen ta braktisin fshatin dhe të shkojnë të punojnë në Gjermani, Greqi”, thotë Resuli.

Ervin Resuli(foto personale)

Ervin Resuli(foto personale)

E ndërsa një pjesë e femerëve kanë protestuar, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural Frida Krifca ka takuar fermerët. Ajo u ka prezantuar mënyrat se si mund të përfitojnë mbështetje me subvencione. qoftë për naftën ashtu edhe për inputet.

“Hapim shumë shpejt brenda këtij muaji aplikimet në Skemën Kombëtare, që ka në fokus mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve, për uljen e kostove të prodhimit nëpërmjet skemës së naftës pa taksa, por edhe për inputet bujqësore. 19 mijë fermerë përfituan vitin e kaluar nga skema e naftës pa taksa dhe këtë vit duam ta shtojmë numrin e përfituesve. Së bashku me bashkitë, të cilat kanë një rol shumë të madh, duam të hapim plaforma të reja të shitjes së produktit, tregje ku fermerët rrisin fuqinë e tyre. Është e rëndësishme që ta bëni aplikimin që në fillim. Mos humbni kohë! Edhe për naftën, edhe për serrat, edhe për inputet, mbani faturën me vete!”, u shpreh ministrja Krifca.

Ministra u ndal edhe tek platformat mbi shitjen e produkteve në bashkëpunim me pushtetin lokal, të cilat do të ndihmojnë fermerët ta kenë një treg ku të drejtohen për prodhimet që kultivojnë.