Paketa fiskale ka qënë në qendër të debateve nga grupet e interesit që preken nga ndryshimi i taksave nga viti që vjen. Një nga pikat që ka trazuar sektorin e bujqësisë është pikërisht heqja e kompensimit 6% për fermerët. Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike të Shqipërisë i ka dorëzuar kryetarit të komisionit të veprimtarisë prodhuese të tregtisë dhe mjedisit Arben Pëllumbi pakënaqësitë dhe propozimet përkatësë. Lidhur me atë çfarë parashikon qeveria në bujqësi për zerimin e kompensimit, Industria e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike ngre alarmin për pasojat që do të kishte ky vendim në këtë sektor.

Sipas Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike të Shqipërisë ulja nga 20% në 6% 2 vite më parë e preku negativisht industrinë dhe heqja e kompensimit 6% do të sjellë pasoja edhe më të rënda. Konkretisht sipas tyre do të sjellë ulje të sipërfaqeve të kultivuara me bimë mjekësore, ç’ka do të thotë: më pak prodhim, më pak eksporte, më pak hyrje valute në Shqipëri. Një masë e tillë do të rrisë edhe informalitetin: pajisja me NIPT me qëllim kompensimin ka ndihmuar ndjeshëm në identifikimin e fermerëve dhe kulturave bujqësore të vendit dhe heqja e kompensimit sipas Shoqatës së bimëve mjekësore pritet të sjellë mbylljen e Nipteve, çrregullim të sistemit të identifikimit si dhe largimin e fermerëve nga kultivimet bujqësore, si pasojë e mospërballimit të kostove.

“Ne parashikojmë hektarë të tërë tokash të lëna djerrë dhe largime masive të fermerëve drejt vendeve të BE-së. Ka shumë toka që bimët mjekësore janë e vetmja kulturë që mund të rritet, por kostot e larta dhe heqja e kompensimit do t’i detyrojë fermerët të heqin dorë nga kultivimet e tyre.”- thuhet në deklaratë.

Deklarata ( Industria e Bimeve Mjekesore)

Deklarata ( Industria e Bimeve Mjekesore)

Në letrën drejtuar komisionit parlamentar të veprimtarisë prodhuese thuhet se “pasojat e kësaj lëvizjeje do t’i ndjejnë edhe kompanitë eksportuese dhe nivelet e eksporteve në përgjithësi. Kjo pasi konkurrentët në tregje nga vende si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë mbështetje të madhe nga qeveritë përkatësë në bujqësi dhe për rrjedhojë eksportuesit shqiptarë bëhen më pak konkurues”. Alarmi ngrihet se mungesa e lëndës së parë dhe çmimet e larta do e nxjerrin Shqipërinë nga këto tregje ndërkombëtare.

Për paketën fiskale shqetësimi ëstë ngritur edhe nga Shoqata e Eksportuesve, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar dhe Sindikata e Fermerëve, të cilët i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama duke e shoqëruar edhe me një analizë të sektorit. Situata aktuale në të cilën ndodhet bujqësia, por edhe të gjitha hallkat e zinxhirit të ekonomisë së ushqimit nuk po rezulton në nivelin e pritshmërive. Pjesa më e madhe e operatorëve parashikojnë ta mbyllin vitin 2021 me rezultate jo të mira krahasuar me sektorët e tjerë, thuhet nga grupet e interest.

Gjithashtu krahasuar me planet e tyre te biznesit, me potencialet dhe mundësite reale që ekzistojnë konstatojmë me keqardhje se edhe Paketa Fiskale dhe Projekt Buxheti i vitit 2022 nuk do të garantojnë frenimin e rënies në disa sektorë, si p.sh. tek Akuakultura, Blegtoria, Tregjet Agro Blegtorale, Agropërpunimi, Agroturizmi, Agropylltaria dhe Mjedisi në zonat rurale. Gjithashtu nuk do të garantojë as qëndrueshmërine dhe rritjen në disa sektorë të tjerë, që kanë performuar më mirë si frutat, perimet,peshkimi, agrobiznesi, bimët mjekësore, aromatike dhe bletaria si dhe mikrofinanca. Në gjykimin tonë, disa tregues do të jenë edhe më negativë në vitin 2022, pasi vërejmë 30% më pak mbjellje dhe rritje galopante të kostove të prodhimit, si pasojë e krizës globale te rritjes së çmimeve.Nuk është e drejtë që sektori ynë që kontribuon me 20% të PBB dhe ku janë të punësuar 40% e forcës së aftë për punë, të përfitojë vetëm 2% të shpenzimeve të buxhetit”, nënvizohet në deklaratë.

Fermerët dhe eksportuesit kërkojne që të rishikohet në rritje për vitin 2022 buxheti për Ministrinë e Bujqësisë dhe Projekti per Paketen e re Fiskale të pezullohet deri në përfundim të vlerësimit të situatës, të studimeve dhe konsultimit me grupet e interesit. Propozimet, thuhet në letër, synojnë që nëpërmjet formalizimit të transaksioneve në sektorin e bujqësisë, të rriten jo vetëm shpenzimet buxhetore, por edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit, minimalisht në raportin një me dy. Konkretisht kërkesat e organizatave janë:

“ Subvencionim direkt për fermerët, që kultivojnë perime të freskëta në bazë të produktit të hedhur në treg, të justifikuar me faturë tatimore, e ngjashme me skemën e aplikuar në vitin 2019 për prodhuesit e qumështit, por pa procedurat burokratike të aplikimit dhe konkurimit në AZHBR dhe pa limit. Ne vlersojmë propozimin për ndryshimin e formës së subvencionimit të fermerëve, duke zëvendësuar këtë subvencionim indirekt apo kompesimin që deri më tani tregtarët dhe agropërpunuesit ua kanë dhënë fermerëve, në blerje në masën 6% mbi çmimin e tregut. E vlersojmë sepse kjo ka qenë një barrë financiare për tregtarët dhe agropërpunuesit, të cilët duhet të kreditonin fermerët nga fondet e tyre për një periudhë kohe që shkonte nga tre muaj deri në një vit, që t’ia merrnin konsumatorit kur shisnin brenda vendit ose të merrnin rimbursimin kur eksportonin.”

Grupet e interest në bujqësi kërkojnë stimulim të eksportuesve nëpërmjet Drejtorisë së Pergjithshme të Doganave (sipas modeleve të rajonit).

“Për çdo eksport të realizuar, sepse eksportuesit janë promotorë të zhvillimit të bujqësisë dhe parnerët më të dobishëm të fermerëve. Ata kryejnë biznes me risk të lartë, pasi grumbullojnë perime me çmim blerje të paravendosur, ndërkohë që tregu pëson luhatje të forta brenda ditës dhe shpesh godet tregtarët me ulje të çmimeve të shitjes. Me risk të lartë sepse eksportuesit paguajnë pasojat që vijnë nga kontrollet për pesticide në vendet ku eksportohet. Eksportuesit paguajnë përmes kreditnotave edhe për dëmtimet gjatë procesit të trasportit, për shkat të difekteve në kultivim dhe difekteve në farëra e impute.”

Gjthashtu kërkohet barazim në paketën fiskale 2022 të shkallës së TVSH në shitje me atë në blerje për sektorin e tregtimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale.

“ Sepse aplikimi i shkallëve të ndryshme të TVSH që në paketën fiskale të paraqitur nga Qeveria parashikohet në mënyre paradoksale të jetë 0% në blerje dhe 20% në shitje, thellon informalitetin dhe dëmton fermerët, tregtarët dhe agropërpunuesit. Kjo do t’i vërë operatorët e këtij sektori në një regjim taksimi të padrejtë dhe për pasojë i detyron të furnizohen me produkte bujqësore nga importi dhe të braktisin produktin vendas.”

Në letrën e dërguar kryeministrit thuhet se “zbatimi i kësaj kerkese është një detyrim ligjor për qeverinë, sepse aktualisht kjo skemë shtrembëron frymën e ligjit për TVSH dhe prish mekanizmin e vjeljes të këtij tatimi, pasi tregtarët apo agropërpunuesit, me ndryshimin e fundit, nuk paguajnë më TVSH por një tatim mbi qarkullimin”.

“Kur u bë 20% kompesimi në vitin 2014, u rregullua në mënyrë të pavullnetshme ky handikap sepse qëllimi ishte realizimi i kompesimit për fermerin jo rregullimi i mekanizmit të vjeljes së TVSH në perputhje me frymën e ligjit. Si rezultat i rregullimit të këtij mekanizmi dhe kthimit në parimin e proporcionalitetit të këtij tatimi, në sektorin e bujqësisë u rrit kërkesa për produktin bujqësor vendas e për pasojë e efektit të mekanizmave të tregut (raporti ofertë / kërkesë), u rrit çmimi i shitjes dhe u rrit formalizimi i sektorit.”

Shtyrje kërkohet edhe për cështen e imputeve.

“Nisur nga fakti që këtë periudhë ka ngritje të çmimeve të imputeve bujqësore në masën 30-100% për shkak të krizës globale energjetike, kërkojmë shtyrjen në kohë të aplikimi të TVSH në shkallën 10% si kundër është paraqitur në projekt paketën fiskale për vitin 2022.”

Ndërkohë sipas relacionit të bërë public, ndryshimi i normës së kompensimit të prodhuesit bujqësor nga 6 për qind bëhet 0 për qind, duke marrë në konsideratë rekomandimet e FMN-së në mënyrë të vazhdueshme për heqjen e të gjithë përjashtimeve dhe normave të reduktuara tatimore, si dhe përkrahjen e sektorëve prioritarë duke gjetur mënyra të tjera mbështetjeje, por pa cënuar sistemin tatimor.