Varfëria në Shqipëri llogaritet të jetë rritur me 0.8 pikë përqindje pas tërmetit dhe pandemisë, duke iu rikthyer përkeqësimit të pjesshëm, pas një periudhe përmirësimi që kishte nisur që nga viti 2014. Konstatimi vjen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në publikimin më të fundit ku sipas përllogaritjeve të bëra për vende të ndryshme, Shqipëria, rezulton të ketë nivelin më të lartë të varfërisë në rajon. Konkretisht vlerësohet se një e treta e popullsisë, apo 32.6%, konsiderohej e varfër, nga 31.8% vitin e mëparshëm. në 30.8%. FMN e vlerëson treguesin bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, ku të varfër quhen ata që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë, të matur sipas standardit të barazisë së fuqisë blerëse

“Shkalla e varfërisë në Shqipëri është një nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbulimi i saj me mbrojtje sociale është ndër më të ulëtat”, thotë FMN.

“Falë rimëkëmbjes së fortë ekonomike në 2021 dhe masave mbështetëse të qeverisë, Banka Botërore vlerëson një rënie të shkallës së varfërisë nën nivelet e para-pandemisë në vitin 2021. Duke pasur parasysh nivelin e lartë të informalitetit, përqindjet relativisht të ulëta të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore dhe burimet e kufizuara të qeverisë, mbulimi i mbrojtjes sociale është ndër më të ulëtit në rajon”, thuhet në raportin e FMN-së.

Nëse shohim të dhënat e detajuara të tabelës, në vitin 2020, niveli i varfërisë në Kosovë u rrit në 23.4 në 2020-n (nga 20.9% në 2019-n). Në Maqedoninë e Veriut tregues arriti në 18% (nga 16.9%), ndërsa në Mal të Zi u rrit ndjeshëm nga 14.5% në 20%. Më e ulët varfëria është në Serbi, në nivelin e 17.4%, pothuajse e pandryshuar në raport me vitin para pandemik (17.3%).

FMN në gjetjet e saj bën edhe rekomandime që rritja e mbulimit të programeve të mbrojtjes sociale do të kërkojë rritjen e të ardhurave tatimore dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore duke zgjeruar pjesëmarrjen e fuqinë punëtore dhe duke reduktuar informalitetin. Për më tepër, do të jetë e rëndësishme të përmirësohet kuadri i sistemit të mbrojtjes sociale, duke përfshirë një mbulim më të shënjestruar dhe më të lartë të mbrojtjes sociale për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë, dhe duke reduktuar gabimet e përjashtimit dhe pasaktësitë e informacionit të përfituesve.

Por përse Shqipëria vazhdon të ketë këtë shkallë të varffërisë ku 32.6% e popullsisë jeton me me më pak se 5.5 dollarë në ditë?

Eksperti Vjoldi Danaj e lidh me politikat shtetërore që nuk motivojnë qoftë sipërmarjet vetë, qoftë edhe individët.

“Vitet e fundit Shqipëria përtej se është rritur varfëria, ka pasur një ulje dhe të shtresës së mesme si pasojë e përqendrimit të lartë të ekonomisë që ka vendi. Pra, ku diku te 5% e popullsisë zotëron 80% të pasurisë kombëtare dhe 20% pastaj ngelet për të gjithë 95% tjetër të shoqërisë. Problemi kryesor këtu është politikat shtetërore që nuk janë avantazhuese dhe nuk motivojnë qoftë sipërmarjet vetë, qoftë edhe individët për të ndërmarrë startupe ose sipërmarrje të reja. Nga ana tjetër korrupsioni është shumë i lartë dhe këtu përsëri kalojmë në keqmenaxhim dhe abuzim të institucioneve tona. Emigrimi pastaj është pjesa tjetër që ka bërë që Shqipëria të varfërohet edhe përsa i përket krahut të punës. Ne nuk kemi qenë në gjendje të shfrytëzojmë ato kapacitete ose avantazhe që ka pasur Shqipëria të paktën deri në vitin 2014. Sot Shqipëria, në krahasim me rajonin, është vendi më pak i volitshëm për investitorët e huaj dhe kjo bën pastaj që të rritet edhe numri i papunësisë. Kështu që, e gjithë tërësia e gjësë ndikohet nga mungesa e politikave të qarta dhe nga korrupsioni i lartë që ne kemi. Nuk jemi vend prodhues ose industrial, jemi kryesisht vend konsumator dhe si rrjedhojë varemi gjithmonë nga tregjet e huaja dhe politikat e jashtme të ekonomisë. Besoj se nëse nuk do të ndryshojë fokusi, nëse nuk do të ketë strategji të qarta dhe të studiuara kombëtare, ne do të vazhdojmë fatkeqësisht të jemi në këtë situatë. “- thotë Danaj.

Por a do të ndihmonte një bashkëpunim rajonal mes vendeve në zbutjen e varfërisë?

“Kur flasim për bashkëpunim rajonal do të kemi parasysh që duhet të luftojmë “me të njëjtat armë”. Që do të thotë, nëse flasim për shembullin e Ballkanit të Hapur do të shikojmë se sipërmarrjet tona janë më të disavantazhuara në krahasim me rajonin sepse mbështetja që jepet nga institucionet janë shumë herë më të pakëta. Nga ana tjetër, kemi dhe pjesën e krahut të punës, që të ardhurat minimale që kanë nuk e bëjnë të favorshme bashkëpunimin. Nëse flasim edhe për shkëmbim të krahut të punës, përsëri rajoni nuk është aq i përshtatshëm që shqiptarët të shkojnë ose të shkëmbejnë eksperienca, por kryesisht është Bashkimi Europian. Besoj se puna e bashkëpunimit rajonal duhet parë pak më me detaje dhe duhet të ketë një unifikim të shumë aspekteve qoftë ligjore, pra legjislacioni, qoftë edhe të politikave ekonomike, shtetërore kryesisht për sipërmarrjet. Me siguri që një treg më i madh do të ishte në favor të të gjithëve, por ky treg më i madh kërkon që të luftohet me të njëjtat armë, sepse produktet shqiptare sot nuk mund të dalin dot dhe të jenë konkuruese në rajon, pikërisht për ato që thash pak më lart. Duhet një studim dhe një seriozitet i këtyre politikave dhe këtyre bashkëpunimeve që kërkohet të bëhen.”- shprehet eksperti.

Në raportin e publikuara nga FMN mbi konsultimin e nenit të katërt me Shqipërinë thuhet se pavarësisht se Shqipëria u prek rëndë nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia COVID-19, por tkurrja ekonomike në 2020 ishte më e vogël se sa pritej fillimisht. PBB-ja reale po rimëkëmbet fuqishëm me një 7.8 për qind të parashikuar në 2021, i nxitur nga mbështetja e vazhdueshme e politikës monetare dhe fiskale, rindërtimi, reduktimi i kufizimeve të lëvizjes, prodhimi i fortë i energjisë elektrike për shkak të kushteve të favorshme të motit në muajt e parë dhe një sezon relativisht i mirë turistik.

“Inflacioni total është rritur për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë, por inflacioni bazë është rritur vetëm në mënyrë modeste dhe presionet më të gjera inflacioniste janë ulur. Deficiti fiskal u zgjerua ndjeshëm në 6.8 për qind të PBB-së në 2020 dhe pritet të mbetet në atë nivel në 2021. Borxhi publik u rrit në 77.2 për qind të PBB-së në fund të 2020 dhe pritet të rritet më tej në 2021. Sistemi financiar ka qenë i qëndrueshëm dhe flukset likuide dhe kreditore kanë vazhduar të mbështesin ekonominë.”- thuhet në raport.

Nga viti 2022 e në vazhdim, aktiviteti ekonomik pritet të mbetet i fortë pasi ndikimi i pandemisë zbehet dhe turizmi ndërkombëtar vazhdon të rimëkëmbet, por rritja do të zbutet nga heqja graduale e mbështetjes fiskale dhe rindërtimit dhe maturimi i ciklit të rimëkëmbjes.

“Në periudhën afatmesme, rritja parashikohet të konvergojë në potencialin e saj prej 3.4 për qind, një nivel i frenuar nga faktorë demografikë negativë. Pasi rritjet e përkohshme të inflacionit të zvogëlohen deri në mesin e vitit 2022, inflacioni pritet të vendoset në objektivin 3 për qind të Bankës së Shqipërisë në periudhën afatmesme. Borxhi i qeverisë së përgjithshme të Shqipërisë parashikohet të bjerë gradualisht nga një kulm prej rreth 81 për qind të PBB-së në vitin 2021 në 74 për qind të PBB-së në vitin 2026, në mungesë të goditjeve të reja. “- theksohet në raport.

Si rreziqe ekspertët e FMN-së shohin situatën me pandmeinë, krizën energjitike dhe kërcënimi nga çmimet.

“Pasiguria mbi perspektivën mbetet e lartë. Shfaqja e varianteve rezistente ndaj vaksinave në nivel global ose shpërthimet e lokalizuara në Shqipëri, si dhe kushtet potencialisht më të shtrënguara financiare globale dhe çmimet më të larta globale të energjisë përbëjnë rreziqe të rëndësishme negative për perspektivën. Një normalizim më i shpejtë nga pandemia paraqet një rrezik pozitiv. Drejtorët ekzekutivë mirëpritën rimëkëmbjen e fortë në zhvillim, ndërsa vunë në dukje pasigurinë rreth perspektivës me rreziqe të anuar në kahun poshtë, përfshirë nga trajektorja e pandemisë, normat e ulëta të vaksinimit dhe çmimet e energjisë. Drejtorët kërkuan përpjekje për të rindërtuar pengesat e politikave, për të mbrojtur stabilitetin financiar dhe për të adresuar pengesat strukturore për të zhbllokuar potencialin e rritjes dhe zhvillimit të vendit.”- theksohet në raport.

Drejtorët theksuan më tej rëndësinë e forcimit të cilësisë dhe transparencës së shpenzimeve publike. Do të jetë kritike për të adresuar mangësitë në menaxhimin e investimeve publike, duke përfshirë partneritetin publik-privat, dhe për të forcuar besueshmërinë e buxhetit dhe kornizës fiskale. Nevojiten gjithashtu përpjekje më të bashkërenduara për të monitoruar dhe menaxhuar rreziqet fiskale në rritje. Drejtorët u kërkuan autoriteteve që të zbatojnë menjëherë masat e transparencës dhe llogaridhënies për shpenzimet emergjente dhe t'i nënshtrojnë fondet e rindërtimit në kontrollet e duhura të menaxhimit financiar publik.

Ata kërkuan përfundimin e reformave në drejtësi dhe ranë dakord se kapaciteti i Shqipërisë për të shlyer fondin është i mjaftueshëm dhe rreziqet mbeten të përmbajtura dhe të menaxhueshme.