Shqipëria në 3-mujorin e parë të këtij viti, ka bërë një kthesë të konsiderueshme në konsumin privat dhe ecurinë e kërkesës së brendshme, duke dhënë dhe sinjale pozitive për rritjen ekonomike.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se, eksportet vendase u rritën për periudhën Janar-Mars me 22% krahasuar me një vit më parë, ndërsa vetëm muaji Mars pati një rritje të shitjeve të mallrave me 78%, dhe me 30% krahasuar me vitin 2019.

Shqipëria në total ka eksportuar 320 milionë dollarë mallra jashtë gjatë marsit, ku shumica e grupeve kanë pësuar rritje. Peshën më të madhe e ka dhënë energjia dhe mineralet, ndërsa për herë të parë edhe sektori i fasonëve rezulton me 22% rritje. Të vetmet degë me rënie janë prodhimet e drurit, makineritë dhe pajisjet.

Ndërkohë edhe kërkesa për mallra në tregun e brendshëm si nga ana e konsumatorëve dhe e bizneseve rezulton e rritur. Ndërmarrjet kanë rritur me blerjen e pajisjeve, materialeve të ndërtimit dhe lëndët e para, ndërsa rritje ka shënuar dhe grupi i pijeve, ushqimeve dhe veshjeve.

Sa i përket importeve, ato kanë kapur vlerën e 640 milionë dollarëve në mars, duke rezultuar 45% më të larta se një vit më parë dhe 25% më shumë se në 2019-n. Grupet që kanë kontribuar ndjeshëm në rritje janë tekstilet, materialet e ndërtimit, mineralet, energjia elektrike, makineritë dhe paisjet.

Sipas raportit më të fundit të publikuar nga Instituti i Statistikave, eksporti dhe importi janë rritur ndjeshëm jo vetëm kundrejt marsit të vitit 2020 apo shkurtit të këtij viti, por edhe krahasuar me mesataren e muajve mars për periudhën tre vjeçare 2018 – 2020, duke lënë të kuptohet se tashmë, tregtia e jashtme e ka krijuar “imunitetin”.

Sipas analistëve kjo shpjegon edhe arsyet për këtë dinamizëm në tregtinë me vendet e tjera, ku vetëm nga Turqia u morën rreth 118% më shumë mallra se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Partnerët më të rëndësishëm tregtarë në tremujorin e parë të kërij viti ishin Italia, Kosova dhe Greqia.

Sipas të dhënave nga INSTAT, Italia është vendi me të cilin është ndjerë rritja më e madhe e eksporteve, gjatë muajit mars, duke e krahasuar atë me një vitë më parë. Konkretisht rritja ka qenë me afro 84%. Thënë ndryshe, në mars Shqipëria eksportoi mallra në vlerë 13.1 miliardë lekë drejt Italisë; 5.9 miliardë lekë më shumë se për të njëjtin muaj të vitit paraardhës.

Edhe importet gjatë kësaj periudhe kanë patur rritje. Referuar INSTAT-it, gjatë muajit mars të këtij viti, Shqipëria ka importuar mallra në vlerë 17.7 miliardë lekë nga vendi fqinj. Ndërkaq, për të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo vlerë rezultonte 10.8 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, importet nga Italia duket se po njësoj kanë filluar të rriten. Referuar INSTAT-it, në mars 2021, Shqipëria ka importuar mallra në vlerë 17.7 miliardë lekë nga vendi fqinj. Ndërkaq, për të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo vlerë rezultonte 10.8 miliardë lekë. Nga një panoramë e përgjithshme, në rikthimin në normalitetin parapandemik midis Shqipërisë dhe Italisë (eksportet), pikët kryesore vijnë nga tekstilet dhe këpucët, ushqimet, pijet, duhani, materiale ndërtimi dhe metale.

Ndërkohë kushtet klimatike, lehtësimi i kufizimeve në vendet e rajonit dhe rritja e çmimeve për lëndët e para kanë bërë që Shqipëria të rrisë eksportet e mineraleve dhe energjisë elektrike gjatë muajit mars.

Për ekspertin Lorenc Gordani, kjo ka ardhur për faktin se tregu i lëndëve të para është stabilizuar, duke bërë që kompanitë minerare të eleminojnë stoqet e krijuara gjatë periudhës kur çmimet u ulën në mënyrë të frikshme.

“ Sektori mineral është i varur nga konjuktura ndërkombëtare dhe tregjet ndërkombëtare. Në zonën e Bulqizës ne kemi pasur investime të reja për një periudhë të gjatë, që kanë hapur burime të reja dhe kanë shtuar jetëgjatësinë dhe kishin krijuar stoqe të mëdha minerare. Fatmirësisht çmimet ndërkombëtare të produkteve primare kanë një trend rritës në të gjitha tregjet, duke bërë që në këtë periudhë të kemi një lëvizje dhe të bashkëshoqërohen të dyja këto produkte dhe të bëjnë një paraqitje të mirë të produkteve shqiptare, duke u kthyer në ato trende që kemi pasur tradicionalisht në përgjithësi,” u shpreh Gordani.

Nga ana tjetër kushtet klimatike sollën mjaftueshëm prurje në HEC-et kryesore të vendit, gjë që e vuri Shqipërinë në pozita të favorshme për të shitur një pjesë të energjisë së prodhuar. thotë Gordani.

“Në këtë kuadër kemi pasur në veçanti një vit shumë të mbarë në sektorin hidroenergjitik që ka bërë të mundur një prodhim të tepërt. Po t’i referohemi prurjeve në Kaskadën e Drinit, të gjitha turbinat janë duke prodhuar me regjimin e plotë, çka bën që një pjesë e energjisë të shitet edhe jashtë Shqipërisë. Kjo lidhet edhe me një faktor të jashtëm, pasi ka pasur temperatura të ftohta në vendet e rajonit, por njëkohësisht edhe një vitalizim të ekonomive të tyre.”

Eksperti Gordani mendon se Shqipëria rimëkëmbjen duhet ta shohë në një prizëm më të gjërë për të përmbushur disa reforma të integrimit europian, ku në krye të atyre ekonomike, sipas tij qëndron ajo e sektorit energjitik.

Elida Lazi