Nuk është thjesht një biznes, por ruajtje e një tradite shumëvjeçare. “Margjelo Filigran Albania” një sipërmarrje e re e krijuar në qytetin e Shkodrës, e cila po rritet dita ditës. Punimet e realizuara si bizhu, suvenire apo objekte të tjera zbukurime me filigran argjendi punohen me dorë, duke ruajtur dhe trashëguar kështu zejen e vjetër të punës me filigran.

Expo Margjelo (foto Margjelo)

Expo Margjelo (foto Margjelo)

Aurora Piranej themeluese “Margjelo” tregon detajet e këtij aktiviteti dhe pasionin që ka për ta ushtruar atë.

“Margjelo Filigran Albania është një sipërmarje artizanale e krijuar para dy vitesh në qytetin e Shkodrës. Prodhimet tona kryesore janë bizhu, suvenire apo objekte të tjera zbukurime me filigran argjendi. Edhe pse u krijua pak ditë para ardhjes së pandemisë botërore, Margjelo arriti të rritet ngadalë, duke krijuar një identitet të sajin në tregun e prodhimit të punimeve artizanale në Shqipëri. Të gjitha produktet janë të prodhuara në punishten tonë, nëpërmjet proceseve handmade, duke ruajtur dhe trashëguar kështu zejen e vjetër të punës me filigran, që deri në fillimin e viteve ’90 ishte një zeje që punohej në masë në qytetin e Shkodrës, por që aktualisht punohet gjithnjë e më pak. Kjo ngaqë nuk është transmetuar në brezat e rinj. “-thotë Piranej

Mjediset e Margjelo (foto Margjelo)

Mjediset e Margjelo (foto Margjelo)

Suvenirët nuk kanë vetëm funksion të duken të bukura apo të shërbejnë si dhuratë, por mbartin edhe histori dhe copëza nga e kaluara.

“Suveniret tona në përgjithësi tregojnë detajet e historisë apo trashëgimisë tonë kulturore, siç janë figurinat që paraqesin heroin tonë kombëtar Skënderbeun, harta e Shqipërisë apo ajo e Kosovës, veshjet tradicionale të grave shqiptare si xhubleta, veshjet e meshkujve, siç është jeleku që mbahej nga burrat shqiptarë apo këpucët e stilit tradicional shqiptar. Të gjitha këto të punuara me dorë të lirë, me teknikën e filigranit dhe me material argjendi. “- thekson Piranej.

Por cilat janë prodhimet e “Margjelo Filigran”?

“Përsa u takon bizhuterive që ne prodhojmë kanë dizenjo edhe të trashëguara nga brezat e mëparshme që kanë punuar këtë zeje, por kemi krijuar edhe dizenjo bashkëkohore për të ofruar bizhu të punuara me filigran, të cilat të jenë të përdorshme edhe në stilin modern të kohëve të sotme. Gjithashtu krijojmë edhe modele të personalizuara sipas kërkesave të veçanta që mund të kenë klientët tanë. Kjo jo vetëm për bizhu, por edhe suvenire apo objekte të tjera të ndryshme të zbukurimit. Në rrjetet tona sociale mund të shikohen disa nga punimet tona.”, tregon artizania.

Aurora Piranej drejtuese e Margjelo (Foto Margjelo)

Aurora Piranej drejtuese e Margjelo (Foto Margjelo)

Ambicja është për të krijuar një lidhje të fortë mes biznesit, trashëgimisë dhe kulturës për të ruajtur kështu me fanatizëm teknikat e vjetra. Nuk janë vetëm suveniret që punohen këtu, por edhe produkte të tjera që bëhen me dorë me mjaft vlerë.

“Ne kemi një vizion shumë ambicioz për Margjelon, të cilin po punojmë për ta zhvilluar gradualisht. Një ambicie e nxitur nga dëshira për të ruajtur këtë zeje të lashtë si një pjesë të çmuar të trashëgimisë tonë kulturore. Nga pasioni për artizanatin e gjithashtu edhe nga dëshira për të krijuar një inovacion në turizmin kulturor të qytetit të Shkodrës. Aktualisht po punojmë për ta bërë Margjelon një ndalesë atraktive për vizitorë vendas dhe të huaj, ku do të mund të shohin live performimin e proceseve handmade të prodhimit të produkteve tona me filigran argjendi. Gjithashtu kemi krijuar edhe një punishte për punë të tjera artizanale, si qëndisma me grep apo me tezgja të cilat gjithashtu janë zeje të punuara ndër breza nga artizanët e qytetit tonë. Edhe showroom-i ku ne ekspozojmë të gjitha punimet tona është pjesë e rëndësishme e ambienteve të Margjelo. Dhe për të plotësuar vizitën te Margjelo kemi krijuar edhe oborrin tonë të gjelbër ku vizitorët do të mund të çlodhen, të degustojnë pije dhe zahire të ndryshme të prodhuara në veriun e Shqipërisë tonë të bukur.”, shprehet Piranej.

Qëllimi është zgjerimi i mëtejshëm dhe ruajtja e traditave të qytetit të Shkodrës.

“Pra kemi në vizion të krijojmë një qendër artizanati, duke bashkëpunuar edhe me artizanë apo artistë të tjerë të qytetit tonë në mënyrë që të mund të tregojmë sa më shumë nga arti dhe zanati që krijohet në qytetin e Shkodrës”, thotë ajo.

Jo pa qëllim emri i biznesit është “Margjelo”

“Emri Margjelo nuk është zgjedhur pa qëllim. Është zgjedhur sepse është një emër femëror, emër i një femre shqiptare, është zgjedhur sepse Margjelo është një sipërmarrje që drejtohet nga një femër dhe si mision tjetër të saj ka punësimin dhe mbështetjen e grave në zonën rurale ku Margjelo ndodhet, si dhe të grave të shtresave të margjinalizuara, të cilat do të jenë gjithmonë në qendër të projekteve të krijuara dhe zhvilluara nga kjo sipërmarrje” shprehet drejtuesja e kompanisë.

Ku gjenden këto produkte?

“Adresa jonë është shumë e thjeshtë. Jemi 7 km pa hyrë në qytetin e Shkodrës, në rrugë kryesore. Na gjeni shumë thjeshtë dhe jeni të mirëpritur për të na vizituar.”, fton zonja Piranej

Edhe pse në kohën moderne gjithçka po shkon drejt automatizimit, ende ka njerëz që krijojnë me dorë, durim e dashuri stoli argjendi dhe të materialeve tjera. Filigrani është punim dore me kombinim të fijeve të holla dhe kokrrave të argjendit. Çdo detaj punohet me dorë me mjeshtri të të menduarit dhe të përpunimit të dizajnit.Fjala filigran rrjedh prej gjuhës latine: filium- fije dhe granum- kokra, domethënë punim me fije dhe kokërr. Kjo zeje ka gjetur interesim dhe mbetet një vijues tradite, në Shkodër, si vendi i origjinës shqiptare për të patur një rol paraprijës në Prizren dhe Gjakovë, atje ku shkoi dhe mbeti dhe ku sot ka mjeshtrat e saj.