Pasuritë e paluajtëshme

Pasuritë e paluajtëshme

Kredia për blerjen e banesave nga individët, në Shqipëri, po shënon vlera rekord në muajt e parë të këtij viti. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, për periudhën janar-prill 2021, sektori bankar disbursoi rreth 10.5 miliardë lekë, ose mbi 85 milionë euro kredi të reja për shtëpi.

Ky është niveli më i lartë në të paktën gjashtë vitet e fundit në Shqipëri. Krahasuar me një vit më parë, kredia për shtëpi është rritur me 61%. Vetëm për muajin prill të këtij viti, sektori bankar ka disbursuar 3.3 miliardë lekë ose rreth 27 milionë euro kredi të reja për shtëpi, edhe kjo një shifër rekord për këtë periudhë të vitit.

Rritja e kredisë për shtëpi nisi që në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, pavarësisht krizës më të thellë ekonomike në 23 vitet e fundit. Gjithnjë e më shumë familje po investojnë në pasuri të paluajtshme, duke e parë pronën si një investim të mirë për të ardhmen. Ekspertët e ekonomisë mendojnë se rritja e fortë e çmimeve në vitet e fundit dhe pritshmëritë që kjo rritje e çmimeve të vazhdojë mund të jetë një faktor që po nxit investimin në pasuri të paluajtshme. Nga ana tjetër, shtrenjtimi po rrit vlerën mesatare të pronës që blihet dhe, rrjedhimisht, edhe pjesën e investimit që financohet me kredi. Ky është një faktor që po rrit volumet e kreditimit për blerjen e pasurive të paluajtshme.

Vendimmarrja e individëve për të blerë shtëpi me kredi gjithashtu po mbështetet edhe nga faktorët e krahut të ofertës. Normat e interesit janë në nivelet më të ulëta historike.

Kjo bën që pagesa e kredisë të perceptohet më e leverdishme, pavarësisht se principalet po rriten nga shtrenjtimi i çmimeve të pronave. Në tërësi oferta e bankave për këtë produkt është shumë e lartë, sepse për bankat ai është një produktet më cilësorë, në kuptimin e një raporti shumë të ulët të kredive me problem, që luhatet pranë gjysmës së raportit mesatar të kredive me probleme për të gjithë portofolin e kredisë.

Kredia për shtëpi është afatgjatë dhe iu mundëson bankave rritje të qëndrueshme të portofolit të kredisë në kohë, që nënkupton asete prej nga sigurohen të ardhura që zgjasin më shumë dhe kanë një amortizim të ngadaltë në kohë. Kredia në shtëpi siguron volume të kënaqshme huadhënieje, por paralelisht edhe një shpërndarje të mirë të rrezikut në shumë huamarrës. Rritja e çmimeve të pronave gjithashtu e mbyll në një farë mënyre qarkun avantazhues për kredidhënien, sepse bankat mbajnë si kolaterale për kreditë prona me vlerë më të madhe.

Ndërtimet në Tiranë

Ndërtimet në Tiranë

Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rreth 60% e pronave të shitura financohen me kredi bankare.

Portofoli i kredive për blerjen e pasurive të paluajtshme është i përqendruar në Tiranë, me më shumë se 70% të portofolit total. Kjo lidhet jo vetëm me tregun e pronave në kryeqytet, por edhe me faktin se shumica e blerësve në zonat e bregdetit janë banorë të Tiranës.

Të dhënat e INSTAT për numrin e bizneseve sipas aktiviteteve ekonomike tregojnë se krizën nuk e kanë ndier ndërtimi dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme, që kanë rritur si qarkullimin vjetor ashtu dhe numrin e subjekteve të reja të hapura në 2020-n. Që prej vitit 2017, këta dy sektorë po rriten me shpejtësi, në linjë dhe me rritjen e lejeve të ndërtimit, kryesisht në kryeqytet.

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme është një tjetër sektor që nuk e ka ndier krizën. Numri i subjekteve aktive ishte në 933 në fund të 2020-s, me një rritje prej 4.1% në krahasim me vitin e mëparshëm, duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme arriti në 2020-n nivelin rekord, me vlerën e Prodhimit të Brendshëm Bruto në këtë sektor që ishte 850 milionë euro, duke shënuar sektorin me ecurinë më të mirë gjatë krizës pandemike të 2020-s. Që nga 2017-a, qarkullimi i këtij sektori ka ardhur në rritje të fortë, duke përbërë 6.6% të PBB-së në 2020-n, nga 5.6% në 2017.

Shitblerje prone

Shitblerje prone

Si ndërtimi, ashtu dhe pasuritë e paluajtshme ishin kontribuuesit kryesorë të ecurisë ekonomike në 2020-n, duke “shpëtuar” vendin nga një rënie e fortë ekonomike gjatë krizës.

Sot mund të thuhet se sektori i ndërtimit është përfshirë në zhvillime të vrullshme prej rindërtimit të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe banesave në Tiranë, por kostot po rezistojnë të rriten.

Sipas të dhënave të INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e parë 2021 shënoi rritje vjetore me 0,6 %, në krahasim me tremujorin e parë 2020. Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Kosto të tjera” me 0,9 %, pasuar nga grupet “Shpenzime makinerie” me 0,8 %, “Shpenzime për paga” me 0,5 %, “Shpenzime transporti” me 0,4 % dhe “Shpenzime materiale” me 0,3 %.

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (për Banesa) (IKN) mat ecurinë e çmimeve të materialeve të ndërtimit, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese tip (8 – 10 kate).

Të dhënat nga terreni tregojnë për një rritje të ndjeshme të çmimeve në lëndët e para. Çmimi i një tullë është dyfishuar brenda një viti duke arritur në mbi 60 lekë nga rreth 30 lekë që ishtë në fillim të vitit 2020. Gjithashtu çmimi i hekurit është rritur së paku me 30 për qind që nga tremujori i parë i vitit 2021.

Ndërkohë sektori i ndërtimit pritet të vijojë rritjen edhe gjatë periudhës në vijim për shkak të lejeve të dhënave në tremujorin e parë 2021. Sipas lejeve që i takojnë tremujorit të parë do të ndërtohen 599,446 metër katrorë në të gjithë vendin me një rritje 80% në raport me vitin 2020, por 73.7% e kësaj sipërfaqeje do të ndërtohet në Tiranë. Në kryeqytet sipërfaqja e re është dyfishuar. Në janar-mars 2021 është autorizuar të ndërtohen 442,152 metër katrorë, me një rritje 155% në raport me tremujorin e parë të vitit 2020.

Etleva Xhajanka