Me teknologjitë e reja tani është e mundur të ketë sjellje dhe zakone të reja, më të dukshme aktualisht, sidomos për një periudhë të jashtëzakonshme siç janë muajt e fundit të prekur nga pandemia dhe bllokimet e zgjatura.

Tema e udhëtimeve dhe pushimeve është ndikuar drejtpërdrejt. Sipas një hulumtimi të “Travel Digital Summit”, publikuar nga “Bain & Company”, tregon se turistët dhe udhëtarët tani janë të ndarë në pesë kategori të reja, sipas preferencave dhe sjelljeve specifike të identifikuara dhe të theksuara nga mjetet e “Advanced Analytics” të aplikuara nga “big data”. Sot, në funksion të verës 2021, mund të flasim për “Gold Digger”, “Voracious Traveller”, “Comftrotter”, “Sports Addiction” dhe “Lazy Voyager”.

Tipet e udhëtarit të ri janë orientuar më shumë drejt përdorimit të mjeteve personale për të lëvizur të sigurt, shpesh në vendin e tyre ose në destinacione të njohura, duke u përpjekur të shmangin kufizimet prej pandemisë. Emanuele Veratti, lideri i praktikës digjitale të “Bain & Company”, deklaroi se zakonet dhe preferencat janë në një kontekst të fragmentuar, por që në thelb të gjithë përdoruesit i bashkon kërkimi në internet, duke kërkuar përgjigje nëpërmjet një udhëtimi të personalizuar që u shkon për shtat.

Në fakt, teknologjia është elementi që mund të kanalizojë nevojat e sektorit, për të rindezur një biznes që i është dashur të ndalet dhe të ngadalësohet për shumë muaj.

Midis zakoneve të reja, të cilat karakterizojnë të gjitha kategoritë e reja të identifikuara, ato që mund t'i japin formë të re sektorit të turizmit në periudhën postandemike janë metodat e rezervimit, që sot kryhen për rreth 95% në internet, nevoja për fleksibilitet, sepse rreth 60% nuk janë të kënaqur më pas me shërbimet e rezervuara, përdorimi i mjeteve personale ose, gjithnjë e më shpesh, qëllimi për të marrë me qira një automjet të përshtatshëm për destinacionin e vizituar, gjithashtu për arsye të qëndrueshmërisë mjedisore.

Duke shpjeguar se si do të duhet të lëvizë sektori i turizmit në të ardhmen, Veratti përsërit: "Zgjidhjet e bëra me porosi dhe personalizimi i përvojave të blerjeve, përveç komunikimit dhe ndërveprimit gjithnjë e më efikas të operatorëve me udhëtarët-klientë, nuk janë më një opsion, por një domosdoshmëri për të rifilluar një sektor të tërë. Një hap përpara që nuk mund të shtyhet më, që ia vlen për mbijetesën e një biznesi specifik tani që paraqitet periudha e tij kulmore”.

Sipas specialistëve, në përgjithësi pushimet këtë vit do të jenë më të shkurtra, me një përqindje të lartë të të intervistuarve që do të pushojnë vetëm për një javë. Sipas sondazhit, 3 në 10 të anketuar do të bëjnë këtë verë më pak ditë pushime krahasuar me vitin 2019, ndërsa 5 në 10 të intervistuar do të qëndrojnë në të njëjtat kuota ditore.

Ekspertët thonë se rimëkëmbja e turizmit është shumë më e ngadaltë dhe e pjesshme sesa pritej. Ndërsa për sektorin, i cili ka dalë nga një katastrofë e vitit 2020 dhe sapo është kthyer nga tremujori i parë i vitit 2021 me ulje të ardhjeve dhe prezencave në rendin e 70% krahasuar me vitin e mëparshëm, vazhdojnë të arrijnë me pikatore ndihmat e akorduara që nga fillimi i pandemisë.

Pas mbylljeve dhe kufizimeve për shkak të Covid, pushimet e verës pritet të kenë një faturë më të madhe. Sipas një anketimi, destinacionet primare do të jenë pushimet brenda vendit, ndërsa në shkallën më të ulët të podiumit janë fluturimet ndërkombëtare që shënuan një rritje me 10% krahasuar me muajin e kaluar.

Në korrik dhe gusht, duke pasur parasysh kërkesën më të lartë krahasuar me qershorin, ekziston një rrezik real që çmimet të ngrihen edhe më shumë. Sipas ekspertëve, kuptohen vështirësitë e sektorit të turizmit, por duhet të kihet parasysh se familjet janë gjithashtu në krizë.

Pavarësisht rritjeve të vitit të kaluar në ambientet e akomodimit dhe bizneseve të ndryshme, këtë vit tendenca nuk duket të ndalet. Sipas “Codacons”, në vitin 2021 shpenzimet për frymë për një pushim veror 10-ditor do të kushtojnë mesatarisht 11% më shumë, duke duke marrë parasysh shpenzimet për udhëtime, qëndrime, shërbime të ndryshme, vakte dhe pije, me një rritje prej rreth 100 euro për person.

Kur flitet për pushimet e verës 2021 dhe Covid në fakt duhen pasur parasysh këshillat që ekspertët nga e gjithë bota kanë dhënë për shumë muaj. Para se të organizoheni për pushimet verore, është thelbësore të studiohet situata e vendit që do të vizitohet.

Nuk duhen harruar as masat anti-Covid të vendosura nga disa shtete për të përmbajtur përhapjen e virusit. Për të udhëtuar jashtë vendit duhet të merret parasysh që të plotësohen kushtet, edhe me pasaportën digjitale të gjelbër, për të realizuar pushimet e dëshiruara. Në fakt, ka shumë vende që kanë rihapur kufijtë e tyre për turistët, dhe me “Green pass” do të jetë edhe më e lehtë për të lëvizur nga një shtet në tjetrin në Evropë.

Përpara se të zgjidhet destinacioni për pushimet në Evropë, duhet lexuar dhe të kihen parasysh disa informacione të dobishme. Ndër destinacionet më të sigurta janë Greqia, me ishujt e saj pa Covid, Portugalia, e cila është e angazhuar për të vaksinuar 100% të popullsisë së ishujve të saj më turistikë dhe Malta, e cila ofron stimuj ekonomikë për turistët. Ndërsa shumë vende të tjera kanë rregulla të caktuara për të përmbajtur infeksionet. Në Spanjë, për shembull, variojnë nga rajoni në rajon.

Për të hyrë në plazhe, megjithatë, jo vetëm që do të jetë e nevojshme të rezervohet një çadër paraprakisht si vitin e kaluar, por edhe të respektohen disa rregulla të distancës dhe të shmanget çdo lloj grumbullimi në ujë, lojëra të të gjitha llojeve dhe festat.

Prej sondazheve të kryera ka rezultuar se shumë njerëz kanë frikë të rezervojnë pushimet e tyre më parë, sepse druhen se mos nuk rimbursohen. Ndaj, ekspertët këshillojnë që gjithnjë të shikohen opsionet e mundshme që ofrojnë kompanitë ajrore apo vendet e akomodimit, të ndikuara edhe nga situatat e krijuara prej pandemisë.

Përgatiti: Irma Paloli