E ardhmja e planetit, ekonomia, papunësia dhe shëndeti janë ndër çështjet kryesore që shqetësojnë të rinjtë e sotëm. Më shumë se një vit nga fillimi i pandemisë, të rinjtë janë të shqetësuar për punën e tyre dhe perspektivat financiare, ndërsa aktivizmi i gjeneratës së re është në rritje, gjë që sjell vëmendje më të madhe për çështjen e mjedisit, por edhe një ndjeshmëri të re mbi çështje socio-ekonomike.

“Deloitte's Millennial Survey 2021” realizoi një sondazh te të rinjtë e lindur mes viteve 1983-1994 dhe ata të gjeneratës së re, në vitet 1995-2003, me mbi 23.000 të anketuar në të gjithë botën, për të zbuluar mendimin e tyre për çështje kyçe si puna, shoqëria dhe vizioni i tyre për botën në përgjithësi. Për herë të parë, u intervistuan djem dhe vajza të gjeneratës së re.

Studimi kishte për synim të merrte mendimin e grupmoshave më të reja të shoqërisë, për të kuptuar në cilin drejtim do të shkojë bota. Nga anketimi del se nuk është për t'u habitur që të rinjtë po përqendrohen gjithnjë e më shumë në çështjet e përgjegjësisë mjedisore dhe socio-ekonomike.

Në të njëjtën kohë, shfaqet një mosbesim i caktuar ndaj kompanive dhe aftësia e tyre për të bërë një ndryshim në këto çështje. Sipas specialistëve, është një paralajmërim që e gjithë bota e biznesit duhet ta marrë parasysh. Sidomos tani që me planet e veprimit ka vërtet mundësi për të pajtuar rritjen me mundësinë për ta bërë ekonominë tonë më të qëndrueshme.

Pas tronditjes së madhe pandemike, të rinjtë janë gjithnjë e më të vëmendshëm për respektimin e mjedisit dhe çështjes së ndryshimit të klimës. Është një trend që po afirmohet në të gjithë botën, veçanërisht te të rinjtë e gjeneratës së re. Për ta, në fakt, shqetësimi për mjedisin është përparësia numër një si në nivel global ashtu edhe në atë kombëtar.

Rreth 40% e kësaj grupmoshe të pyetur globalisht, besojnë se më shumë njerëz do të angazhohen për të ndërmarrë veprime mbi çështjet mjedisore pas pandemisë. Por 60% e të anketuarve globalisht kanë frikë se përpjekjet e biznesit për të ndihmuar në luftën ndaj ndryshimeve klimatike do të mbulohen nga sfidat ekonomike të krijuara nga pandemia.

Interesant është hendeku mes dy gjeneratave. Brezi i mijëvjeçarit janë të shqetësuar për çështjen e mjedisit, por në një masë më të vogël. Ajo që me të vërtetë i shqetëson është puna dhe perspektivat financiare që lidhen me të.

Të rinjtë evropianë, në fakt, janë më të shqetësuar për punën sesa bashkëmoshatarët e tyre në vendet e tjera. 39% e brezit të mijëvjeçarit kanë frikë nga papunësia. Një shifër dukshëm më e lartë se ajo globale, e cila ndalet në 27%. Edhe për brezin e gjeneratës së re, që ka filluar të shfaqet në tregun e punës, papunësia është një çështje e rëndësishme, një shqetësim për 35% të evropianëve përkundrejt një mesatare prej 25% në rang global, në kuadër të anketimit.

Një përqindje tepër e lartë e të anketuarve në vendet evropiane, mbi 50% e të dyja grupmoshave thonë se ekonomia kombëtare do të përkeqësohet gjatë vitit. Po ashtu alarmante janë edhe parashikimet mbi situatën socio-politike, me mbi 40% të të anketuarve në rang global që parashikojnë një përkeqësim. Ky lloj pesimizmi u lidh edhe me periudhën e realizimit të pyetësorit, i cili përkoi me situatën pandemike.

Globalisht, mendimet mbi ndikimin shoqëror të kompanive janë përkeqësuar dhe është ulur besnikëria në punë, pra ndjenja e përkatësisë që i shtyn të rinjtë të qëndrojnë besnikë ndaj punëdhënësit të tyre.

Gjatë pesë viteve të fundit, besimi i të rinjve në botën e biznesit ka rënë në mënyrë të vazhdueshme: më pak se gjysma e brezit të mijëvjeçarit (47%) dhe gjeneratës së re (48%) mendojnë se kompanitë sot kanë një ndikim pozitiv shoqëror. Është hera e parë që këto nivele kanë rënë nën 50% që nga fillimi i këtij studimi, në vitin 2012.

Të rinjtë janë skeptikë kur bëhet fjalë mbi aktivizmin mjedisor post-pandemik. Rreth 40% e mesatares globale të intervistuar besojnë se angazhimi i njerëzve për çështje mjedisore dhe klimatike do të rritet pas pandemisë. Në të njëjtën kohë, megjithatë, të rinjtë janë më të përkushtuar se grupmoshat e tjera për të edukuar dhe ndryshuar mendimet e atyre përreth tyre.

Kjo mund të nënkuptojë që të rinjtë kanë besim të kufizuar te brezat më të moshuar dhe madje mendojnë se ata po pengojnë përparimin, një fakt domethënës që konfirmon hendekun kulturor që po krijohet për çështje me rëndësi të madhe shoqërore. Ndjenja e përgjegjësisë së të rinjve u shfaq edhe gjatë pandemisë. Në përgjithësi, u pa se ata ishin më të disiplinuar se të tjerët në respektimin e udhëzimeve të shëndetit publik të diktuara nga qeveritë.

Sipas sondazhit, të rinjtë besojnë se rritja në çdo aspekt është e rrënjosur nga ana kulturore, politike dhe institucionale. Për këtë është e nevojshme që një ndryshim i vërtetë dhe i qëndrueshëm të shkatërrojë, në një mënyrë demokratike, një sërë barrierash të ngritura nga kultura e rritjes.

Përgatiti: Irma Paloli