Vitin e ardhshëm hyn në fuqi një skemë e re e tatimit të pagave në Shqipëri. Sipas ndryshimeve të paketës fiskale të dorëzuara tashmë në Kuvend, pjesa e patatueshme rritet nga 30 në 40 mijë Lekë, ku detyrimi do të jetë zero. Shtohet një fashë e re nga 40 në 50 mijë Lekë, ku tatimi prej 13% përgjysmohet. Sipas projekligjit të ri të paketës fiskale qeveria ka vendosur gjithashtu që tatimi 23% të nisë nga pagat 200 mijë Lekë në muaj dhe jo siç është tani për pagat mbi 150 000 lekë në muaj.

Ministrja Ibrahimaj në Kuvend (Foto nga Ministria e Financave dhe ekonomisë)

Ministrja Ibrahimaj në Kuvend (Foto nga Ministria e Financave dhe ekonomisë)

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka prezantuar para deputetëve edhe ndryshimet e TVSH-së. Në bujqësi propozohet të hiqet kompensimi 6% për fermerët, ndërsa për të mbrojtur prodhimin vendas po diskutohet te vendoset një taksë importi për qumështin pluhur. Për fermerët do të ketë një garanci sovrane prej 1 miliard Lekësh

Rritet paga dysheme e pa tatueshme, nga niveli 30 mijë lekë në nivelin 40 mijë lekë në muaj. Për këtë interval pagash tatimi që do të paguhet mbi të ardhurat nga paga është 0%. Nga kjo përfitojnë rreth 71 mijë e 500 qytetarë në masën totale prej 557 milionë lekësh në vit. Tatimi 23% parashikohet të fillohet të aplikohet mbi pagat mbi 200 mijë lekë në muaj nga 150 mijë lekë në muaj që është aktualisht. Projektligji parashikon vendosjen e një takse 100 lekë për kilogram për importet e prodhimit të qumështit pluhur” tha ministrja e ekonomisë Ibrahimaj

Sipas relacionit, nga lehtësimi i barrës tatimore, pra, nga zerimi i tatimit për pagat deri në 40 mijë lekë përfitojnë 71,500 të punësuar dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 7,800 lekë për tatimpagues në vit ose rreth 557 milionë lekë për të gjithë tatimpaguesit. Ndërsa nga ndryshimi i propozuar gjithashtu parashikon reduktimin e normës tatimore me 50% për tatimpaguesit me të ardhura nga paga nga 40,001 lekë/muaj deri në 50,000 lekë/muaj, ku përfitojnë rreth 58,000 tatimpagues me një shumë përfitimi rreth 11,700 lekë mesatarisht për vit.

Në të njëjtën linjë thuhet ne relacion mbështetet e gjithë shtresa e mesme duke rishikuar fashën e sipërme të taksimit progresiv. Tatimi 23% parashikohet të fillojë të aplikohet në pagat mbi 200,000 lekë/muaj, nga 150,000 lekë/muaj që është aktualisht. Numri i përfituesve nga ky ndryshim është rreth 5,900 tatimpagues dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 23,000 lekë për tatimpagues/vit, në vlerën totale prej 135 milionë lekë në vit.

Përfaqësues të qeverisë theksojnë se nëpërmjet këtyre propozimeve lehtësojmë shtresën e ulët dhe të mesme duke qëndruar fort parimit të progresivitetit ku ai që fiton më shumë, paguan më shumë.

Deputeti socialist Erio Braçe (Foto nga ABC.al)

Deputeti socialist Erio Braçe (Foto nga ABC.al)

Gjithashtu për herë të parë do të shtohet akcizë 6 lekë për çdo litër gaz që blihet për ngrohje dhe gatim. Konkretisht qeveria shqiptare propozon unifikimin e akcizës për gazin e makinave dhe gazin që përdoret për qëllime të tjera, në nivelin 6 lekë për litër. Aktualisht, niveli i akcizës për këtë nënprodukt është 8 lekë litri, nëse përdoret si lëndë djegëse për automjetet dhe 0 lekë litri, për sasinë që shfrytëzohet nga konsumatorët e tjerë. Deputeti i mazhorancës Erion Braçe nuk ka kursyer kritikat ndaj Financave pasi për të ulja e kompensimit të tvsh-së nga 6% në 0 si dhe rikthimi i taksës 10% për inputet bujqësore godasin rëndë fermerët.

Dua të di të gjithë rekomandimet që ka bërë FMN për përjashtimet dhe dua të di kriterin që keni zbatuar ju për të selektuar përjashtimet? Se që të godasësh një sektor kaq të gjerë siç është bujqësia, ndërkohë që shumë më tepër para që më vjen turp që në këtë kuvend sa kohë kam i vetmi diskutim shtyhet deri në një farë vendi dhe pastaj tërhiqet është birra, që sa herë turpërohemi e ulim kokën e ta mbajmë në fuqi atë përjashtim që kemi. Trajtimi i furnizimit të imputeve bujqësore me një normë të reduktuar të TVSH-së do të kontribuojë në zbritjen e informalitetit,”- theksoi deputeti socialist Erion Braçe

Por sipas ministres Ibrahimaj “Ndryshimet e parashikuara në ligjin e TVSH-së vijnë si shkak i rekomandimeve në mënyrë të vazhdueshme të FMN-së për heqjen e të gjithë përjashtimeve dhe normave të reduktuara tatimore, si dhe përkrahjen e sektorëve prioritarë duke gjetur mënyra të tjera mbështetjeje, por pa cënuar sistemin tatimor”

Kritika deputeti socialist Braçe ka patur edhe për taksën e karburantit ndaj mjeteve të luksit, që sipas tij paguajnë ndjeshëm më pak se qytetarët e thjeshtë, të mbytur me taksa. Braçe ka kërkuar një analizë ligjore, se cila ka qenë barra dhe është aktualisht për këto mjete, për naftën që furnizon këto mjete luksi.

Sa i përket ndryshimit tjetër për trajtimin me shkallë të reduktuar të TVSH-së 10 për qind i furnizimit të inputeve bujqësore, siç janë plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët, përveç hormoneve numri i subjekteve, të cilët preken nga ky ndryshim është 3600 subjekte në vit. Nga trajtimi me shkallë të reduktuar 10 % të TVSH-së i furnizimit të inputeve bujqësore pritet që të ardhurat të rriten me rreth 900 milionë lekë/vit.