Shumë ekspertë evropianë janë të bindur se asgjë nuk do të jetë e njëjtë pas pandemisë së koronavirusit dhe se shoqëria, ekonomia dhe roli i qeverive do të ndryshojnë përgjithmonë. Mendohet se do të shohim shfaqjen e një shoqërie më të bashkuar dhe një modeli të ri ekonomik që është i dobishëm për të gjithë dhe ndoshta gjithashtu një frymë më të madhe bashkëpunimi ndërkombëtar, për shembull në lidhje me ndryshimin e klimës.

Diskutimi mbi efektet ekonomike të kësaj emergjence deri më tani është përqendruar kryesisht në masa të pashembullta kombëtare që janë marrë si për të frenuar virusin ashtu edhe për të mbështetur ekonominë, me shpresën se do të arrihet një rimëkëmbje e shpejtë pasi të zhduket epidemia.

Por rënia e ndjeshme e prodhimit ka filluar të ngjasojë gjithnjë e më shumë me fillimin e Depresionit të Madh sesa me një recesion jetëshkurtër. Provat epidemiologjike sugjerojnë se mund të duhen deri në dy vjet, në vend të disa javëve ose muajve, para se të hiqen të gjitha kufizimet e ashpra të aktivitetit ekonomik aktualisht në fuqi.

Nuk dihet me siguri për sa kohë do të qetësohet epidemia, por mësimet që mund të nxjerrim nga historia sugjerojnë se bashkëpunimi ekonomik global është i nevojshëm për të arritur një rimëkëmbje ekonomike të rëndësishme. Nëse qeveritë vendosin të vazhdojnë ngritjen e barrierave për të mbrojtur ekonomitë e tyre, siç bënë në vitet ‘30, ato mund të krijojnë recesione kombëtare që do të rezultonin në një depresion global edhe më të qëndrueshëm në kontekstin aktual, i karakterizuar nga integrimi i thellë i ekonomisë globale.

Globalizimi ekonomik që nga viti 1950 ka transformuar ekonominë botërore; ka kontribuar jashtëzakonisht në përmirësimin e cilësisë së jetës, por ka ndjekur një proces të pabarabartë në të cilin shumë vende dhe shumë individë kanë përfunduar duke humbur. Shtrirja e këtij procesi varion nga tregtia e mallrave dhe shërbimeve deri te emigracioni ndërkombëtar i punës dhe së fundmi te financat.

Secili prej këtyre aspekteve kërkonte arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, (në rastin e tregtisë), ose një konsensus se ulja e barrierave për emigrim dhe investimet globale do të ishte e dobishme për të gjithë. Në dritën e shkatërrimit të lidhur me Luftën e Dytë Botërore, mbështetja për globalizimin u bazua në një besim të fortë se falë bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar, shpërthimi i një konflikti tjetër do të ishte më pak i mundshëm.

Vrulli politik për integrim më të madh ekonomik global është dobësuar që nga viti 2000, ndërsa shqetësimi për efektet e këtij integrimi në pabarazi është rritur. Negociatat tregtare globale të nisura në këtë vit dështuan të krijonin marrëveshje, ndërsa reagimet negative ndaj flukseve të emigrimit në Evropë dhe Amerikë patën një ndikim vendimtar në rritjen e partive të djathta populiste. Dhe kostot e globalizimit financiar, përtej përfitimeve të tij, dolën qartë në krizën financiare të vitit 2008.

Por ndërsa kriza e vazhdueshme ekonomike globale thellohet, perspektivat për bashkëpunim global që mund të zbusin ndikimin e saj duken të largëta. Në mungesë të marrëveshjeve, kriza ekonomike do të jetë më e gjatë dhe më e thellë dhe do të shkaktojë pabarazi më të madhe si brenda vendeve ashtu edhe midis tyre.

Mësimi nga kriza financiare e vitit 2008 ishte se pak vende ishin vërtet të përgatitura për bashkëpunim ekonomik global, megjithë përpjekjet për të rënë dakord mbi një paketë gjithëpërfshirëse stimuluese gjatë samiteve të G20. Pandemia e koronavirusit tani ka theksuar më tej akuzat dhe ngritjen e barrierave midis vendeve.

Në Bashkimin Evropian, vendet anëtare kanë revokuar lëvizjen e lirë dhe kanë ngritur në mënyrë të njëanshme barrierat kombëtare për të mbrojtur qytetarët e tyre. Nuk ka pasur ndonjë përpjekje serioze për të ndarë barrën ekonomike të situatës dhe dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja do të rrisë më tej barrierat tregtare.

Mësimet që mund të nxjerrim nga historia nuk janë inkurajuese. Sipas ekspertëve evropianë, shoqëritë gjatë pandemive shpesh kanë përdorur individë të caktuar si kurban, fajësojnë të huajt dhe kanë ngritur barriera për botën e jashtme. Më shumë sesa me frymën e Luftës së Dytë Botërore, një paralele më shqetësuese mund të bëhet me atë që ndodhi midis dy luftërave botërore, pas pandemisë së fundit globale të gripit të viteve 1918-‘19.

Edhe pse nuk ishte shkaku i recesionit ekonomik të luftës, pandemia paralajmëroi atë që do të ndodhte në të ardhmen. Ekonomia globale e shkatërruar nga konflikti u fundos ndërsa kriza u komplikua nga pengesat në tregti, zhvlerësimi i monedhës konkurruese dhe struktura e shkatërruar e financave ndërkombëtare. Tani që ekonomitë janë edhe më të ndërlidhura, nuk mund t'i lejojmë vetes luksin e tërheqjes, duke u përqëndruar në vetëmjaftueshmëri për të riaktivizuar ekonomitë kombëtare, siç bënë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania në vitet 1930. Për më tepër, rezultati përfundimtar i kësaj qasje nuk do të ishte i dëshirueshëm në këtë kohë.

Bota thirret sot për të zgjedhur mes dy rrugëve shumë të ndryshme: të gjendet një mënyrë për të shfrytëzuar globalizimin që të arrihet një qëllim i përbashkët, ose tërheqje në izolim dhe nacionalizëm që çojnë në kolapsin e ekonomisë botërore dhe rritjen e tensioneve ndërkombëtare.

Përgatiti: Irma Paloli