Viti 2020 u karakterizua nga dy tendenca dukshëm kontradiktore. Nga njëra anë, ekzistonte akumulimi i madh i likuiditetit, sipas të dhënave nga Shoqata evropiane e Bankave, dhe nga ana tjetër, bumi në fondet për mjedisin, fushën sociale dhe atë qeverisëse (ESG).

Në vitin 2020, hyrjet neto të kapitalit në fonde të qëndrueshme të hapura në dispozicion të investitorëve evropianë arritën në 233 miliardë euro, sipas të dhënave të “Morningstar”, duke dyfishuar rezultatin e vitit 2019. Vetëm në tremujorin e katërt të vitit 2020, gati 100 miliardë kapital i ri shkoi në fonde të qëndrueshme, duke zënë 45% të hyrjeve gjithsej në fondet evropiane.

Interesi në rritje për çështjet për mjedisin, fushën sociale dhe atë qeverisëse, përshpejtuar nga pandemia, ka të ngjarë të vazhdojë të nxisë kërkesën për fonde të qëndrueshme në Evropë. Analistët e “Morningastar” theksojnë se 2021-shi do të jetë viti kur faktorët ESG do të bëhen rrjedha kryesore.

Një skenar që e shtyu “Invesco” të gërmonte më thellë, me një studim që nxori në pah se si qytetarët evropianë, edhe pas Covid, kanë adoptuar një qasje më të vetëdijshme ndaj investimeve dhe se si ata kërkojnë kuptimin dhe dobinë shoqërore, ekonomike në zgjedhjet e tyre të investimeve. Sipas sondazhit, kërkimi për qëllime duket se lëviz ndjeshmërinë e investitorëve më shumë sesa shumë argumente rreptësisht tekniko-financiare.

Kjo shpjegon faktin se fonde të caktuara, ato ESG për shembull, po gëzojnë sukses të madh, por është gjithashtu e qartë pse, në mungesë të alternativave të vlefshme, familjet evropiane preferojnë t'i mbajnë paratë në llogarinë e tyre. Prandaj nuk është vetëm frika nga e ardhmja që i shtyn drejt një qasje tepër të matur, por edhe mungesa e propozimeve për investime që plotësojnë nevojat ekstra financiare.

Pra, nëse më parë këshilltari financiar duhej të shqetësohej ekskluzivisht për kthimet, tani kjo nuk mjafton më. Kursyesi është bërë më kërkues dhe fitimet e thjeshta duhet të shoqërohen me vlera më të larta, të tilla si qëndrueshmëria, mbrojtja shëndetësore dhe një ndikim konkret në ekonomi.

Rreth 6 në 10 investitorë, për shembull, besojnë se kursimet duhet të përdoren për të ndërtuar të ardhmen e vendit. Në mënyrë që të hetojë një realitet kaq kompleks dhe tërheqës, “Invesco” ka vënë nën lupë jo vetëm kërkesat e ndryshuara të kursimtarit, por edhe përshtatjen ndaj këtyre ndryshimeve nga profesionistë të menaxhimit të pasurive. Dhe sinteza e arritur nga studimi i kompanisë amerikane është se figura e "konsulentit të portofolit" është zëvendësuar me atë të "konsulentit për personin". Një revolucion i vogël Kopernikan, sepse qendra rreth së cilës rrotullohet gjithçka ka ndryshuar.

Një shtytje në këtë drejtim vjen edhe nga vetë BE-ja, e cila ka përcaktuar një axhendë shumë të rreptë drejt objektivave të qëndrueshmërisë. Më 10 mars, rregullorja e parë evropiane hyri në fuqi brenda Planit ambicioz të veprimit të BE-së për financa të qëndrueshme, e ashtuquajtura SFDR.

Brukseli zyrtar dëshiron të hartojë një model të ri ekonomik për të transportuar Kontinentin e Vjetër nga kriza e shkaktuar nga pandemia. Ky është një hap i parë i rëndësishëm. Frika nga e ardhmja i shtyn njerëzit në një qasje tepër të kujdesshme, duke u përpjekur të mbajnë para në llogaritë e tyre. Por perspektiva e kanalizimit të burimeve drejt investimeve me një qëllim që nuk është vetëm kthimi, ndihmon për të tërhequr gjithnjë e më shumë investitorë me pakicë.

Sondazhi i kryer nga “Invesco” gjithashtu identifikoi makro-trendet që zgjojnë interesin e kursimtarëve dhe rëndësia e të cilëve është e destinuar të rritet në të ardhmen. Në krye të kësaj renditje të veçantë janë fusha digjitale dhe teknologjia, kujdesi shëndetësor dhe qëndrueshmëria.

Viti 2020 rezervoi kënaqësi të mira për kursimtarët, të cilët nuk kanë fjetur mbi dafina. Prova e vështirë e Covid dhe paqëndrueshmëria e madhe e bursave në fakt i kanë shtyrë ata të rimendojnë qasjen e tyre ndaj investimeve.

Sot, receta e tyre për menaxhimin e kursimeve bazohet në katër shtylla. Së pari është durimi: duhet ditur të pritet, si për të zgjedhur investimin e duhur ashtu edhe për të parë rezultatet. Së dyti, të zgjidhet kompania për të investuar dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë është të dihet historia e tyre. Një shtyllë tjetër është të dish të identifikosh inovacionin, një ushtrim i lehtësuar nga përdorimi i vazhdueshëm i teknologjive të reja, për të cilat distancimi fizik na ka detyruar. Së fundi, kursimtarët janë të bindur se është e nevojshme të kuptohen trendet e mëdha strukturore që po ndryshojnë botën.

Duke bërë matematikë në baza ditore, investitorët kanë kuptuar se po ndodhin ndryshime që mund të përfaqësojnë rreziqe si dhe mundësi. Dhe nuk është rastësi që më të njohurit dhe për këtë arsye më të kërkuar janë ato që kanë hyrë në jetën e përditshme të pandemisë: interneti, revolucioni i tregtisë elektronike dhe e gjithë bota e shëndetit.

Sipas studimit të “Invesco”, kjo është provë e faktit se për një investitor, më shumë sesa lajmet e tregut të aksioneve, është e rëndësishme të prekësh forcën dhe ndikimin e një fenomeni shoqëror ose një faktori ekonomik. 84% e kursimtarëve të intervistuar konsiderojnë të paktën njërën nga katër mega-trendet e listuara interesante: Digjitale, Shëndetësi, Esg dhe Koha e lirë. 60% janë të prirë të investojnë në njërën prej tyre dhe 40% e kanë bërë tashmë.

Përgatiti: Irma Paloli