Kreditë me probleme, ulen nën nivelin 8% pas 12 vjetësh, bankat fshinë tre miliardë lekë kredi të humbura

Raporti i kredive me problem në fund të muajit mars 2021, u ul nën nivelin 8%, për herë të parë pas më shumë se 12 vjetësh.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky raport zbriti në 7.96%, duke regjistruar nivelin më të ulët që prej marsit të vitit 2009. Vitin e kaluar, sektori bankar arriti të ruajë një raport të qëndrueshëm të kredive me problem, pavarësisht krizës që solli situate e pandemisë në ekonominë e vendit. Në tremujorin e parë të këtij viti, ecuria ka qenë edhe më pozitive, me një rënie të lehtë, të mëtejshme.

Masat e aplikuara nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar kanë luajtur një rol të rëndësishëm për të mbajtur nën kontroll raportin e kredive me probleme, duke mos kërkuar nga bankat të riklasifikonin ato kredi që u shtyheshin apo ristrukturoheshin.

Një masë e tillë qëndroi në fuqi deri në fund të muajit mars 2021. Një qasje e tillë jo vetëm lehtësoi mbështetjen e huamarrësve në vështirësi të përkohshme për shkak të krizës, por pati një ndikim edhe më të rëndësishëm në drejtim të vijimit të huadhënies. Bankierët argumentojnë se, në rast të rritjes së raportit të kredive me probleme, do të kishte qenë e pamundur që huadhënia të vijonte të rritej, siç ndodhi vitin e kaluar dhe siç po vazhdon të ndodhë edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Në këtë mënyrë, masat e përkohshme patën një ndikim të dyfishtë, si në krahun e numëruesit (stokut të kredive me probleme), ashtu edhe të emëruesit (portofoli total i kredisë) të këtij treguesi.

Gjithashtu masat e përkohshme që mbështesnin ristrukturimin pritet që të sjellë gradualisht një lloj ndikimi në gjendjen e kredive me probleme gjatë muajve në vazhdim. Megjithatë, bankierët mendojnë se ky ndikim do të jetë i kufizuar dhe shumica e projeksioneve të tyre nuk parashikon një rritje të raportit të kredive me probleme me më shumë se dy pikë përqindje.

Në fakt, vlera totale e kredisë së ristrukturuar përllogaritej sa rreth 3% e portofolit të total të kredisë për ekonominë në fund të vitit 2020. Rrjedhimisht, edhe me shfuqizimin e masave lehtësuese nuk pritet një ndikim shumë i madh i këtij segmenti të portofolit në ecurinë e raportit të kredive me probleme. Stoku i kredive me problem të sektorit bankar vlerësohet në rreth 50 miliardë lekë dhe, sipas Bankës së Shqipërisë, për të gjithë vitin 2020 u rrit me vetëm 1.6 miliardë lekë.

Ndërkohë procesi i fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave ka vijuar edhe gjatë vitit 2020, por sasia e fshirjeve ka qenë shumë më e vogël në krahasim me vitet paraardhëse.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar bankat nxorën jashtë bilanceve vetëm tre miliardë lekë dhe pjesa dërrmuese e vlerës së tyre është larguar nga bilancet në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Kreditë e fshira kanë qenë kredi të marra kryesisht nga bizneset dhe kredi të dhëna në lekë. Gjatë periudhës janar 2015 – dhjetor 2020, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre rreth 70 miliardë lekë si kredi të humbura.

Banka e Shqipërisë, bën të ditur, se kreditë me probleme shënuan nivelin 8.1% në fund të vitit 2020, nga 8.4% që ishte një vit më parë. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma e rritjes së kredive me probleme (në vlerë absolute) ishte e krahasueshme me normën e rritjes së përgjithshme të kredisë, rreth 3%.

Gjatë vitit të fundit është vënë re një zhvendosje e peshës brenda tepricës së kredive me probleme nga klasat e kredive “nënstandard” dhe “të dyshimta”, drejt klasës së kredive “të humbura”.

Pesha e kredive të humbura në tepricën e kredive me probleme arriti në 46%, nga 36% një vit më parë. Në krahasim me një vit më parë, cilësia e kredisë është përkeqësuar për kategorinë e kredive afatgjata, kredive për individët dhe kredive në monedhën vendase.

Raportet më të larta të kredive me probleme në fund të 2020-s raportoheshin për kredinë për bizneset (9.9%), kredinë në valutë (8.9%) dhe kredinë afatgjatë (8.5%). Rënia graduale e cilësisë së portofolit të kredisë bankare gjatë vitit 2020 është pasqyruar edhe në rritjen e lehtë, por të dukshme të tre treguesve plotësues të cilësisë së kredisë, që janë norma e prurjeve të kredive me probleme (fluksi i kredive të reja me probleme ndaj tepricës së kredive të rregullta), norma e falimentit (fluksi i kredive të reja të humbura gjatë një viti ndaj tepricës së përgjithshme të kredisë në fund të periudhës) dhe norma e kredive me probleme të rikuperuara (fluksi i kredive me probleme që kanë kaluar në klasat performuese gjatë një viti ndaj tepricës së kredive me probleme në fund të periudhës).

Duke filluar nga tremujori i dytë i vitit 2020, norma e prurjeve të kredive me probleme ka ardhur duke u rritur dhe në fund të vitit, kjo normë arriti në rreth 3%, nga gati 1% në fund të vitit 2019. Një tjetër tregues i rëndësishëm për cilësinë e portofolit të kredisë është norma me të cilën akumulohen kreditë e humbura në krahasim me kredinë e përgjithshme. Vlera e kredive të reja të humbura që janë mbledhur në bilancet e bankave gjatë vitit 2020 ishte rreth dy herë më e lartë në krahasim me fluksin e vitit 2019. Ky zhvillim është pasqyruar në rritjen e normës së falimentit në 2.3%, nga 1.1% një vit më parë, ndërkohë që duke filluar nga fundi i vitit 2017, kjo normë nuk e ka tejkaluar vlerën 2%.

Në të njëjtën kohë, gjatë vitit 2020 është vënë re një rënie e dukshme e normës së rikuperimit të kredive me probleme. Kjo normë ra në 6%, nga 20% një vit më parë, dhe qëndron poshtë të gjitha vlerave të këtij treguesi që nga fundi i vitit 2017

Etleva Xhajanka