Rreth dymbëdhjetë mijë persona morën pjesë në një studim 20-vjeçar të kryer nga “Young Lives”, një fondacion i Universitetit të Oksfordit, me qëllim për të hetuar plotësisht varfërinë e fëmijëve. Studiuesit ndoqën pjesëmarrësit, nga India, Etiopia, Peruja dhe Vietnami, nga fëmijëria deri në moshën e rritur. U zbulua se varfëria ndikon në çdo aspekt të jetës së një fëmije, duke kufizuar potencialin e tyre. Studimi u krye në bazë të tregimeve të vetë fëmijëve, pastaj adoleshentëve, të intervistuar çdo tre deri në katër vjet nga studiuesit. “Normalisht ne u referohemi të rriturve”, -shpjegon Marta Favara, shefja e studimit, -“por prindërit dhe fëmijët nuk e mendojnë gjithmonë në të njëjtën mënyrë dhe mund të kenë përvoja të ndryshme”.

Studimi tregoi se kushtet e jetesës janë përmirësuar ndjeshëm në vitet e fundit, në sajë të rritjes së shpejtë ekonomike dhe një ulje të varfërisë në shumë vende. Kjo konfirmohet nga të dhënat nga Etiopia, ku njerëzit në varfëri ekstreme kanë kaluar nga 61% në vitin 1996 në 24% në vitin 2016. Gjithashtu edhe ata të Perusë dhe Vietnamit. Në këto dy vende, në vitin 2016, pothuajse të gjitha familjet kishin akses në energji elektrike, krahasuar përkatësisht me vetëm 60% dhe 55% në vitin 2002.

Pavarësisht progresit të bërë në vitet e fundit, mirëqenia është ende larg. Martesa e fëmijëve, analfabetizmi dhe dhuna janë në fakt normaliteti për shumë të mitur.

Nga 12.000 pjesëmarrës, në moshën 8-vjeçare 4800 ende nuk dinin as të lexonin as të shkruanin, megjithëse ndoqën shkollën, ndoshta edhe për shkak të cilësisë së ulët të mësimdhënies së marrë. Situata është më e keqe për vajzat, shpesh të detyruara të martohen para moshës madhore dhe të bëhen nëna pak kohë më vonë, me pasoja negative në arsim dhe punë. Në Indi, në vitin 2016, pothuajse një në dy vajza ishte martuar tashmë në moshën 18-vjeçare, dhe gjashtë në dhjetë ishin nëna në të nëntëmbëdhjetat.

Në fakt, dhuna është normaliteti për shumë të mitur dhe jo vetëm në vendet në zhvillim. Sipas një raporti të vitit 2015 të botuar nga “Know Violence in Childhood”, tre në katër fëmijë në botë, d.m.th. 1.7 miliardë, vuajnë dhunë fizike, psikologjike ose seksuale çdo vit, me pasoja negative për mirëqenien dhe edukimin.

Situata është përkeqësuar edhe nga pandemia, që sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore, mund të çojë në varfëri ekstreme rreth 150 milionë njerëz të tjerë gjatë këtij viti, duke hedhur poshtë tre vjet përparim të bërë në uljen e varfërisë.

Edhe arsimi është goditur rëndë nga pandemia. Ndërsa në vendet më të pasura ka pasur një përpjekje për të zëvendësuar mësimin fizik në klasa me atë virtual, në shumicën e vendeve të varfra mbyllja e shkollave vetëm ka rritur hendekun arsimor midis vendeve të botës së parë dhe të tretë, duke u ndaluar miliona nxënësve të mësojnë të lexojnë dhe të shkruajnë dhe në shumë raste t'i detyrojnë ata të punojnë.

Në një artikull të botuar në “Euronews”, rreth 18 milionë fëmijë në Evropë janë në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social. Krahasuar me moshatarët e tyre më të pasur, ata kanë më shumë të ngjarë të kenë rezultate të dobëta në shkollë, kanë vështirësi në gjetjen e një pune të denjë dhe vuajnë nga një shëndet i dobët si të rritur.

Për të ndryshuar ciklin, Garancia Evropiane e Fëmijëve u bën thirrje qeverive të Bashkimit Evropian të sigurojnë që çdo fëmijë në rrezik të varfërisë të ketë qasje në arsim cilësor, kujdes të fëmijërisë së hershme dhe kujdes shëndetësor, me një vakt të shëndetshëm shkollor në ditë dhe mundësinë për të marrë pjesë në aktivitetet e shkollës, përfshirë sportet, të gjitha falas. Dhe së fundmi, akomodim i mirë.

Garancia zbaton Shtyllën Evropiane të të Drejtave Sociale e cila synon të heqë të paktën 5 milionë fëmijë nga varfëria deri në vitin 2030. Vendeve anëtare u kërkohet të bashkohen me Garancinë dhe të krijojnë plane veprimi se si do ta zbatojnë atë.

Jana Hainsworth, sekretare e përgjithshme e “Eurochild”, një rrjet organizatash që punojnë me fëmijë vulnerabël në të gjithë kontinentin, deklaroi se lidhur me varfërinë e fëmijëve në Evropë, shifrat e vetme që kanë janë ato para pandemisë, kur kishte pothuajse një në katër fëmijë në varfëri në Bashkimin Evropian, i cili është mjaft dramatik në një rajon kaq të pasur.

Pandemia padyshim e ka përkeqësuar situatën e varfërisë së fëmijëve. Sipas përfaqësueses së “Eurochild”, po raportohen vështirësi të konsiderueshme në të gjithë Evropën, me një rritje të dukshme në përdorimin e bankave ushqimore dhe familjeve që kanë mbetur pa strehë. Ndikimi te fëmijët është mjaft dramatik. Ata gjithashtu po humbin mundësinë për të shkuar në shkollë dhe rrjetet e tyre sociale.

Hainsworth deklaroi se Garancia Evropiane e Fëmijëve është një iniciativë shumë premtuese, shumë ambicioze, me qëllimin e duhur për t'i dhënë përparësi investimit te fëmijët. Sipas saj, sfida është që mos të qëndrojë vetëm në letër.

Ekspertja sjell si shembull të mirë Irlandën, ku kanë një strategji afatgjatë për të luftuar varfërinë e fëmijëve dhe përjashtimin social. Madje kanë dhe një ministri për fëmijët. “Ndërsa shërohemi nga kjo krizë e thellë, duhet të mendojmë për një rimëkëmbje gjithëpërfshirëse, dhe nëse u japim përparësi fëmijëve, do të krijojmë një të ardhme më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse”, -tha Hainsworth.

Një studim i “Unicef”-it mbi të drejtat e fëmijëve u konsultua me 1700 fëmijë dhe adoleshentë të moshës 9 deri në 17 vjeç. Rezultatet tregojnë zhvillime pozitive, por edhe boshllëqe në të gjitha fushat, veçanërisht në lidhje me varfërinë, dhunën, diskriminimin dhe mundësitë e barabarta.

Rezultatet e studimit shfaqen edhe shqetësime. Përgjigjet e fëmijëve dhe adoleshentëve të goditur nga varfëria bien në sy. Bettina Junker, drejtoreshë e përgjithshme e “Unicef” në Zvicër, deklaroi se të dhënat tregojnë se të miturit pësojnë rregullisht dhunë dhe diskriminim, ndërsa atyre më pak të favorshëm nga pikëpamja socio-ekonomike ka më pak të ngjarë që t’u respektohen të drejtat. Sipas Junker, varfëria e fëmijëve vazhdon të jetë një çështje qendrore sociale dhe qëllimi duhet të jetë zbatimi i plotë i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, veçanërisht duke u përqëndruar tek ata më vulnerabël.

Në fund, përmes sondazhit, fëmijët dhe adoleshentët u pyetën për dëshirat e tyre dhe për të bërë sugjerime. Sipas specialistes së zyrës që u mor me studimin, Mandy Falkenreck, pretendimet e tyre mund të përmblidhen në katër tema kryesore: Fëmijët duan më shumë mundësi për pjesëmarrje politike, ndryshime në shkollë, gjendje më të mirë ekonomike dhe më shumë hapësirë për kohën e lirë.

Përgatiti: Irma Paloli