Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se ekonomia shqiptare u rrit me 5,53% në tremujorin e parë të vitit 2021 . Rritja ekonomike u mbështet sidomos nga kontributi i sektorëve të industrisë, me 2,56%, i ndërtimit me 1,09% dhe arsimit e shëndetësisë, me 0.97%. Në muajt e parë të 2021-shit bujqësia nuk ka njohur ndonjë zhvillim, duke performuar thuajse njëlloj si në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Me rënie kanë qenë se sektorët e tregtisë, transportit dhe turizmit.

Konkretisht sipas sektorëve të analizuar nga Instat, aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 0,09 %; aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rritje me 23,81 %; aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 16,87 %; grupi i aktiviteteve Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rënie prej 0,93 %; grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 4,94 %; aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 16,94 %; aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 8,65 %; grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 3,14 %; grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 7,45 %. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje; grupi i aktiviteteve të tjera të shërbimit pati një rritje me 7,79 %.

Në të dhënat e publikuara për Konsumin final të popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi, Instat vëren se u rrit me 1,49 %. Ndërsa konsumi final i qeverisë u rrit me 5,16 %, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0,66 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 7,55 %. Treguesit ekonomik nxjerrin në pah se ekonomia shqiptare duket se po nis ta marrë veten pas ndikimit nevagti që pati pandemia ku për 5 tremujor me radhe njihte vetëm rënie. Ndërsa tremujori i parë i vitit 2021 është i dyti i cili ka rezultuar pozitiv. Po ashtu këto tregues lënë shpresë edhe për një rritje të mëtejshme të ekonomisë gjatë muajve të verës, ku pritshmëritë janë për një sezon turistik të mbare që pritet të japë kontribut në ekonomi.

Eksperti i financave Eduard Gjokutaj thotë për radio Ejani se shifrat e rritjes ekonomike ende nuk tregojnë një zgjerim të aktivitetit ekonomik në vend.

Duke u bazuar në të dhënat e Insitutit të Statistikave, të cilat tashmë jane publikuar për një rritje ekonomike të pranueshme dhe brënda parametrave të deklaruara edhe nga Ministria e Financave dhe Qeveria, do të thoja se prapa këtyre shifrave ka mjaft problem, të cilat duhen përmendur në kuadrin e asaj që lidhet me ecurinë ekonomike në planin afatmesëm dhe sidomos atë afatgjatë. Ekonomia jonë në këto vitet e fundit ka një hapje frontale të gjerë, por nuk ka marrë modelimin e duhur për të qenë një ekonomi, e cila shkon drejt qëndrueshmërisë dhe strukturimit në kuadër të konkurencës potenciale, atyre sektorëve që na bëjnë më të vlefshëm në rajon, por nga ana tjetër edhe një ekonomi e cila do të kishte plotësuar një lidership ekonomik dhe politik tashmë të mbështetur fort te inovacioni. Nga ana tjetër thellimi i reformave është një mangësi në ecurinë ekonomike për arsye se reformat janë nisur por nuk janë përfunduar akoma në nivele që vetë qeveria i ka deklaruar. Kështu që, nisur nga problemet sistemike të ekonomisë dhe qasjet jo të duhura në bërjen e një ekonomie konkuruese, unë do të thoja në përgjithësi nuk mund të themi që kjo ecuri e tremujorit të parë është tregues i një ekonomie që është forcuar. Përgjithësisht kjo ka ardhur për shkak të rritjes të disa eksporteve, por nga ana tjetër shikojmë që kjo ekonomi nuk bazohet në një huamarrje. Pra rritja e nivelit të ekonomisë është nga më të ultat në vëndin tonë dhe kjo tregon që ekonomia jonë nuk është në zgjerim, por thjesht po mban veten për të qenë efektive në këtë kuadër rimëkëmbje ekonomike.- shprehet Gjokutaj.

Efektet e pandemisë pritet të shtrihen edhe në 6 mujorin e dytë. Për këtë eksperti Gjokutaj thekson:

Meqenëse Shqipëria është veçanërisht e ndjeshme ndaj goditjeve të jashtme, kryesisht për eksportin dhe kjo e bën situatën ekonomike edhe më të paqëndrueshme në vetvete. Kjo do të thotë që ndikimi nga efekti post-pandemi me gjasa do të shkojë përtej 6-mujorit të parë, pra dhe 6-mujori i dytë, i cili presupozohet të jetë optimist, gjykohet që të ketë një problematikë të mprehte në treguesit e bilancit tregtar, bilancit financiar dhe bilancit fiskal. Kështu që në këtë nismë për atë që fuqia e sipërmarrjes është e kufizuar, unë e kam të qartë që e gjithë kjo ekonomi ende nuk ka dalë nga kuadri i varësisë nga hyrje të disa kapitalëve apo investimeve strategjike, dhe nga ana tjetër këto nuk arrijnë dot të përmbushin nevojat e programeve të deklaruara nga qeveria.”- thotë Gjokutaj.

Sipas Gjokutajt, reformat janë jetike në forcimin ekonomik në vend ndaj qeveria duhet të fokusohet në këtë drejtim.

Zhvillimi i programeve ekonomike dhe fiskale duhet të jetë jetik, veçanërisht kur borxhi është i lartë dhe hapësirat për financim janë të ngushta. Një agjent ambicioz i reformave të mbetura brenda fjalive të propagandës është tashmë e nevojshme të reformohet për të rritur konkurencën dhe një rritje ekonomike të tillë që të justifikojë rimëkëmbjen. Në këtë aspekt do të thoja që viti 2021 do të jetë një vit i cili së pari, duhet të bazohet tek financimi i ekonomisë dhe konsumit. Nëse buxheti nuk mund të financojë më shumë se kërkesat bazike, atëhere huatë e mundshme, aktivizimi i tregut financiar, pse jo dhe efektet e tregut nga monedhat, te gjitha këto duhen përdorur bashkë me politikën e lehtësimit sasior, të harmonizuara dhe koordinuara në funksion të atyre sektorëve ekonomikë që jane jetikë”, nënvizon eksperti i ekonomisë

Po kaq e rëndësishme për një ekonomi të shëndoshë është edhe lufta ndaj korrupsionit dhe evazionit fiskal thonë ekspertët

Duhet te fillohet të kërkohet me forcë lufta ndaj informalitetit për të garantuar një sistem fiskal të qëndrueshëm, për arsye se e gjithë reforma që ka nisur në faturimin elektronik nuk mund të mjaftojnë në qoftë se nuk shoqërohet me gjithë masat e tjera frontale në luftën ndaj korrupsionit të brendshëm të administratës dhe luftën ndaj orientimit të kontrolleve fiskale aty ku është rrisku më i madh, si dhe duke ndryshuar mentalitetin e të bërit taksat, jo më duke i bezdisur taksapaguesit” - thotw eksperti Gjokutaj.

Shqipëria ka potenciale të marrë një zhvillim të madh në drejtim të teknologjisë, sugjeron eksperti Gjokutaj.

E fundit, lidhet me transformimin digjital të ekonomisë, i cili nuk ka të bëjë vetëm me teknologjitë e reja, por kërkon një rregullim të strukturave organizative të qeverisjes, të proceseve të punës, të kulturës. Ky revolucion do të thotë gjithashtu arritjen e një vizioni më të gjerë rreth modeleve te biznesit, që do të ridezinjojë funksionimin e shërbimeve publike. Në fakt, projekte të tilla digjitale mund të dështojnë sepse ato përqëndrohen dhe angazhojnë burime të shumta, duke u përqëndruar pak te kërkesat e perceptimit të qytetarëve. Megjithatë tregu shqiptar është i mirëpozicionuar për të përfituar relativisht nga zhvillimi teknologjik e në përgjithësi nga zhvillime gjeostrategjike-ekonomike, qeveria dhe gjithë biznesi, duke përfshirë dhe ekspertizën inovatore, duhet të angazhohet për të ndërtuar një zonë e cila në të ardhmen të jetë një strehë për kompanitë e mëdha teknologjike dhe kompanitë e zhvilluara”- thekson Gjokutaj.

Në rritjen ekonomike të 2 tremujorëve ka ndikuar edhe ecuria e mirë e sektorit të ndërtimit, duke qënë se shumë kantierë janë të hapur për procesin e rindërtimit pas tërmetit të 2019.

Ndërkohë së fundmi edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka publikuar parashikimin për pritshmërinë për ekonominë Shqiptare gjatë këtrij viti. Sipas BERZH-it, ekonomia shqiptare pritet të rritet me 4.5 përqind gjatë vitit 2021. Sipas përllogaritjeve të bëra, ekonomia do të arrijë nivelin e 2019-s që këtë vit, madje do ta tejkalojë atë më 1%.

Gjithësesi nëse e krahasojmë me vendet e tjera, ekonomia shqiptare do të rritet me ritme më të ulta se mesatarja e Ballkanit Perëndimor, që është 5.1%.

Në rajon, ritmin më të lartë të rritjes këtë vit do ta ketë ekonomia e Malit të Zi me 8.5%, për shkak të rënies së madhe të vitit të kaluar me -15.2%, ekonomia e Serbisë do të zgjerohet me 6%, ekonomia e Maqedonisë së Veriut me 4%, ajo e Kosovës 4%, ndërsa ekonomia e Bosnjës, me 3.5%. Sipas të dhënave kombëtare të publikuara një ditë më parë nga INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 5.3% në tremujorin e parë të vitit me ritme më të larta, se parashikimi i BERZH-it.

Për vitin 2022, BERZH për Shqipërinë parashikon një rritje 4%, ndërsa si rrezik shikohet kërcënimi nga koronavirusi. Kjo bën që sidomos parashikimi për turizmin ndërkombëtar mbetet shumë i pasigurt, për shkak të masave kufizuese, duke bërë që ekonomitë e varura nga turizmi të vazhdojnë të vuajnë pasojat.

Megjithëse parashikimet e rishikuara japin arsye për të qenë optimistë, mbetet një pasiguri e madhe në lidhje me rrugën e variantit të ri të Covid-19, “Delta” që paraqet rreziqe veçanërisht të mëdha për vendet që kanë bërë më pak përparim me vaksinimet dhe për ekonomitë e varura shumë nga turizmi ndërkombëtar. Pamja për vitin 2020 është e larmishme. Ndërsa disa vende në Europën Qendrore dhe Vendet Baltike paraqiten mire, krahasuar me shumë ekonomi të përparuara europiane falë një reagimi të fortë në eksportet e mallrave”, thuhet në deklaratën e BERZH-it.