Anisa Kurtaj është themeluesja e brandit gjerman “L’ANISÉ”, e krijuar për princeshat e vogla. Ajo ka lënë jashtë fokusit gazetarinë për të cilën ka studiuar dhe punuar në Shqipëri dhe jashtë saj dhe është fokusuar tek biznesi i ndërtuar me shumë përkushtim. Gjatë jetës së saj Anisa është inspiruar nga femra konfidente dhe të pavarura dhe me largimin nga Shqipëria në Gjermani është fokusuar tek “L’ANISÉ” shtëpia e modës së lartë, luksoze dhe me stil, brand gjerman i krijuar për vajzat e vogla, ku përfshihen veshje të cilësisë së lartë dhe modele konkurruese.

Anisa gjatë marrjes së një çmimi (“L’ANISÉ”)

Anisa gjatë marrjes së një çmimi (“L’ANISÉ”)

Anisa Kurtaj tregon se si nga profesioni si gazetare ka hedhur themelet e biznesit.

“Unë kam qenë gjithmonë shumë e apasionuar pas modës, historisë së saj, procesit krijues dhe gjithçkaje që lidhet me kete industri. Ideja për markën erdhi pasi pata mundësinë për të punuar si redaktore mode në Dublin, në një revistë irlandeze dhe një projekt në fushën e marketingut. Aty pata rastin të takohem dhe të punoj ngushtë me stilistë, modele, fotografë dhe të ndjej pulsin e botës së modës. Që atëherë, kam ëndërruar të punoj në këtë industri, veçanërisht të jem në gjendje të lidh formimin tim akademik si eksperte e komunikimit me botën e modës. Një tjetër përvojë pune që më çoi në L'ANISÉ ishte një projekt marketingu shumë i dashur për mua në Londër. Pas përfundimit të këtij projekti, ku dizajneri me të cilin unë punova shumë ngushtë më dha licencën e markës së tij për Gjermaninë, mendimi im i parë ishte se duhej të njihesha më shumë me tregun gjerman, të bëja më shumë hulumtime, kërkime edhe pse kisha përvojën ndërkombëtare doja ta njihja tregun gjerman nga afër”, shprehet Anisa.

Anisa gjatë punës si gazetare (“L’ANISÉ”)

Anisa gjatë punës si gazetare (“L’ANISÉ”)

Gjatë punës së saj, Anisa është përballur edhe me refuzime por kjo e ka bërë më të fortë.

“ Gjeta një vend vakant për një praktikë në një markë mode për fëmijë dhe shkova në intervistë. Pas përfundimit të intervistës, intuita ime më tha se vizionet tona me personat me të cilët unë do të punoja në fakt nuk përputheshin dhe pas dy ditësh unë mora një letër refuzimi prej kompanisë, duke më thënë se gjermanishtja ime nuk ishte gjuhë nëne dhe nuk mund të punoja aty pasi pozicioni ishte shumë i lidhur me marketingun lokal. Në ato momente unë isha duke parë një emision televiziv shqiptar ku një stiliste po prezantonte koleksionin e saj të veshjeve për fëmijë dhe një ide më lindi në mendje. Isha e vendosur të krijoja një markë që do të shtonte vlerë jo vetëm në dollapët e vegjël të vajzave, por edhe në jetën e tyre. Imagjinoja se veshja e një fustani L’ANISÉ do ta bënte një vajzë të ndihej e bukur, e fortë dhe më e rëndësishmja me vetëbesim, gati për të ndjekur rrugën e saj. Ndërsa e kthej kokën pas eksperiencës së refuzimit mund të them sa mirënjohëse jam pasi ishte ura që më çoi drejt rrugës së sipërmarrjes.”-tregon Anisa.

Anisa Kurtaj (“L’ANISÉ”)

Anisa Kurtaj (“L’ANISÉ”)

“L’ANISE” është një markë gjermane e krijuar tre vjet më parë. Sipas Anisës kjo markë po operon në tregun europian dhe në Lindjen e Mesme.

“ L’ANISE është shtëpia e modës së lartë dhe ky brand është krijuar për princeshat e vogla, të cilat vlerësojnë kualitetin e lartë të veshjeve. Modelet që ne krijojmë janë gjithmonë IN, por ky brand frymëzon mbi të gjitha forcën dhe ndjekjen e ëndrravë, nëpërmjet një linje veshjesh që ofron dizajne të sofistikuara dhe është modë luksoze për audiencën më të bukur dhe të pafajshme, që janë fëmijët. L'ANISÉ është krijuar në fakt për të qenë referenca për veshjet e bukura, për rastet e veçanta, mbështet vogëlushet me dizajne unike në momentin kur ato kanë nevojë për një veshje speciale për të qenë pjesë e një ceremonie unike. Veshjet e L’ANISE-s u japin vajzave e të vogla mundësi të përjetojnë përallat e tyre të preferuara, duke iu siguruar ëmbëlsinë dhe gëzimin e një fëmijërie të lumtur, në të njëjtën kohë ato fuqizohen dhe me një vetëbesim të cilin vetë veshja ta ofron”, thotë Anisa.

Ajo flet plot pasion për produktin që realizon.

“Vizioni që ka krijuar L’ANISE është pikërisht një fustan që është i bukur, i përshtatshëm për vajzat e vogla, por siç e thashë dhe më parë fuqizimi që i jep pikërisht kjo veshje është ajo pikë që ne i japim më shumë fokus pikërisht brandit. Pra, dizajnet e L’ANISE përputhen shumë me këtë vision, pasi krijimi i këtij emocioni kur veshin këtë veshje i bën vajzat të vogla të buzëqeshin pikërisht nga vëmendja që ato marrin, nga shikimet e të tjerëve por gjithashtu jo vetëm nga ajo përmendja që të jep edhe vetëbesimin për t’u ndjerë e vlerësuar”, shton Anisa

Brandi “L’ANISÉ” (“L’ANISÉ”)

Brandi “L’ANISÉ” (“L’ANISÉ”)

Brandi i gazetares shqiptare ka gjetur vend në arenën ndërkombëtare.

“Qendra e kompanisë L'ANISÉ ndodhet në Frankfurt. Ne po operojmë gjithashtu online në faqen tonë zyrtare www.lanise.de. Brandi gjithashtu po operon në arenën ndërkombëtare, në Kuvajt, në Arabinë Saudite dhe në fillim të marsit linjat e veshjeve tona do të jenë gjithashtu edhe në Katar, në një nga mollet kryesore të Katarit. Në Rusi gjithashtu po punohet për të qenë pjesë e shitjeve online dhe në disa butike. Brandi L’ANISE hodhi hapin e parë të rëndësishëm drejt rritjes si markë dhe pozicionimit në tregun ndërkombëtar, pas një pjesëmarrje për herë të parë në një sfilatë mode në Moskë në vitin 2021, ku prezantuam dhe koleksionin Pranverë-Verë. Aty ishte pikërisht ajo nxitja që ne na bëri ta kthejmë këtë brand nga një brand lokal në Frankfurt në një brand internacional. Aty pati brandi një sukses që i dha dhe nisjen për të operuar në arenën ndërkombëtare. Kemi qenë gjithashtu pjesëmarrës në javën e modës në Don Fashion Week, po ashtu në Rusi. Gjithashtu dhe në shumë evente në Arabinë Saudite, ku brandi jonë fitoi më shumë shikueshmëri mes markave të tjera, pikërisht në një event me emrin Luxury Network. Aty ishte sigurisht një sukses për markën L’ANISE pasi patëm mundësi të krijojmë disa kooperime edhe me influencer, fotografë për ta vijimësuar për shikueshmërinë në ato vende”, na informon ajo.

L'ANISÉ është një markë gjermane e veshjeve ceremoniale të cilësisë së lartë të punuara me dorë për vajzat e vogla nga 0 deri në 16 vjeç.

“Qendra e kompanisë L'ANISÉ ndodhet në Frankfurt. Ne po operojme gjithashtu dhe me një dyqan online, si dhe një showroom në pjesën historike te qytetit të Frankfurtit. Momentalisht po punojmë shumë fort që brandi të kthehet nga një brand lokal gjerman në një brand international. ADN-ja e L’ANISÉ është të bashkojmë cilësinë dhe komfortin me një imazh eterik dhe te bukue të bazuar në përralla, ku personazhi kryesor është gjithmonë një vajzë e vogël, që ëndërron që një ditë të bëhet një grua e fortë dhe e sigurt. L'ANISÉ është krijuar gjithashtu për të qenë referencë për veshjet ceremonial, duke u dhënë mundësinë fëmijëve të jetojnë përrallën e tyre të personalizuar. Ne u ofrojmë atyre ëmbëlsinë dhe gëzimin e një fëmijërie të lumtur, duke i fuqizuar vajzat të ndihen konfidente me stilin e tyre”, shprehet Anisa.

Një nga veshjet për vajza (“L’ANISÉ”)

Një nga veshjet për vajza (“L’ANISÉ”)

Dita ditës ky biznes vjen duke u zgjeruar.

“Ideja e L'ANISÉ më erdhi në Frankfurt dhe, në fillim, ishte menduar t’i dedikohej vetem tregut gjerman, pasi në momentin kur po bëja kërkimet e para për planin e biznesit, identifikova një boshllëk në treg që duhej të plotësohej me veshje të tilla. Frankfurti është një qytet financiar dhe duket se ka pak hapësirë për industrinë e modës, dëshira për të qenë pjesë e kësaj industrie ishte aq e madhe sa më 11 korrik 2019 ne realizuam hapjen e showroom-it tonë të parë në Frankfurt. Sot ne ofrojmë dy shërbime online dhe showroom-in.Ne kemi partneritete në Lindjen e Mesme dhe Rusi dhe jemi të lumtur të zgjerohemi në më shumë vende të tjera dhe showroome të tjera”, thotë ajo.

Themeluesja e “L’ANISÉ” (“L’ANISÉ”)

Themeluesja e “L’ANISÉ” (“L’ANISÉ”)

E ndërsa prej vitesh ndodhet në Gjermani, dëshira e Anisës është për hapjen e një filiali edhe në Shqipëri.

“Një dëshirë shumë e madhe për të cilën në po punojmë momentalisht shumë fort si ekip është hapja e një showroomi në Shqipëri, duke qenë se unë jam shqiptare dhe L’ANISE është brand i një vajze shqiptare të krijuar në një vend të huaj si Gjermania. Do të kisha shumë dëshirë që ky brand të ishte pjesë edhe e tregut shqiptar, të ishte pjesë e atyre vajzave të vogla, e jetës së atyre vajzave të vogla, të cilat kanë patur dhe kanë të njëjtat ëndrra që unë kisha kur isha në Shqipëri, kur u rrita. Kjo është një nga dëshirat e mia më të mëdha për momentin dhe uroj shumë që në vitin 2022 do ta bëj këtë realitet”, shprehet ideatorja e kësaj marke veshjesh Anisa Kurtaj.