Qeveria ka premtuar një tjetër mbështetje me garanci sovrane për sektorin e manifakturës dhe atë të turizmit.

Në mbledhjen e Këshillit të Investimeve, ministrja e financave dhe ekonomisë Anila Denaj deklaroi se ky hap vjen për të dalë nga kriza që pësuan në vitin 2020 këto sektorë dhe bëhet fjalë për një garanci sovrane prej 100 mln euro, ku të dy sektorët janë parashikuar fonde nga adro 50 mln euro.

“Flasim për instrumentet e mbështetjes me garanci sovrane, dhe në veçanti për sektorin e manifakturës me një fond prej gati 50 mln eurosh, i cili do të shkojë për të ndihmuar transformimin e këtyre kompanive drejt formatit të ri, që situata e pandemisë COVID-19 i manifeston. Një vëmendje të veçantë merr edhe sektori i turizmit, i cili parashikon instrumente mbështetëse me garanci sovrane në të njëjtën shumë”, tha ministrja Denaj.

Sipas ministres, riorganizimi i strategjisë 7-vjeçare 2021-2027 për zhvillimin e bizneseve ka si objektiv edhe integrimin rajonal të tyre. Strategjia për biznesin është hedhur për konsultim publik, ndërsa për hartimin e saj kanë kontribuar edhe partnerët ndërkombëtarë.

Në garancinë e parë sovrane me vlerë 11 miliardë lekë në pandemic, qeveria kishte si qëllim stimulimin e huadhënies vetëm për pagat e punonjësve të bizneseve që u prekën nga Covid-19. Shteti merrte përsipër garantimin 100% të principalit të huave.

Garancia e dytë sovrane ishte në vlerën e 150 milionë dollarë. Ndryshe nga garancia e parë ku kredia e parë do të shkonte vetëm për pagat e punonjësve, kredia e dytë kishte qellim përdorimi për investime dhe më një normë interesi 5%. Risku u nda në raportin 60 përqind që e mbante shteti dhe 40 banka. Garancia sovrane 2 u destinua për kapital qarkullues dhe investime .

I kontaktuar nga Radio Ejani, Zak Topuzi kreu i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit thotë se lidhur me garancinë e tretë sovranë të lancuar vetëm pak kohë më parë nga ministrja Denaj, nuk ka detaje. Topuzi pëfaqëson sektorin e hoteletisë, subjektet që në fakt u prekën direkt nga pandemia.

“E kam ndjekur nëpërmjet rrjeteve sociale dhe nuk kam një informacion shumë të plotë. Kam replikuar me zv ministrin e Financave, i cili e nxorri në rrjetet sociale dhe nuk ka asnjë konsultim me grupet e interesit. Grup interesi ato quajnë dhomat e tregtisë. Dhomat e tregtisë janë institucion që varen nga ministri i Financave“, u shpreh Zak Topuzi Kreu i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit.

Për Topuzin nuk duket një mekanizëm i duhur për bizneset që merren me turizëm

“Nuk besoj se garancia sovrane do të vlente për industrinë turistike në situatën ku ajo ndodhet. Gjithashtu siç nuk i vlejti garancia sovrane 1 dhe 2, pasi gjatë viteve të fundit industria ka marrë kredi me 3.5 -4% dhe garancitë sovrane kanë qene deri në 5%. E dyta, që eshtë më e rëndësishmja, gjatë vitit 2020 turizmi ka punuar me kapacitet më të vogël se 35%, sipas vete INSTAT-it, pasi shifrat janë gati 40%, por 5% janë turistët tranzitë.”, thotë Topuzi.

Kreu i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit thotë se bizneset stepen në marrje kredie për shkak të frikës së shlyerjes më pas

“Në një situatë të tillë kur ti ke më pak se 40% të të ardhurave nuk mund të shlyesh kredinë e parë, jo më të marësh një kredi të dytë me interesa më të larta se kredia e parë dhe është e pamundur. Këtë e kemi diskutuar dhe disa herë, qoftë në letrat që i kemi dërguar ministisë, apo kryeministrit .”- u shpreh Topuzi

Topuzi bën edhe një krahasim me vendet e rajonit për strategjitë e ndjekura për rimëkëmbjen e sektorit të turizmit

“Normalisht për industrinë turistike është zbatuar një mënyrë tjetër në rajon. Nuk po flasim për Italinë, Greqinë apo vendet tjera, por po flasim për Malin e Zi dhe Maqedoninëe Veriut. Maqedonia përdori disa paketa ndihme për industrinë turistike, duke subvencionuar interesat e kredisë deri në mbylljen e plotë të situatës pandemike, grante të vecanta për të gjitha kategoritë e industrisë së turizmit dhe përvec granteve, ka shtyrë në dy vjet deri në momentin kur të mbyllet pandemia kreditë, dhe ka përdorur metoden e jo ristrukturimit, por shtrirjen e kësaj në kohë. “-shton kreu i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit.

Në gjykimin e tij si përfaqësues i subjekteve hoteliere në të gjithë Shqipërinë, Topuzi thekson se industria turistike nuk mund ta përdorë kërë garanci sovrane

“Ne kemi berë kontakte me bankat, është e pamundur që kjo kredi me këto lloj shifrash të përdoret nga industria. Kredia sovrane thjesht shpëton bankën nga humbja, por robëron bizneset, pasi ato janë në çdo moment të goditur dhe pasuritë e txyre mund të sekuestrohen e të dalin në ankand. Vetë banka sigurisht ka nevojë për fondin që është dhënë dhe pjesën tjetër e mbulon garancia sovrane e shtetit. Nuk është zgjidhje kjo lloj mënyre , asnjë nga bankat nuk është pjëse e kësaj lufte. Në duhet të ndajmë midis nesh dhe situatës në të cilën ndodhet vendi, përgjegjësitë, pra nuk duhet t’i mbajnë vetëm biznesi, por dhe shteti duhet të dalë garant.” thekson Topuzi.

Afati për garancinë e dytë sovrane përfundoi në 30 qershor të këtij viti, ndërsa të dhënat e Shoqatës së Bankave tregojnë se deri në fund te muajit dhjetor 2020, që përkon dhe me afatin e fundit për aplikime sipas skemës së kësaj garancie, kanë përfituar 308 biznese, kryesisht në sektorin e tregtisë, shërbimit apo prodhimit, në favor të të cilave janë miratuar kredi, linja kredie apo overdrafte, në një vlerë totale prej rreth 8.95 miliardë Lekë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në kushtet ku garancia sovrane mbulon 60% të vlerës së kredive, rezulton që deri në fund të vitit 2020, garancia shtetërore, e miratuar me një vlerë totale prej 15 miliardë Lekë, të jetë përdorur në vlerën prej më tepër se 5 miliardë Lekë (mbi 30%).