Edhe pse pranoi se ekonomia e vendit është përmirësuar në 6 mujorin e parë të këtij viti, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se rritja e çmimeve dhe mungesa e konsolidimit janë rreziqet kryesore që i kanosen ekonomisë së vendit. Ndonëse çmimet konsiderohen rrezik, në një konferencë për mediat guvernatori, i qëndroi deklaratës së mëparshme që ky shtrenjtim do të jetë kalimtar.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (web Banka e Shqipërisë)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (web Banka e Shqipërisë)

“Efekti i goditjeve të ofertës në inflacion pritet të jetë i pranishëm dhe gjatë tremujorit aktual dhe gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, e të vijë në shuarje gjatë periudhës në vazhdim. Ky gjykim bazohet në konsensusin e analizave të institucioneve ndërkombëtare dhe pritjet e tregjeve. Sipas këtij konsensusi, çmimet e naftës, të energjisë dhe të produkteve ushqimore, pritet fillimisht të stabilizohen e më pas të reduktohen gjatë vitit 2022, çka do të zvogëlojë presionin mbi kostot e prodhimit në vend dhe çmimet e konsumit. Një rritje më e shpejtë apo më e gjatë në kohë e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe një ritëm më i ngadaltë i konsolidimit fiskal, përbëjnë rreziqe të kahut të sipërm mbi inflacionin. Nga ana tjetër, një rimëkëmbje më e ngadaltë e ekonomisë botërore përbën rrezik të kahut të poshtëm mbi inflacionin”- tha Sejko

Sipas guvernatorit të Bankës Qendrore, informacioni i ri i marrë në analizë tregon se ekonomia shqiptare po vijon të rimëkëmbet nga goditjet e marra nga tërmeti dhe pandemia.

“Kjo ecuri vihet re në rritjen e vëllimit të aktivitetit ekonomik, në zgjerimin e punësimit dhe rritjen e pagave, në përmirësimin e bilanceve financiare të sektorit privat, si dhe në rritjen e qëndrueshme të kredisë bankare.Po ashtu, informacioni i ri tregon rritje të inflacionit, si në ambientin e huaj dhe në atë të brendshëm. Rritja e inflacionit u diktua kryesisht nga goditjet e ardhura si pasojë e disbalancave midis kërkesës dhe ofertës në tregjet ndërkombëtare. Këto disbalanca priten të jenë të përkohshme dhe efekti i tyre në inflacion pritet të jetë kalimtar. Nga ana tjetër, ndonëse në rritje, presionet e brendshme për rritjen e punësimit, të pagave dhe të inflacionit, janë ende të moderuara”,

Konferencë shtypi e guvernatorit(web Banka e Shqipërisë)

Konferencë shtypi e guvernatorit(web Banka e Shqipërisë)

Parashikimet e ekspertëve për të ardhmen mbeten pozitive. Projeksionet sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, e mbështetur dhe nga stimuli monetar, duke krijuar premisa për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv gjatë vitit të ardhshëm.

“Aktiviteti ekonomik në vend po vijon të rimëkëmbet. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 17.9% në tremujorin e dytë të vitit. Informacioni indirekt i disponuar sinjalizon një zgjerim të mëtejshëm të saj gjatë tremujorit të tretë. Rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik është mbështetur nga reduktimi i masave kufizuese, rritja e besimit, përmirësimi i ambientit të huaj, si dhe politikat stimuluese ekonomike. Kjo rimëkëmbje ka pasur një bazë të gjerë. Në terma të kërkesës agregate, ajo pasqyroi rritjen e konsumit dhe të investimeve private, zgjerimin e eksporteve të mallrave e të shërbimeve, si dhe kontributin pozitiv – ndonëse në rënie – të stimulit fiskal”, theksoi ai

Ecuria ekonomike, sipas Bankës pasqyroi rritjen e thuajse të gjithë sektorëve e degëve të prodhimit e të shërbimit, me përjashtim të atij bujqësor. Me shqetësim shihet edhe pjesa e papunësisë.

“Megjithatë, rimëkëmbja ekonomike ka pasur – deri më tani – një pasqyrim të pjesshëm në tregun e punës. Ndonëse norma e papunësisë zbriti në nivelin 11.6% në tremujorin e dytë, ajo mbetet ende larg niveleve të regjistruara përpara pandemisë. Rikuperimi më i ngadaltë i punësimit dhe pagave është një fenomen i njohur në procesin e rimëkëmbjes. Gjithsesi, ai dikton presione të përmbajtura për rritjen e inflacionit dhe kërkon vijimin e kursit akomodues të politikës monetare.Politika monetare stimuluese ka vijuar të transmetohet në kosto të ulëta financimi dhe kushte të përshtatshme kreditimi. Tregjet financiare shfaqen të qeta dhe karakterizohen nga vëllime normale tregtimi, nga prime të kontrolluara rreziku dhe nga norma të ulëta interesi. Po ashtu, kursi i këmbimit të lekut shfaqet i qëndrueshëm, duke regjistruar luhatje të përmbajtura, në linjë me ecurinë e faktorëve sezonalë.”, vuri në dukje guvernatori

Mbledhja e Bankës së Shqipërisë(web Banka e Shqipërisë)

Mbledhja e Bankës së Shqipërisë(web Banka e Shqipërisë)

Në analizën e Bankës Qëndrore thuhet gjithashtu se politika fiskale ka vijuar të ruajë natyrën e saj ekspansioniste gjatë vitit 2021, ndonëse intensiteti i stimulit fiskal ka ardhur në zbehje gjatë muajve të fundit.

“ Rimëkëmbja e bën të nevojshme një rritje të vëmendjes ndaj konsolidimit fiskal. Ky konsolidim rrit hapësirën për përballimin e goditjeve potenciale në të ardhmen, redukton primet e rrezikut në tregjet financiare dhe fuqizon stabilitetin makroekonomik të vendit”

Në vendimin e fundit Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5% dhe të lerë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, respektivisht në nivelet 0.1% dhe 0.9% . Këto politika vlerësohen si të përshtatshme për mbështetjen e ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.