6 mujori i parë i këtij viti shënoi shifra të kënaqshme sa i përket rritjes së të ardhurave totale në buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave për për periudhën janar-qershor 2021 të ardhurat totale në buxhet ishin 234 miliardë lekë, me një rritje prej 20% në raport me 6-mujorin 2020 (+39 miliardë lekë) ndërsa në krahasim me janar-qershor 2019, rritja është 3.6% apo +8.2 miliardë lekë.

Nësë bëjmë një krahasim me 6-mujorin 2020, të gjitha zërat janë me rritje, pasi theksojmë se 6 mujroi i viti që kaloi përkon edhe me muajt e vështirë për shkak të krizës. Në analizën e detajuar të bërë nga financat të ardhurat doganore që përfshijnë të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare u realizuan në vlerën 84.7 miliardë lekë, 16.5 miliardë lekë ose 24.3% më shumë se 6 mujori 2020, si dhe 4.5 miliardë lekë ose 5.6% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 6 mujorin e vitit 2021. Sipas Analizës së 60 grup mallrave, 50% të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zënë 5 produkte dhe përkatësisht:karburant importi, cigaret, metalet bazë, automjetet e përdorura, plastika etj. Ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në realizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar. Në pjesën e parë të vitit produket doganore me efekt pozitiv. Ndër produket me efekt negative renditen energjia elektrike, mielli dhe gruri, sheqeri, dhjamra dhe vajra shtazore dhe fruta –perime. Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 23.2 miliardë lek ose 17.3% më shumë .

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.2 miliardë lekë, 134.9% krahasuar me vitin i kaluar.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura), për 6 mujorin 2021 u realizuan në masën 118.2 miliardë lekë ose 15.2% më shumë se 6 mujori i vitit të kaluar.Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 17.7 miliardë lekë ose 28.9% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 19.3 miliardë lekë ose 21.6% më shumë .Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga tatimi kanë patur të ardhurat nga tatimi mbi deklaratën individuale vjetore të të ardhurave me rritje 352% krahasuar me 5 mujorin e vitit 2020.

Në një prononcim për Radio Ejani, Mateo Spaho, ekspert ekonomie thotë se nuk mundet të jemi euforikë nga rritja e të ardhurave në këtë përiudhë pasi krahasimi bëhet me vitin e kaluar nën efektin e pandemisë

“Në 6-mujorin e parë të vitit 2021 nuk kemi patur ato masa të kufizimit që filluan në mesin e muajit mars të vitit 2020 dhe që vijuan deri në verën e vitit 2020 dhe si pasojë të gjitha ato që ishin aktivitete të bizneseve të importit, të eksportit dhe të ardhurave që vijnë nga këto elementë siç janë të ardhurat doganore, pagesa e eksizeve, tatim mbi vlerën e shtuar e kështu me rradhë kanë qenë të ardhura më të larta dhe që shprehin një rikthim në normalitet ose në një normalitet të pjesshëm. Natyrisht të dhënat janë të mira, kufizimet përsa u përket udhëtimeve kanë qenë më të vogla në raport me vitin e kaluar dhe Shqipëria është rikthyer të ketë më shumë aktivitet turistik, natyrisht jo normal ende por më te lartë në raport me 6-mujorin e parë të vitit 2020. Pra, nuk mundet të jemi euforikë në sensin e të ardhurave të buxhetit të shtetit, por nga krahu tjetër mund të themi se siç ishte e pritshme rezultatet kanë qenë më të mira në raport me 6-mujorin e parë të vitit 2020 pikërisht sepse ekonomia nuk ka qenë aq e kushtëzuar dhe aq e mbyllur sa ç’ka qenë në tremujorin e parë të vitit 2020”, tha eksperti i ekonomisë Mateo Spaho

Sipas ekspertit Mateo Spaho, treguesi i rimëkëmbjes nuk vërehet vetëm tek treguesit e të ardhurave.

“Natyrisht kjo pjesë është një sinjal i mirë por nuk është e mjaftueshme sepse rikthimi në normalitet është mjaft i kufizuar dhe i kushtëzuar dhe me shumë gjasa edhe në vitet në vijim do të kemi një ekonomi jo tërësisht të hapur dhe duhet që shteti me buxhetin e vetë t’i bëjë ballë disa problematikave të mëdha, pasi rikthimi në normalitet ka dhe shoqërohet nga një rritje të rëndësishme të borxhit publik, i cili do duhet të paguhet. Nga një situatë ku një pjesë e bizneseve, sidomos atyre të vogla janë mjaft të dëmtuara, jemi në një situatë në të cilën kështu investimet e huaja dhe ato që duhet të ishin aktivitetet më të mëdha të rritjes ekonomikë përtej ndërtimit ende nuk kanë filluar plotësisht. Pra, le të themi kështu është një rikthim në normalitet por akoma nuk këmi dhe duhet të përgatitemi për të filluar një rimëkëmbje ekonomike të shëndetshme të strukturës sonë ekonomike dhe jo thjesht të të ardhurave të buxheti t të shtetit. “- shprehet analisti i ekonomisë Mateo Spaho.

Të dhënat tregojnë se Taksat nacionale, për peridhën Janar-Qershor 2021 u realizuan në masën 17.9 miliardë lekë ose 29.6% më shumë se vjet në të nëjtën periudhë.Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore ishin po ashtu 13.7% më shumë. Të gjitha këto shifra për Ministren e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj tregojnë faktin se ekonomia shqiptare po vijon të performojë pozitivisht dhe shpreh angazhimin e qeverisë për realizimin e planit të të ardhurave dhe shpenzimeve.