Intervistë me gazetaren eksperte të turizmit Flora Xhemani Baba

Vitet e fundit Shqipëria është fokusuar te sektori i turizmit, si një nga sektorët më të fuqishëm ekonomik, duke qenë se edhe kushtet natyrore e favorizojnë shumë. Në 28 mijë kilometra katrorë “vendi i shqiponjave” ofron një peizazh ku nuk mungon deti, mali, fusha, lugina, lumi apo laguna e pyjet, të cilat mund të vizitohen brenda një kohe të shkurtër. Për të zhvilluar këtë sektor dhe për të tërhequr sa më shumë turistë, Shqipëria në politikat e saj turistike është përqëndruar më shumë tek turizmi detar, agroturizmi dhe turizmi në natyrë, pra duke i qëndruar një turizmi sa më ekologjik, ku jo vetëm natyra shqiptare është në shërbim të turistit, por edhe prodhimi vendas bio dhe artizanati. Gjatë dy viteve të fundit edhe turizmi shqiptar është përballur me sfidën e Covid 19, që ka ndikuar në statistikat e kënaqshme të këtij sektori.

Flora Xhemani Baba është një gazetare që në përvojën e saj një vend të rëndësishëm i kushton promovimit të turizmit shqiptar.


Bregdeti shqiptar (Iconstyle)

Bregdeti shqiptar (Iconstyle)

CMG: Ju falenderoj për praninë tuaj në studio, në këtë intervistë të pare për vitin që sapo ka nisur.

Flora Xhemani Baba: Faleminderit! Është ftesa e pare mediatike për sivjet dhe unë të falenderoj, aq më tepër që është një intervistë në radio, sepse është një nga dashuritë e mia të veçanta.

CMG:Para pak ditësh është mbyllur viti i vjetër dhe do të doja të dija për turizmin si industri që bën bilancin e vet. Cili ka qenë bilanci i turizmit në vitin 2021, duke patur parasysh që ishte një vit pandemik?

Flora Xhemani Baba: Ka qenë pa diskutim një vit i mire për turizmin. Një vit më i mirë se 2020, qoftë në shifra apo me prurje turistësh, por nuk arriti të plotësonte shifrat e vitit 2019.

CMG: Megjithatë, siç thatë ka patur turizëm në nivele të mira krahasuar me vendet e tjera, apo jo?

Flora Xhemani Baba: Patjetër. Ka qenë një vit i mirë, madje krahasuar me vendet e tjera ka qenë edhe më i mire sepse për fat të mire qeveria e kuptoi që do ta kishte të pamundur që të kompensonte ndalesat, kufizimet ndaj Covid 19 dhe ne kemi qenë thuajse gjatë gjithë vitit 2021 një vend “Covid free”. Ky efekt solli turistë nga vende që nuk i kemi patur më parë, siç ishin vendet e Lindjes së Mesme si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjatë këtij viti erdhën rreth 5.8 milionë turistë në Shqipëri, nëse do t’i referohemi shifrave të INSTAT-it. Ndaj konsiderohet një vit shumë i mire. Edhe bizneset e bregdetit kryesisht turizmi bregdetar kanë qenë të kënaqura me prurjet, por dhe në raport me pritshmëritë e tyre, krahasuar me vitin 2020.

CMG: Iu referuam sezonit veror, sepse dihet që jo vetëm për Shqipërinë ai shënon pikun e turizmit, por për fatin tonë të mire kemi dhe turizëm dimëror ose malor. Jemi në kulmin e dimrit dhe do të ishte me interes të merrnim informacion për zhvillimin e tij.

Ekspertja Flora Xhemani Bana në intervistë për CMG

Ekspertja Flora Xhemani Baa në intervistë për CMG

Flora Xhemani Baba: Të paktën në 10 vjeçarin e fundit Shqipëria ka zhvilluar dhe lëvruar gradualisht turizmin dimëror dhe mund të themi tashmë që ka një ofertë turistike dimërore. Edhe pse krahasuar me vendet e rajonit për fat të keq nuk konkurrojmë dot në këto kushte sepse ne nuk kemi resorte skish. Kur themi turizëm dimëror kemi parasysh që vende si Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi na konkurrojnë lehtësisht me destinacionet ku ka resorte skish. Por kjo nuk i ndalon shqiptarët që të frekuentojnë Korçën, Valbonën, Thethin ku tashmë është shtruar dhe rruga prej 12 km, Puka gjithashtu është një destinacion mjaft simpatik që kur bie dëborë bëhet mjaft e frekuentueshme. Ndërkohë nëse marrim si qendër veriu Shkodrën, duke u degëzuar në Malësinë e Madhe, ku është Razma, Vermoshi dhe Lëpusha, që janë fshatra turistikë. Interesante shumë është dhe e gjithë zona e juglindjes së vendit, jo vetëm Korça, por edhe Pogradeci, Erseka, Kolonja dhe Përmeti. Një zë shumë i mire nëse do të flasim për turizmin malor janë malet, pra jo destinacionet qytete apo fshatrat dimërorë, por majat e maleve, të cilat janë një atraksion turistik mjaft i frekuentuar nga grupe të rinjsh që organizohen me klube dhe agjenci për të bërë hiking.

CMG: Ka turistë të huaj ndër ta?

Flora Xhemani Baba: Ka shumë. Madje fillimisht ka patur vetëm turistë të huaj sepse kanë një kulturë të turizmit të aventurës më të zhvilluar se sa tonën. Hiking apo ecja nëpër male është pjesë e turizmit të aventurës dhe që të bësh këtë duhet të kesh të paktën përgatitje fizike ose kulturë turistike të udhëtimeve. Nën shembullin e të huajve e kanë nisur këtë sport dhe të rinjtë shqiptarë. Nuk kemi vetëm turizëm dimëror malor, por kemi turizëm malor gjithëvjetor.

Pamje nga Shqipëria (Bota sot)

Pamje nga Shqipëria (Bota sot)

CMG: A ka paketa turistike për këtë sezon?

Flora Xhemani Baba: Tashmë funksionon me paketa turistike. Pandemia solli ndër të tjera dhe një fenomen pozitiv për tregun shqiptar, pavarësisht se ka vend për diskutim, por kemi të bëjmë me çmime të ulta, me dëshirë për të kapur tregun. Ka shumë paketa turistike, të cilat agjencitë shqiptare i ofrojnë për turistët shqiptarë brenda vendit sepse ka plot nga ata që ose nuk duan të udhëtojnë me makina private, ose nuk e kanë këtë mundësi, plus që udhëtimet në grup dihet që janë më të bukura dhe më interesante. Në këtë prizëm ka në çdo cep të Shqipërisë ka paketa turistike nga më e lira që përfshin vetëm transportin vajtje-ardhje e deri tek ato që përfshijnë vaktet, akomodimet dhe shoqërimin me guide.

CMG: Jemi në ditët e para të vitit 2022. Turizmi është një ndër sektorët më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare dhe po kthehemi në një vend turistik. Cilat janë pritshmëritë për këtë vit në turizmin shqiptar, në varësi të ecurisë së pandemisë?

Flora Xhemani Baba: Po është e vërtetë. Në fakt u shpresua që fundi i vitit 2021 u shpresua shumë që të ishte fundi i pandemisë. Tani shpresohet të jetë një vit më i mirë dhe se viti 2021, sepse pavarësisht ndikimit të pandemisë, nuk do të jetë kaq e fuqishme ndaj dhe nuk pritet të jenë masat e rrepta të vitit 2021. Viti 2022 është prapë i pasigurtë, por pritshmëritë janë më të mira se në 2021, që do të thotë se ndoshta do të kapim shifrat e vitit 2019 që është thënë se ka patur 6.3 milion turistë. Edhe të ardhurat ndoshta do të shtohen sepse ka një interes të shtuar për Shqipërinë dhe nga vendet e Evropës Qendrore, që u ndërpre prej pandemisë dhe tani ka filluar të rizgjohet si nga Gjermania, Çekia, pra janë vendet që kanë patur vazhdimisht interes për vendin tone. Unë mendoj se do të jetë një vit më i mirë, me gjithë pengesat e pandemisë.

Statistika për turizmin (Gazeta Si)

Statistika për turizmin (Gazeta Si)

Intervistoi Eda Merepeza