Kriza e shkaktuar nga Covid-19 nuk ka pasur një ndikim homogjen në Evropë. Bllokimet, mbyllja e aktiviteteve ekonomike, rënia e turizmit kanë ngadalësuar rritjen pothuajse kudo, me një rënie mesatare të PBB-së krahasuar me 2019 prej 6.7%.

Vetëm 7 nga 30 qytetet më të mëdha në kontinentin e vjetër do të jenë në gjendje të arrijnë performancën ekonomike të kohës para pandemisë që nga viti 2021. Bëhet fjalë për disa kryeqytete nordike, si Oslo dhe Stokholmi, dhe Evropa Lindore; Bukureshti, Sofja e Varshava, të cilat së bashku me Dublinin dhe Zyrihun do të arrijnë jo vetëm të prekin por edhe të tejkalojnë nivelet e Prodhimit të Brendshëm Bruto të arritur në 2019.

Parashikimi vjen nga “Oxford Economics”, i cili në një raport tregon pritje të mira edhe për qytetet e tjera evropiane të analizuara. Sipas raportit, të gjithë duhet të raportojnë përmirësime në muajt dhe vitet e ardhshme, megjithëse në kohë të ndryshme. Si pasojë, për qytete të tilla si Barcelona dhe Roma do të jetë e nevojshme të pritet deri në vitin 2023 për t'u kthyer në vlerat e rritjes të regjistruara para fillimit të krizës shëndetësore ndërkombëtare. 2022-shi për Milanon, Londrën dhe Parisin.

Ritmi i rikuperimit do të varet padyshim nga suksesi i fushatës së vaksinimit në vende të ndryshme, nga nivelet e infeksionit dhe nga masat kufizuese të zbatuara për të përmbajtur përhapjen e koronavirusit. "Parashikimi ynë i merr parasysh këta faktorë dhe sugjeron që aktiviteti i përgjithshëm ekonomik në Evropë, i bllokuar deri në prill, do të marrë hov më pas. Këtë vit priten rikuperime të forta, të mbështetura nga kërcimet në shpenzimet e konsumatorëve, diçka që është parashikuar tashmë në shumicën e ekonomive nga vëllimet e blerjeve në internet”, -thuhet në raport.

Më konkretisht, 30 qytetet e shqyrtuara në analizë pësuan një rënie të PBB-së në vitin 2020, e cila megjithatë kishte përqindje të ndryshme: mesatarisht ishte 6.7 për qind, por ajo lëkundet midis variacioneve më të larta negative në Birmingam, Barcelonë, Madrid dhe Mançester, midis -10% dhe -12%, dhe minimumi i Dublinit -0.1%.

Kjo e fundit, në veçanti, shpjegohet me faktin se kryeqyteti irlandez ka qenë në gjendje të llogarisë në sektorë ekonomikë, të tilla si shërbimet digjitale dhe farmaceutika, të cilat kanë marrë një nxitje nga konteksti dhe nevojat e krijuara nga pandemia. Qytetet italiane të paraqitura në raport, Milano dhe Roma, patën rënie mes -8% dhe -9%, afër niveleve të Londrës.

Vetëm 7 qytete të mëdha evropiane do të jenë në gjendje të rikuperojnë nivelet e PBB-së para pandemisë që në fillim të vitit 2021. Midis tyre janë kryeqytetet e Evropës Veriore të Norvegjisë dhe Suedisë. Edhe pse krahas Oslos dhe Stokholmit mund të shtojmë pothuajse edhe Helsinkin, i cili me të vërtetë pothuajse arrin vlerat e vitit 2019.

Ekspertët e organizatës angleze nënvizojnë se të tre këto qytete kanë pësuar rënie të përmbajtura të PBB-së dhe për këtë edhe nëse rikuperimi i tyre është më i ulët se mesatarja, ata janë më mirë se qytetet e tjera të mëdha në kontinent dhe arrijnë të rimarrin terrenin e humbur në më pak kohë.

"Duhet të theksohet se këto kërcime nuk janë uniforme dhe se sektorët më të prekur nga pandemia (mallrat me pakicë, transporti, sportet, kultura dhe turizmi) zakonisht marrin më shumë kohë për t'u rikuperuar", -shkruan ekonomisti Richard Holtm, autor i studimit. Ai shtoi se sektori i transportit dhe magazinimit do të jetë në gjendje të rimarrë vlerat e vitit 2019 në Helsinki në vitin 2023, në Stokholm në vitin 2024 dhe në Amsterdam më 2025-n.

Disa qendra në Evropën Lindore do të kenë gjithashtu afate të ngjashme kohore për të rimarrë rritjen e humbur. Midis tyre, do të spikasë kryeqyteti rumun, me një rritje prej 5.6% në vitin 2021 pas një rënie prej 2.1% vitin e kaluar.

“Rumania ka trajtuar pandeminë me më pak kufizime ekonomike sesa shumica e vendeve evropiane, edhe pse lajmet më të fundit në lidhje me kufizimet dhe mbylljen e dyqaneve na kujtojnë se gjërat mund të ndryshojnë shpejt", -thuhet në raport.

Zyrihu dhe Dublini gjithashtu bëjnë pjesë në grupin e 7 qendrave të mëdha. Për kryeqytetin irlandez, megjithatë, ky është një ndryshim modest pozitiv në PBB, i barabartë me 2.8 për qind, nën parashikimin mesatar për 30 qytetet evropiane prej 4.4 për qind.

Për të pasur një pamje të plotë, duhet pasur parasysh se qytetet angleze janë ato që kanë pësuar rëniet më të këqija të PBB-së në vitin 2020. Ndaj, edhe nëse tregojnë nivele të forta rritjeje në vitin 2021, ato nuk do të jenë në gjendje të kapërcejnë hendekun e krijuar krahasuar me vitin 2019.

Birmingami pati rënien më të madhe në prodhimin e brendshëm bruto, -11.9%, dhe do të kompensohet vetëm pjesërisht nga rritja e pritur prej 7.5%. Histori e ngjashme paraqitet dhe për Mançesterin, i cili pati një rënie prej 10.7%, që do të pasohet nga një rritje pozitive prej 7.5% në vitin 2021. Sipas raportit, të dyja qytetet kanë vuajtur shumë në fushën e transportit publik dhe veçanërisht Mançesteri me thuajse mungesë totale të aktiviteteve aeroportuale.

Përgatiti: Irma Paloli