Në projektbuxhetin e vitit 2022, i publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, financat presin që të mbledhin 537 miliardë lekë të ardhura me një rritje prej 10.6% në krahasim me buxhetin e pritshëm të vitit 2021 sipas aktit normativ. Në anën tjetër, shpenzimet e pritshme janë 637 miliardë lekë, me rritje prej 4.5% në raport me aktin normativ 2021. Shpenzimet kapitale pritet të jenë 119 miliardë lekë nga 132 miliardë lekë që është akti normativ 2021, me një tkurrje prej rreth 10%.


Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 2.4 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 6% për punonjësit shëndetësorë dhe ata arsimorë.


Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 90.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB-së. Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 50.7 miliardë lekë ose 2.7% të PBB-së, për të përballuar çdo risk të mundshëm të rritjes së normave të interesit. Rritja e nivelit të të ardhurave do të mbështetet sipas qeverisë në ecurinë pozitive të aktivitetit ekonomik në vend, miradministrimit fiskal si dhe në uljen e informalitetit në ekonomi. Ndërsa sa i takon krahut të shpenzimeve buxhetore, ato do të mbështesin një sërë investimesh publike me në fokus procesin e rindërtimit dhe projekte të tjera infrastrukturore në ndërtimin e rrugëve, aeroporteve, investime në ujësjellës kanalizime etj.

Konkretisht përsa i perket ndarjes së buxhetit sipas ministrive të linjës, ajo e financave rezulton edhe me buxhetin më të lartë me 65.2 miliardë lekë. Më pas me buxhet të lartë vjen Ministria e Infrastrukturuës me 47. 4 miliardë lekë. Për vitin që vjen është rritur buxheti për shëndetësinë dhe arsimin përkatësisht me 6.6 mld lekë dhe 4.6 mld lekë më shumë se buxheti i kaluar, si dhe ai për ministrinë e mbrojtjes në 32.6 miliardë lekë dhe ai për drejtësinë është shtuar me 2.6 miliardë lekë më shumë se këtë vit.


Klodian Muço (Syri Tv)

Klodian Muço (Syri Tv)

Klodian Muço, ekspert ekonomie sjell një analizë më të detajuar.


“Përsa i përket projekt-buxhetit të 2022 si dhe ai i 2021 është i fokusuar te investimet e infrastrukturës. Praktikisht defiçiti buxhetor edhe përgjatë 2022 do të jetë gati 860 milionë euro, ku një pjesë e mirë e këtyre investimeve do të shkojnë në infrastrukturë apo gati sa 64% e GDP-së. Nqs do të shikojmë ministritë e ndryshme dhe do të krahasojmë buxhetin për ministri specifike, me anë të prioriteteve që qeveria ka deklaruar në të kaluarën apo në raport me programin e Rama 3, do të shikojmë që Ministria e Arsimit ka një rritje të buxhtit të konsiderueshme me gati 12%, por nga ana tjetër nëse do të shikojmë raportin, buxhetin që shkon për Ministrinë e Arsimit në raport me buxhetin në kompleks, shikojmë që pesha e Ministrisë së Arsimit është vetëm 7.25%. Nëse këtë buxhet do ta krahasojmë me atë të 2019, do të shikojmë që në realitet në 2019 ka qenë 7.9%. me kalimin e viteve, edhe pse konsiderohet prioritet arsimi, pesha apo rëndësia që ka kjo në buxhetin e përgjithshëm është ulur”, shprehet eksperti Muço


Sipas Muços, sektori i bujqësisë edhe pse shihet me prioritet, nuk ka një buxhet më të lartë vitin që vjen.


“ Një sektor tjetër që konsiderohet prioritar për qeverinë është ai i Ministrisë së Bujqësisë, apo bujqësia. Në realitet nëse do të krahasojmë projekt-buxhetin e 2022 me buxhetin e 2021 shikojmë që kemi një reduktim të fondeve në këtë sektor të ekonomisë. Kjo tregon që nga një anë prioritetet e përfolura janë ndryshe, realiteti është ndryshe. Duket sikur qeveria po divergjon në raport me atë çfarë deklaron dhe me atë çfarë bën realisht.”- thotë Muço.


Eksperti thotë se një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm që duhet përmendur në këtë rast janë konçesionet e reja, investimet në infrastrukturë që qeveria ka deklaruar përgjatë diteve të kaluara.


“Shqipëria po preket nga një valë inflacioni ashtu si dhe vende të tjera të botës dhe kemi një rritje të ndjeshme të çmimeve apo kemi krizën energjitike që kryeministri e konsideroi si një ndër krizat ndoshta dhe më të rëndë se ajo e pandemisë. Por nga ana tjetër nëse do ta krahasojmë emergjencën me faktet reale me atë çfarë qeveria do të bëjë për të frenuar apo përballuar këtë rritje të inflacionit, rrogat rriten me 6% në sektorin e arsimit, por ky vendim hyn në fuqi vetëm në korrik të 2022. Në gjashtë muajt e parë të vitit nuk do të kemi një rritje rroge. Te njëjën gjë mund të themi për sektorin shëndetësor, apo atë të Ministrisë së Brendshme. Pra, nuk është marrë një masë konkrete në këtë aspekt”, shprehet Muço


Me shqetësim shihen edhe parashikimet buxhetore për punësimin dhe rininë.


“Gjithë energjitë fonkusohen të pjesa e investimeve në infrastrukturë që nuk gjenerojnë punësim. Qeveria mund të merrte më tepër masa për punësimin e të rinjve, mund të çonte fonde për startup-et e reja siç po bëjnë vende të ndryshme të BE-së. Në Shqipëri në projekt-buxhetin e 2022 nuk është parashikuar absolutisht asgjë.”, nënvizon eksperti


Financat zotohen për ulje të borxhit publik në nivelin e 78.9%, pas rritjes së tij në 80% të parashikuar deri në fund të 2021, por kjo nuk duket bindëse për analistët.


“Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm është pjesa e borxhit publik. Qeveria nga njëra anë deklaron që do të reduktojë borxhin public, por nga ana tjetër defiçiti buxhetor mbetet përsëri i lartë, mbi 6%. Për 2022 defiçiti byxhetor është parashikuar 860 milionë por me shumë gjasa ky defiçit do të rritet në të ardhmen”, thotë eksperti.


Projekt-buxheti 2022(gazeta express)

Projekt-buxheti 2022(gazeta express)

Qeveria ka parashikuar në projektbuxhetin e 2022 një fond prej 20 miliardë lekësh për rindërtimin. Ekspertët e krahasojnë me buxhetin e këtij viti dhe me punën e bërë deri më tani.


“Nëse do të shikojmë buxhetin e 2021 qeveria deklaroi që 28 miliardë lekë ishin investuar përgjatë 2020 për rindërtimin, 32 miliardë do të investoheshin përgjatë 2021 dhe 6.6 miliardë do të investoheshin gjatë 2022 dhe brenda 2022 rindërtimi do të përfundonte. Ndërsa çfarë shikojmë aktualisht është që nga 6.6 miliardë që ishte parashikuar në 2021 për 2022, në projektbuxhetin e 2022 kjo 6.6 ka shkuar 20 miliardë që tregon ose me rindërtimin nuk kanë avancuar ndërtimet ashtu siçishte parashikuar në 2021 ose me shumë gjasa po fryhen kostot e rindërtimit” bën të ditur eksperti i ekonomisë.


Sipas parashikimeve për vitin 2021, rritja ekonomike pritet të jetë 7.6%, pas tkurrjes me 4% në vitin pandemik 2020. Për vitin 2022, rritja pritet të jetë 4.1%, ndërsa në 2023 parashikohet të përshpejtohet lehtë në 4.2%.