Ekonomia e vendeve të Bashkimit Evropian po rimëkëmbet nga kriza e pandemisë më shpejt nga sa parashikohej. Komisioni Evropian, parashikon, që pavarësisht nga rreziqet e pandemisë, ekonomia e Eurozonës parashikohet të zgjerohet duke arritur një normë rritje prej 4.3% në vitin 2022 dhe 2.5% më 2023-shin. Por, ky skenar varet nga dy faktorë: ecuris e Covid-19 dhe ritmi me të cilin oferta do të përshtatet me rimëkëmbjen e shpejtë të kërkesës në ekonomi.

Plani i KE për rimëmbjen ekonomike (Foto Google)

Plani i KE për rimëmbjen ekonomike (Foto Google)

Shkalla e rritjes së prodhimit të brendshëm brutor në Bashkimin Evropian në tremujorin e dytë të vitit 2021, ishte në një nivel rekord, një rritje po aq e lartë sa shifra e rënies së PBB-së në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, gjatë valës së parë të pandemisë. Ekonomia e BE-së arriti nivelin e prodhimit para pandemisë në tremujorin e tretë të vitit 2021 dhe kaloi nga rimëkëmbja në zgjerim. Kërkesa e brendshme do të vazhdojë të nxisë këtë zgjerim.

Rimëkëmbja e tregjeve të punës dhe rënia e rezervave të kursimeve pritet të kontribuojnë në një ritëm të qëndrueshëm të shpenzimeve të konsumatorëve. Zbatimi i Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (RRF) po fillon të luajë rol të rëndësishëm në nxitjen e investimeve private dhe publike.

Megjithatë, rritja ekonomike përballet me rreziqe të reja. Pengesat dhe ndërprerjet në furnizimin global po rëndojnë mbi aktivitetin ekonomik në BE, veçanërisht në sektorin e prodhimit, që është tejet i integruar. Për më tepër, pasi u ulën shumë në vitin 2020, çmimet e energjisë, veçanërisht të gazit natyror, janë rritur shumë muajin e kaluar dhe tani janë mbi nivelet para pandemike. Kjo pritet të ndikojë mbi konsumin dhe investimet. Varianti Omicron ka rritur akoma më shumë pasiguritë.

Tregu i punës në vendet e BE-së u përmirësua dukshëm falë lehtësimit të masave kufizuese ndaj aktiviteteve që lidhen me konsumatorët. Në tremujorin e dytë 2021, ekonomia e BE-së krijoi rreth 1.5 milionë vende të reja pune, shumë punëtorë dolën nga skemat e ndihmës për të papunët dhe shkalla e papunësisë u ul. Megjithatë, numri i përgjithshëm i punonjësve në BE ishte ende 1% më i ulët se niveli para pandemisë.

Që atëherë, papunësia është ulur edhe më tepër. Në gusht, shkalla e papunësisë ishte 6.8%, një nivel mbi normën e regjistruar në fund të vitit 2019. Të dhënat e publikuara pas datës së fundit të parashikimit, tregojnë se papunësia ka rënë paksa më shumë në shtator.

Sondazhet e biznesit të Komisionit Evropian, përcjellë edhe nga “Monitor”, zbulojnë mungesa në tregun e punës, veçanërisht në sektorët ku aktiviteti ka pasur më shumë rritje. Sa më të gjata të jenë këto mungesa, aq më i lartë është rreziku që ato të përkeqësojnë edhe më tepër inflacionin përmes presionit të pagave.

Rritja ekonomike, (Foto Google)

Rritja ekonomike, (Foto Google)

Sipas parashikimit, punësimi në BE do të rritet me një normë prej 1% në vitin 2022 dhe 0.6% në vitin 2023. Punësimi pritet të tejkalojë nivelin para krizës vitin e ardhshëm dhe të zgjerohet në vitin 2023. Papunësia në BE parashikohet të ulet nga 7.1% në vitin 2021, në 6.7% dhe 6.5% në vitet 2022 dhe 2023. Në Eurozonë, niveli i papunësisë parashikohet në nivelet 7.5% dhe 7.3% gjatë dy viteve.

Rinisja e fortë e aktivitetit ekonomik në BE dhe në shumë ekonomi të tjera të zhvilluara, është shoqëruar me një rritje të inflacionit që ka tejkaluar parashikimet. Inflacioni vjetor në Eurozonë u rrit nga një nivel negativ -0,3% në tremujorin e fundit të vitit 2020, në 2,8% në tremujorin e tretë të vitit 2021. Niveli i tetorit ishte 4,1%, norma më e lartë e regjistruar që prej vitit 1997, kur filluan të publikohen të dhënat e inflacionit në Eurozonë.

Kjo rritje e fortë e inflacionit është nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të energjisë, por duket se lidhet edhe me një sërë modifikimesh ekonomike pas pandemisë, gjë që tregon se nivelet e larta aktuale janë kryesisht kalimtare.

Inflacioni në Eurozonë arriti kulmin në 2.4% në vitin 2021 dhe parashikohet të ulet në 2.2% në vitin 2022 dhe 1.4% në 2023, pasi çmimet e energjisë pritet të bien gradualisht. Për BE-në, inflacioni parashikohet në nivelin 2.6% në 2021, 2.5% në 2022 dhe 1.6% në 2023.

Vendosja e masave kufizuese ndaj Covid ndikon në aktivitetin ekonomik. Në BE, ky rrezik është veçanërisht i rëndësishëm në ato shtete anëtare, me nivele relativisht të ulëta vaksinimi. Rreziqet ekonomike lidhen me ndikimin e zgjatur që do të kenë kufizimet aktuale të ofertës dhe ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit.

Rreziqet afatgjata lidhen edhe me ndikimin e ndryshimeve strukturore të shkaktuara nga pandemia. Investimet e nxitura nga reformat strukturore shoqëruese do të jenë të rëndësishme në këtë drejtim. Inflacioni mund të jetë më i lartë se sa parashikohej, nëse kufizimet e ofertës vazhdojnë dhe efektet e rritjes së pagave reflektohen në çmimet e konsumit.

Rimëkëmbja ekonomike në Eurozonë (Foto Google)

Rimëkëmbja ekonomike në Eurozonë (Foto Google)

Fundi i masave kufizuese ndaj pandemisë, si p.sh. aksesi i gjerë ndaj skemave të ndihmës për të papunët dhe programet e ndihmës financiare për punëtorët, deri tani nuk ka shkaktuar një humbje në masë të vendeve të punës në sektorin e prodhimit dhe ndërtimit. Shkalla e papunësisë pritet të bjerë në nivelin 9.2% deri në vitin 2023, falë një rritje graduale të ofertës së punës.

Megjithëse një pjesë e rritjes së lartë ekonomike për vitin 2021, pasqyron thellësinë e recesionit në vitin 2020, përmirësimi i situatës sanitare, për sa u përket niveleve të vaksinimit dhe uljes së numrit total të rasteve të rënda, ka lejuar lehtësimin e masave kufizuese.

Kjo gjë pritet të nxisë rritjen e konsumit privat, veçanërisht në vitin 2022. Aktiviteti ekonomik do të nxitet edhe nga nisja e zbatimit të projekteve të Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (RRF) në Greqi. Në përgjithësi, PBB-ja parashikohet të rritet me 7.1% në vitin 2021 dhe me 5.2% dhe 3.6% përkatësisht në vitet 2022 dhe 2023. Rritja ekonomike në vitet 2022 dhe 2023 pritet të nxitet nga investimet publike dhe private, veçanërisht nga zhvillimi i projekteve të Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë.

Ndërsa do të zbehet efekti kalimtar i rritjes së çmimeve të energjisë, inflacioni parashikohet të ulet në 0.4% në vitin 2023. Ky parashikim mbetet i pasigurt për shkak të rreziqeve të ndryshme, si evolucioni i pandemisë dhe pasojat e saj potenciale në sektorin e turizmit, ose efektet e mundshme negative nga masat e shumta të ndihmës urgjente për sektorin privat. Kjo lidhet edhe me ritmin me të cilin janë hequr gradualisht skemat e mbështetjes për punonjësit. Faktorët e jashtëm gjeopolitikë mbeten një burim pasigurie.

Përgatiti: Irma Paloli