Pak ditë më parë, në një konferencë për shtypin nga Zyra e Informacionit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës, zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës bëri të ditur që, sipas të dhënave ekonomike të prillit, ekonomia kineze po vazhdon prirjen e qëndrueshme të mëkëmbjes së zhvillimit.

“Në përgjithësi, në muajin prill ekonomia kineze ka pasur zhvillim të qëndrueshëm dhe prirja është pozitive,” tha zëdhënësi Fu Linghui, duke shtuar që tani gjendja epidemike ende është e ndërlikuar, mëkëmbja e ekonomisë botërore ende është mjaft e pabalancuar, baza për mëkëmbjen e ekonomisë vendase nuk është mjaft e fortë dhe janë shfaqur disa probleme të reja gjatë zhvillimit. Sipas Fu, në hapin tjetër, duhet të vazhdojë të shfrytëzohet periudha me presion të vogël mbi stabilizimin e rritjes, të zbatohen politikat makroekonomike në mënyrë shkencore e të saktë dhe të nxitet zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik në një sferë të arsyeshme.

Për arsye që gjendja ekonomike ishte në përmirësim gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, në prill ritmet e rritjes së disa treguesve ekonomikë patën një rënie të vogël në krahasim me marsin, por prirja e mëkëmbjes ekonomike nuk ka ndryshuar.

Prodhimi ka ruajtur rritjen e qëndrueshme. Në prill, vlera e shtuar industriale e të ashtuquajturave "ndërmarrje mbi përmasa" shënoi rritje mesatare me 6.8 % dhe treguesi i prodhimit i sektorit të shërbimeve u rrit me 6.2 %. Edhe pse ritmet e rritjes janë pak më e ulëta se në mars, në përgjithësi është ruajtur rritja e qëndrueshme.

Në janar-prill 2021 edhe niveli i investimeve ka njohur një mëkëmbje të qëndrueshme. Investimet në industritë parësore dhe tretësore kanë pasur shtim të shpejtë, ndërkohë që gjithashtu investimet në industrinë dytësore kanë shënuar rritje.

Niveli i punësimit dhe ai i çmimit të mallrave janë në gjendje të qëndrueshme. Niveli i papunësisë urbane në prill ishte 5.1% dhe treguesi i çmimeve të konsumit (CPI) u rrit me 0.9 %, duke ruajtur prirjen e rritjes së lehtë.

Në prill edhe konsumi ishte në zgjerim. Në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2019, shitja me pakicë e mallrave të konsumit shënoi një shtim me 8.8 %, 0.3 pikë përqindjeje më shumë se në tremujorin e parë dhe 0.32 pikë përqindjeje më shumë se në muajin mars.

“Ka shumë kushte pozitive për mëkëmbjen e qëndrueshme të konsumit. Në tremujorin e parë, ndër tre kërkesat kryesore të zhvillimit ekonomik, konsumi ka dhënë kontribut më të madh. Po të shohim të ardhmen, konsumi do të vazhdojë të luajë rol stabilizues, se ka një mbështetje shumë të fortë,” thotë Fu Linghui.

Zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës shpjegoi gjithashtu që treguesit ekonomikë kanë lidhje me njëri-tjetrin dhe treguesi i çmimeve të prodhimit (PPI) ka njëfarë ndikimi mbi atë të çmimeve të konsumit (CPI). Por në përgjithësi, për arsye që në Kinë përbërja e sektorëve është relativisht e plotë dhe zinxhiri industrial është i gjatë, ndikimi i rritjes së çmimeve të produkteve industriale të rrjedhës së sipërme mbi çmimet e produkteve të rrjedhës së poshtme po ulet gradualisht.

Fu analizoi që, nga ana e ofertës dhe kërkesës, ekonomia kineze ndodhet në fazën e mëkëmbjes dhe shumë tregues në fushën e kërkesës, si investimet dhe konsumi, ende nuk janë kthyer në nivelin para epidemisë. Për sa i përket ofertës, gjendja është mëkëmbur mirë dhe marrëdhëniet mes ofertës dhe kërkesës nuk nxitin rritjen e çmimeve në mënyrë të dukshme.

Krahas kësaj, Kina ka zbatuar politika financiare aktive dhe politika të qëndrueshme monetare, duke nxitur mëkëmbjen ekonomike nëpërmjet rregullimeve të sakta. “Ne nuk kemi marrë as masa të shumta stimulimi financiar, as politika monetare si ‘përmbytje’. Kështu që as politikat financiare nuk krijojnë nxitje për rritje të madhe të çmimeve,” thekson Fu Linghui.

Për vitin 2021, Fu Linghui analizon që ekonomia kineze ka një mbështetje të mirë për vijimin e mëkëmbjes. Sipas tij, ekonomia globale po mëkëmbet vazhdimisht dhe kjo është në të mirë të rritjes së kërkesës së brendshme. Në tregun vendas, mëkëmbja vazhdon në mënyrë të qëndrueshme. Me përmirësimin e punësimit, rritjen e të ardhurave të banorëve dhe përmirësimin e mjedisit të konsumit, konsumi do të vazhdojë të nxitë rritjen ekonomike.

Gjithashtu, një sërë politikash në përkrahje të ndërmarrjeve do të vazhdojnë të luajnë rolin e tyre. Politikat e shpallura në vitin 2020 për uljen e taksave do të jenë në të mirë të pakësimit të kostove të ndërmarrjeve dhe politikat strukturore për uljen e taksave sivjet do të krijojnë mundësi të reja për prodhimin dhe zhvillimin e ndërmarrjeve.